1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman mbi vizitën e ministres së Mbrojtjes von der Leyen në Kosovë

Angelina Verbica16 Maj 2014

Gjatë vizitës së trupave gjermane në Kosovë ministrja e Mbrojtjes shmang deklaratat për kohëzgjatjen e misionit dhe kundërshton pohimet e kancelarit të mëparshëm Schröder për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në 1999.

https://p.dw.com/p/1C1DL
Symbolbild deutsche Presse Presseschau
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në artikullin me titull "Tërheqje e ngadalshme" gazeta "Süddeutsche Zeitung" shkruan sot lidhur me vizitën e ministres von der Leyen në Kosovë:

......Që nga dhjetori von der Leyen është ministre e Mbrojtjes, që atëherë ajo ka udhëtuar në shumë vende. Kosova është zona e fundit e veprimit të Bundeswhr-it, të cilën ajo e viziton për herë të parë si ministre e Mbrojtjes. Rreth 700 ushtarë gjermanë janë të stacionuar këtu, rreth 470 në Prizren. .... Për ministren është e thjeshtë të fitojë zemrat e ushtarëve. Pjesa tjetër në Kosovë është e komplikuar, për shembull bisedimet politike, të cilat von der Leyen do të kishte dashur t'i zhvillonte, por që nuk i zhvillon. Kjo për faktin se javën e kaluar në Kosovë u shpërnda parlamenti...

Për shkak të fushatës zgjedhore nuk ka takime me politikanët vendas

Në Kosovë mbizotëron pra fushata zgjedhore, kryeminsitri Hashim Thaçi kandidon sërish dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, sipas të dhënave të qarqeve ushtarake, u krijua droja se në këtë situatë të re von der Leyen mund të instrumentalizohej për fushatën e Thaçit, në qoftë se do të takohej për të biseduar me të. Për takimin ishte rënë dakord, por ishte frika se ai mund ta kishte shitur takimin me ministren gjermane të Mbrojtjes si dëshmi të prestigjit të tij ndërkombëtar, dhe kështu von der Leyen do të ishte bërë faktor në fushatën zgjedhore.

Problemi këtu: Ajo do të dëshironte të takonte homologun e saj kosovar Agim Çeku. Por pala kosovare sipas qarqeve ushtarake kushtëzoi takimin me Çekun nga takimi me Thaçin, ose të dy ose asnjërin. Si pasojë von der Leyen vendosi të mos takojë asnjërin....

Vitet e fundit kombet, që bëjnë pjesë në KFOR i kanë reduktuar ndjeshëm trupat e tyre, ndërkohë në Kosovë janë të stacionuar 4 900 ushtarë nga 30 kombe. Para 15 vjetësh vetëm gjermanët kishin kaq. A do të përfundojë së shpejti e gjitha? Deputeti kristian social në parlamentin gjerman Michael Brand është skeptik: "Natyrisht do të qëndrojmë këtu disa vjet", thotë ai. "KFOR-i është siguria për rastet serioze, dhe është autoriteti i vërtetë në vend." Nuk duhet të jemi të verbër ndaj zhvillimeve në Kosovë", thotë Brand. "Përhapja e krimit të organizuar dhe e korrupsionit nuk janë të pranueshme."

Ministrja e shpreh këtë me më diplomaci. Ajo lavdëroi të enjten "përparimet e dukshme", në procesin e pajtimit. Një hapësirë kohore se sa do të qëndrojë Bundeswehr-i këtu ajo nuk jep, por flet për një tërheqje të ngadalshme nga misioni...

Ndërsa gazeta "Die Welt" boton shkrimin me titull: "Von der Leyen mbron misionin në Kosovë. Ministrja kundërshton kancelarin e mëparshëm Schröder": Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen nuk e konsideron ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Politikania e Unionit Kristian-Demokrat (CDU) kundërshtoi dje gjatë vizitës në Kosovë një vlerësim përkatës të kancelarit të mëparshëm Gerhard Schrëder...

"Unë nuk jam dakord me këtë pikëpamje", tha von der Leyen. Për një kohë të gjatë më parë kishte shenja të qarta, dëshmi dhe raportime për shkelje të renda të të drejtave të njeriut, për rrezikun e një gjenocidi."... Prandaj situata e atëhershme në Kosovë nuk është e krahasueshme me aneksimin e Krimesë nga Rusia.

Schröder kishte thënë para disa javësh: "Unë e kam shkelur vetë të drejtën ndërkombëtare." Ai tha se në vitin 1999 ka dërguar në Ballkan tornado, që kanë marrë pjesë në bombardimet e NATO-s, "pa patur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit."...Presidenti rus Vladimir Putin e ka krahasuar aneksimin e Krimesë me shkëputjen e Kosovës nga Serbia. Von der Leyen tha se në Krime situata fillestare ka qenë krejt tjetër. "Ku ishte kërkesa ndaj Këshillit të Sigurimit për të vepruar? Ku ishte thirrja drejtuar bashkësisë ndërkombëtare? E gjitha kjo nuk ka ndodhur. dhe prandaj të dyja situatat nuk janë të krahasueshme me njëra-tjetrën", tha ajo...