1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për Kosovën

Eliana Xhani11 Shtator 2012

Kosova mori të hënën zyrtarisht sovranitetin e plotë. Zëra nga shtypi gjerman në lidhje me ngjarjen historike.

https://p.dw.com/p/166gF
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Qeveria ia ka dalë mbanë të zbatojë disa nga pikat më të rëndësishme të planit Ahtisaari. (...) Situata në provincat jugore serbe është qetësuar. Nuk ka më incidente dhe një pjesë e madhe e serbëve ka pranuar jetën në shtetin e ri të Kosovës. (...) Vetëm zonat e banuara nga serbë në veri të vendit, krijojnë ende probleme. Tani qeverisë së Kosovës i duhet të merret me këtë problem dhe të gjejë një 'modus vivendi' me servët e veriut", shkruan TAZ.de.

Heqja e mbikqyrjes nuk nënkupton pavarësi të plotë, shkruan "Frankfurter Allgemeine Zeitung": "(...) Nuk mund të thuhet se shteti më i ri i Evropës të hënën ka arritur edhe 'pavarësinë e tij të plotë'. Shpërpërja e ICO-s nuk është vlerësimi historik, siç u vlerësua nga qeveria në Prishtinë, e cila ka nevojë urgjente për sukses. Edhe në të ardhmen mbikqyrës perëndimorë do të kenë të drejtën për të vendosur në çështje vendimtare. Kosova nuk është aspak një shtet vërtet i pavarur. Por heqja e mbikqyrjes është një hap i rëndësishëm në krahasim me Bosnjën."

Liri e paqëndrueshme, komenton "Die Welt": "Lënë thuajse në harresë nën hijet e krizës së euros, në Prishtinë u shënua një moment historik. Parlamenti i ish-protektoratit të OKB-së festoi heqjen e mbikqyrjes dhe marrjen e sovranitetit të plotë. (...) Në të ardhmen, të paktën zyrtarisht, nuk do të ndërhyjnë më teknokratë të dërguar nga bashkësia ndërkombëtare, kur shteti i vogël të vendosë për të ardhmen e tij. Por nëse BE do të pranonte të bënte një analizë të ndershme, do të arrinte në konkluzionin e pakëndshëm se projekti Kosovë në masë të madhe rezultoi në një 'failed state', megjithë 3,3 miliardë euro, që janë derdhur në Ballkan prej 1999 vetëm nga arkat e BE-së. (...) Është iluzion të besosh se ish zona e luftës ka hedhur një hap drejt një shteti më të qendrueshëm, apo drejt më shumë prosperiteti. Ende një në dy vetë është i papunë, një e treta e njerëzve jetojnë nën kufirin e varfërisë. Veriu i vendit mbetet një fuçi baruti, edhe 13 pas përfundimit të luftës janë serbët ata, që vendosin atje.(...)"