1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi për politikën ndërkombëtare ndaj Afganistanit

7 Janar 2010
https://p.dw.com/p/LN2g
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Frankfurter Allgemeine Zeitung" për politikën e qeverisë gjermane në lidhje me Afganistanin:

"Që stabilizimi i Afganistanit me gjithë "rrethanat e ngjashme me luftën" në disa pjesë nuk do të arrihet vetëm me mjete ushtarake, është një histori e vjetër. Në NATO kjo pranohet që prej samitit në Riga në vjeshtë të 2006. Por kërkesa që rikthehet vazhdimisht për një "strategji" të re shërben në diskutimin e brendshëm politik shpesh si një pretekst, për të mos folur seriozisht për pjesën ushtarake të angazhimit të bashkësisë ndërkombëtare."

"Berliner Zeitung" veçon :

"Ka edhe tri javë deri në konferencën ndërkombëtare për Afganistanin në Londër. Po si e imagjinon qeveria gjermane kontributin gjerman për Afganistanin? Opinionit i jepen informacione të pakta. Ministri i brendshëm Thomas de Maiziere nuk e konsideron të nevojshme të thotë, nëse dhe sa policë të tjerë gjermanë do të dërgohen në Afganistan për përgatitjen e policisë afgane. Amerikanët ndërkohë planifikojnë të dërgojnë disa qindra trajnues pikërisht në zonën, ku janë të stacionuar gjermanët. Këtë turp qeveria gejrmane ia dedikon vetvetes. Kush e shtyn në prapaskenë politikën për Afganistanin nuk duhet të habitet, nqs amerikanët i marrin vetë gjërat në dorë dhe opinioni gjerman bëhet gjithnjë e më skeptik ndaj këtij misioni."


Autor: Angjelina Verbica/ dpa

Redaktoi: Auron Dodi