1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman për procesin kundër grupit të Zauerlandit

11 Gusht 2009
https://p.dw.com/p/J7Tr
Grupi terrorist i Zauerlandit në vëmendjen e shtypit gjerman. Ne foto: faqe te para te disa gazetave kryesore gjermane
Grupi terrorist i Zauerlandit në vëmendjen e shtypit gjermanFotografi: picture-alliance/dpa

Fillimi i procesit kundër të ashtuquajturit grupi terrorist i Zauerlandit është edhe në qendër të shtypit të sotëm gjerman:

Gazeta «Allgemeine Zeitung Mainz» shkruan:

"Çfarë duan të arrijnë të akuzuarit me deponimet e tyre? A duan të përfitojnë vërtet uljen e masës së dënimit? Me siguri që jo. Mos duan t'u vijnë në ndihmë organeve gjermane të sigurisë? Këtë as që mund ta çosh nëpër mendje. Po çfarë atëherë? Ndoshta me pohimet e tyre ata duan që të përhapin frikë dhe tmerr, sipas motos "shikoni se ç'jemi në gjendje të bëjmë". Ne nuk e kemi të vështirë të rekrutojmë të rinj, t'i stërvitim dhe t'i dërgojmë për misione terroriste. Vërtet, ato që po merren vesh në këtë proces, të bëjnë fillimisht të të hyjë frika. Por ajo që vërtetohet është vetëm një gjë, që të gjithë e dinë, por që mundohen ta anashkalojnë: rreziku i akteve terroriste vazhdon të jetë i pranishëm në Gjermani. Por paniku do të ishte mjaft i dëmshëm, sepse grupi i Zauerlandit është një dëshmi, që sulme të tilla mund të parandalohen dhe të pengohen."

Gazeta «Reutlinger General-Anzeiger» vëren:

"Arrestimet e pjesëtarëve të grupit bënë që sulmeve t'u pritej rruga. Por nëse kjo përbën një sukses të vazhdueshëm ndaj islamistëve të gatshëm për dhunë, kjo është një çështje tjetër. Emrat dhe personat mund t'i ndryshosh. Por puna qëndron tek ideologjia e Xhihadit, së cilës i janë përkushtuar këta njerëz dhe ajo është si një hidër shumëkokëshe. Kësaj ideologjie në Gjermani duhet t'i kundërvihemi me punë sqaruese, gjë që në shumë vende islamike nuk është bërë."

Autor: dpa/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi