1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi i huaj për zgjedhjet në Shqipëri

NZZ/Esat Ahmeti26 Qershor 2013

NZZ: Dy dekada nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta shndërruar Shqipërinë në një demokraci funksionale.

https://p.dw.com/p/18wsH
Fotografi: DW/A. Muka

Zgjedhet në Shqipëri komentohen edhe në shtypin gjermanofon.  Lidhur me këto zgjedhje  në Shqipëri në numrin e saj të sotëm (26.06.) gazeta Neue Zürcher Zeitung ndër të tjera shkruan:

"Kanë kaluar mbi 22 vjet që kur protestuesit e zemëruar në Sheshin Skënderbe në qendër të Tiranës, përmbytën një statujë të madhe të diktatorit Enver Hoxha. Ngjarja është quajtur ndonjëherë si kthesa demokratike,  si fundi i një prej tiranive më të errëta. Që nga rënia e sundimit të tmerrshëm stalinist në Shqipëri padyshim që shumëçka ka ndryshuar për të mirë, dhe një popullsi që ishte e mbyllur hermetikisht për rreth katër dekada nga bota e jashtme dhe ishte terrorizuar në kampet e internimit, me ekzekutime masive dhe hakmarrje ndaj familjarëve, më në fund  arriti të gëzojë të drejtat themelore të njeriut."

Në vazhdim artikulli in NZZ flet për një demokraci të brishtë në Shqipëri:

"Dy dekada nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta shndërruar Shqipërinë në një demokraci funksionale. Përkundrazi, demokratizimi ndodhet ende në fillim të tij. Që nga viti 1992, kur u mbajtën zgjedhet e para shumëpartiake, asnjëra palë humbëse asnjëherë nuk e ka pranuar humbjen dhe nuk e ka gjetur veten në rolin e opozitës...."

Logo: Neue Züricher Zeitung, NZZ
Logo: Neue Züricher Zeitung, NZZ

"Vend ballkanik është i polarizuar politikisht nga dy parti të cilat qëndrojnë të armiqësuara përballë njëra-tjetrës dhe duket se nuk janë të afta për asnjë lloj bashkëpunimi...." shkruan më tej gazeta NZZ. "Midis Berishës (PD) dhe Ramës (PS) sundon një klimë e fyerjes. Të dy duan të jenë fitues dhe politika mbetet në vendnumëro.  Që me bashkëpunim mund të fitojnë të dyja palët dhe sidomos popullsia, kjo nuk ka vend në mendjen e tyre...."

"Programet e dy blloqeve të fuqishme janë pothuajse identike dhe karakterizimi i PD-së si "konservatore e djathtë" dhe i PS-së si "social-demokratike" të fut në qorrsokak", nënvizon gazeta NZZ. "Të dy partitë paraqiten si pro-perëndimore, të orientuara drejt tregut të lirë dhe janë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Shkak i konfrontimit është vetëm gjuetia për "minierat e floririt". Sepse vetëm kështu mund të sigurohet "froni shtetëror", mund të mbahen me tendera në kondicion të mirë kompanitë e lidhura ngushtë me partitë dhe anëtarët e partisë, që kanë pozita qeveritare."