1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kinderpornos: Löschen statt Sperren

3 Dhjetor 2011

Bundestagu vendosi të heqë ligjin për bllokimin e faqeve të internetit me pornografi fëmijësh. Në të ardhmen faqet do të shuhen.

https://p.dw.com/p/13Ly9
Pamje simbolike - ndalim i pornografisë me fëmijë në internet
Fotografi: AP Graphics

Përvoja të mëson: atë që e kishte miratuar me shumicë votash në vitin 2009, parlamenti gjerman e hodhi tani poshtë me shumicë edhe më të madhe. Fundi i të ashtuquajturit "ligj për vështirësimin e aksesit", i jep fund edhe një debati të gjatë dhe kontrovers. Kritika ndaj iniciativës së koalicionit të dikurshëm mes konservatorëve dhe socialdemokratëve, për bllokimin e faqeve të internetit me pornografi fëmijësh, ishte që në fillim e madhe. Ligji është joefektiv, kontraproduktiv dhe një hap drejt censurës së internetit, u ankuan kritikët si klubi "Chaos Computer".

Bllokimet nuk janë efektive

Ligji parashikonte që Zyra Federale e Kriminalistikës të hartonte një listë me faqet me pornografi fëmijësh në internet, që duheshin bllokuar. Këto faqe duhej të bllokoheshin më pas nga ofruesit e shërbimeve të internetit për klientët e tyre. Në rast se do të kërkonte një faqe e tillë, përdoruesi do të shihte në kompjuter vetëm shenjën "stop".

Por relativisht shpejt u bë e qartë se bllokimet ishin jo të vështira për t'u shmangur. Ndërsa përmbajtjet edhe më tej disponibël. "Bllokimet nuk sjellin asgjë", thotë Stephan Urbach, aktivist për internetit dhe anëtar i Partisë së Piratëve.

"Mua më duhen vetëm 5 minuta për të konfiguruar nga e para browser-in, nëse dua të shoh diçka." Tabela "stop" është vetëm një fletë fiku, që nuk ka pasoja reale në përhapjen e pornografisë me fëmijë në internet.

"Shuarja funksionon"

Edhe ministrja e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger flet për një zgjidhje pa efekt. Vetëm shuarja mund t'i largojë faqet në fjalë në mënyrë eficiente nga rrjeti, mendon eksperti i internetit Jimmy Schulz. "Praktika tregon që tani suksese të mëdha dhe pra që kjo është rruga e duhur."

Shuarja është një mjet efektiv kundër pornografisë me fëmijë në internet, thotë edhe Stephan Urbach nga "Partia e Piratëve". Si rregull do të mjaftonte të njoftoheshin për keqpërdorim të shërbimit, ofruesit e shërbimeve të internetit, në server-at e të cilëve janë ruajtur përmbajtje përkatëse. Pjesa më e madhe e tyre, edhe jashtë Gjermanisë, do të reagonin brenda një kohe të shkurtër. "Asnjë ofrues shërbimesh interneti nuk mund t'ia lejojë vetes të konsiderohet si ofrues pornografie me fëmijë", mendon Urbach.

Stephan Urbach nga Partia e Piratëve
Stephan Urbach nga Partia e PiratëveFotografi: Ole Reißmann/cc-by-sa-nc

Këtë e konfirmon edhe Oliver Süme nga shoqata e ofruesve të shërbimeve të internetit "eco": "Ndërkohë ne heqim brenda pak ditësh nga rrjeti përmbajtje të paligjshme." - thotë Süme. Për faqet në Gjermani madje mjaftojnë vetëm pak orë.

Frikë nga autoriteti i censurës

Ligji i rrëzuar tani, pati shkaktuar një stuhi protestash në radhët e përdoruesve të internetit. 130.000 vetë nënshkruan një peticion online, kundër ligjit. Kritikët i druheshin një zgjerimi të autoritetit shtetëror të censurës. Herët ose vonë, mund të bllokoheshin edhe faqe me përmbajtje të padëshëruara, argumentonin kritikët.

Vendimi i qeverisë gjermane kundër bllokimeve në internet, ka ndikuar edhe diskutimin në BE, thotë ministrja gjermane e Drejtësisë Leutheusser-Schnarrenberger. "Rruga gjermane po gjen jehonë edhe në plan evropian", tha ministrja.

Megjithatë, përballë zhvillimit të shpejtë teknik, parlamenti gjerman (Bundestag) do të vazhdojë kontrollet, për t'u siguar që në këtë mënyrë pornografia me fëmijë mund të luftohet vërtet sa duhet. Në një rezolutë Bundestagu kërkon nga qeveria gjermane një raport vjetor për suksesin e masave të marra.

Sipas Stephan Urbach rruga më efektive për zhdukjen e pornografisë me fëmijë, është të luftohen rrënjët e fenomenit: "Problemi nuk është vetëm ekzistenca e fotografive. Ato e kanë burimin diku, ku abuzohen fëmijë". Për këtë arsye duhen marrë masa që të pengohet realizimi i këtij materiali.

Autor: Nils Naumann / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cima