1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumë pritje dhe pak qartësi në prag të takimit Thaçi - Daçiq

Bahri Cani7 Nëntor 2012

Në Bruksel takohen sonte kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Askush nuk flet zyrtarisht për temat që janë në rend dite, por jozyrtarisht dihet se disa çështje do të dominojnë këtë takim.

https://p.dw.com/p/16eAe
Takimi i parë Daçic-Thaçi me Catherine Ashton
Takimi i parë Daçic-Thaçi me Catherine AshtonFotografi: picture-alliance/dpa

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian Chaterine Ashton, thotë në një deklaratë për Deutsche Wellen se është "në interesin e suksesit të bisedimeve që në këtë moment të mos bëhen publike lista e temave që do të hapen në takimin e parë pune në dialogun mes kryeministrave të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq". Por Ashton pret negociata "konstruktive dhe rezultate konkrete drejt normalizimit të raporteve mes këtyre dy vendeve".

Vijat e kuqe

Kryeministrat Thaçi dhe Daçiq së pari do të kenë takime të ndara me baroneshën Ashton, e më pas do të ulen së bashku në një darkë pune. Të dy palët kanë paraqitur edhe vijat e tyre të kuqe. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pohon se çështja e statusit të Kosovës është e përfunduar dhe se për këtë punë nuk mund të ketë kurrfarë negociatash, sepse Kosova ka shpallur pavarësinë, të cilën ndërkohë e kanë njohur më shumë se 90 vende.

Ivica Daçiq në Bruksel
Ivica Daçiq në BrukselFotografi: DW

“Statusi i Kosovës është zgjidhur përgjithmonë me shpalljen e pavarësisë”, është shprehur Thaçi. Ndërsa Ivica Daçiq e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosvës. Të dy palët thonë se do t'u përmbahen kushtetutave të vendeve të tyre, që janë në kundërshtim të plotë, sa i përket statusit të Kosovës. Palët nuk kanë qëndrime të njëjta edhe sa i përket temave që do të trajtohen në takimin e parë.

Pritjet e Kosovës

Kryeministri i Kosovës tha se në takimin e radhës në Bruksel do të insistojë në disa çështje. Në radhë të parë do të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara gjatë dy viteve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë - në veçanti zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM). Pala kosovare do të insistojë poashtu në largimin e strukturave paralele serbe nga veriu i Kosovës. Një çështje tjetër që duhet të zgjidhet, sipas kryeministrit të Kosovës, është edhe zbardhja e fatit të më shumë se 1.800 të pagjeturve në Kosovë. Një temë shumë e përfolur kohët e fundit është edhe mundësia që bashkësia ndërkombëtare të insistojë në arritjen e një marrëveshje për hapjen sa më të shpejtë të zyrave ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd. Kjo ide është për Prishtinën e pranueshme, ndërsa për Beogradin të paktën zyrtarisht, jo.

E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme Catherine Ashton
E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme Catherine AshtonFotografi: Reuters

Pritjet e Beogradit

Beogradi nga ana tjetër pret që në një moment të bisedohet edhe për çështje që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës. Kryeministri Daçiq është angazhuar disa herë hapur për ndarjen e Kosovës. Ideja është kundërshtuar nga institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare, Beogradi në këtë moment "është i gatshëm të bisedojë për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit" (nuk thuhet mes Kosovës dhe Serbisë), por "është e pamundur që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në këtë mënyrë”.

“Ky nuk është kurrfarë takimi spektakular. Është pjesë e asaj për të cilën jemi pajtuar, që të vazhdojmë dialogun, të flasim hapur për çështjet e hapura”, është shprehur Daçiq. Nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane, Chaterine Ashton, bëjnë të ditur se pas takimit nuk do të ketë ndonjë konferencë shtypi, por do të lëshohet një kumtesë me shkrim. Pritet që kryeministrat Thaçi dhe Daçiq t'u drejtohen edhe gazetarëve. Në këtë takim pritet që të arrihet marrëveshje edhe për hapat tjerë në këtë dialog. Pritet që dialogu të vazhdojë edhe në nivel më të ulët, për arritjen e marrëveshjeve të tjera dhe realizimin e tyre.

Qeveria e Kosovës është e interesuar që fundi i këtij procesi të rezultojë me përmirësimin e kushteve të jetesës në Kosovë, normalizimin e raporteve (dhe eventualisht njohjen) mes Kosovës dhe Serbisë, anëtarësimin e plotë të Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe përfundimisht anëtarësimin e saj në OKB. Ndërkohë që analistët në Beograd thonë se qëllimi afatshkurtër i Beogradit është marrja e dritës jeshile, për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.