1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjermanofon për Serbinë

29 Shkurt 2012

Serbisë i është dhënë drita jeshile për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Por në këtë rrugë ka shumë gracka, shkruan shtypi gjermanofon.

https://p.dw.com/p/14BsV
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministrat e jashtëm të BE-së rekomanduan që Serbisë t'i jepet drita jeshile për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. "Urime" shkruante me "Twiter" ministri i Jashtëm i Suedisë Carl Bildt. Por vendimi nuk është marrë ende dhe nuk është krejt i sigurt.

Lidhur me këtë gazeta austriake "Die Presse" shkruan:"Deri në momentin e fundit dukej se vendimi do të dështojë, për shkak të Rumanisë dhe kërkesave për garantimin e të drejtave të pakicës rumune në Serbi. Zyrtarisht u tha se shkaku i kundërshtimit të Rumanisë nuk është pritja e kahershme e këtij vendi që të bëhet pjesë e zonës Shengen. Sidoqoftë kundërshtimi i Bukureshtit bëri që Serbisë t'i jepet vetëm një rekomandim. Vendimi do të merret në samitin e BE-së. Debate të shumta ka pasur edhe për studimin e fizibilitetit për Kosovën. Zyrtarët në Bruksel thonë se Spanja, Qipro dhe Rumania kanë qenë kundër këtij studimi me shpjegimin se nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Por më në fund komisioneri për Zgjerimin Stefan Füle doli para gazetarëve me fjalët: "Mirëdita, jo vetëm për Serbinë por edhe për Kosovën! Kjo është një ditë e mirë për procesin e zgjerimit të BE-së."

Ndërsa e përditshmja "Süddeutsche Zeitung", nën titullin "Rezistenca rumune", shkruan: "Ende është e paqartë nëse Serbia me të vërtetë do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Pas kundërshtimit të Rumanisë, ministrat e Jashtëm kanë mundur të bien dakord vetëm për një rekomandim në favor të Serbisë dhe nuk kanë vendosur asgjë. Presidenti i Serbisë Boris Tadiq priti më kot një vendim dhe u detyrua të largohet nga Brukseli vetëm me një rekomandim. Tani Rumania dhe Serbia kanë kohë deri të enjten të zgjidhin problemet mes vete. Në Bruksel është spekuluar me mundësinë që përgjigjen pozitive ndaj Serbisë Rumania ta kushtëzojë me pranimin e saj në zonën Shengen. Por deri tani kjo kërkesë është refuzuar me shpjegimin se Rumania ka ende probleme të mëdha me kriminalitetin e organizuar, korrupsionin dhe kontrollin e kufijëve të jashtëm... Diplomatët thonë se Serbia dhe Rumania duhet të zgjidhin problemet e tyre deri në samitin e BE-së i cili fillon të enjten dhe ku do të shihet nëse presidenti rumun Basescu është i gatshëm për konflikte të reja dhe izolim brenda BE-së, apo do të lëshojë pe".

Autorë: Agjencitë e lajmeve / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti