1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si do të bëhet më tej me Karaxhiçin? Diskutimet për ekstradimin në Hagë

Jërg Pas28 Korrik 2008

Pas arrestimit të Radovan Karaxhiçit në rend të ditës është tani dorëzimi i tij në Hagë. Por avokati i Karaxhicit ka paraqitur një kundërshtim kundër dorëzimit.

https://p.dw.com/p/ElAl
Radovan Karaxhiç
Radovan KaraxhiçFotografi: AP

Tashmë konsiderohet e sigurtë që ditët e Radovan Karaxhiçit në tokën serbe janë të numëruara. Por avokati i tij vazhdon të përpiqet që të fitojë kohë. Brenda afatit, që të premten në darkë ai paraqiti një kundërshtim kundër kërkesës për dorëzimin e Karaxhiçit Tribunalit të Hagës për Krime lufte në Hagë. Vëllai i Karaxhiçit, Luka Karaxhiç i konfirmoi të dielën në mbrëmje radiostacionit B92 se një letër e tillë i ka vajtur gjykatës përkatëse.

Sapo të paraqitet kundërshtimi në Gjykatë, nis një afat prej tri ditësh, brenda të cilit gjykatësit shqyrtojnë procedurën dhe kur ata duhet të marrin vendim për kundërshtimin. Pritet që ata ta bëjnë shpejt këtë. Fjalën e fundit e ka pastaj ministria serbe e punëve të brendshme. Edhe këtu, aprovimi konsiderohet si një çështje formale. Prandaj, kryeprokurori i gjyqit serb kundër kriminelëve të luftës, Vladimir Vukçeviç flet pa merak: "Të gjithë pyesin për afatet. E pse ky nxitim? Kemi pritur 13 vjet. E tani nuk luajnë rol disa ditë më pak apo më shumë."

Në Beograd vazhdojnë spekullimet, nëse në të ardhmen e afërt do të pasojnë edhe arrestimet e të kërkuarve të fundit nga Tribunali i Hagës për kriminelët e luftës në Jugosllavi, të cilët ndodhen në arrati. Kryeministri i Serbisë u shpreh për këtë në takimin e kolegët e tij nga Evropa Juglindore në Salcburg. Nuk është më çështje e dëshirës politike, por vetëm një çështje teknike se kur do të kapen Ratko Mladiç, ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës dhe Goran Haxhiç, ish-udhëheqësi i serbëve të Kroacisë.

Në Beograd ka pasur protesta të tjera kundër arrestimit të Karaxhicit. Organizatorët përpiqen të shmangin përleshjet, por toni mbetet agresiv. Sekretari i përgjithshëm i partisë ultranacionaliste Radikale Serbe, Aleksandar Vuçiç: "Unë pres që të më arrestojnë, thjesht sepse them të vërtetën. Sepse them që në krye të vendit është një bandë hajdutësh, e cila e ka vjedhur Serbinë. Shihini njëherë këta funksionarë. Askush prej tyre nuk ka më pak se 10 milionë Euro në arkë."

Ditët e fundit në zyrën e presidentit Tadiç kanë mbërritur një sërë kërcënimesh për vrasje. Masat e sigurisë për të dhe një sërë ministrash janë shtuar në mënyrë drastike.