1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

070510 Kriegsbewältigung D

10 Maj 2010

5 vjet më parë, më 8 maj 1945 Wehrmacht-i gjerman kapitulloi pa kushte. Me fitoren e aleatëve gjermanët u çliruan nga regjimi nazist. Megjithatë, shumë njerëz në Gjermani e kishin të vështirë ta quanin humbjen çlirim.

https://p.dw.com/p/NKUJ
Dresdeni i shkatërruar në Luftën II Botërore
Dresdeni i shkatërruar në Luftën II BotëroreFotografi: picture-alliance / akg-images

8 maji - ditë çlirimi

Një nga fjalimet më të rëndësishme dhe më të suksesshme me rastin e 8 majit e ka mbajtur ish Presidenti gjerman Richard von Weizsäcker në vitin 1985 - 40 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Weizsäcker, i ati i të cilit i ka shërbyer deri në vitin 1943 regjimit nazist, duke punuar si sekretar shteti në ministrinë e Jashtme, tha në Parlamentin Gjerman se 8 maji nuk është për "ne gjermanët ditë feste". Ai e përshkroi periudhën e pasluftës si kohë "me të kaluar të errët dhe me të ardhme të paqartë". Por, kryetari i shtetit nxorri pastaj në pah rëndësinë shumë të madhe të kësaj date historike: "8 maji ishte ditë çlirimi. Kjo ditë na çliroi ne të gjithëve nga sistemi çnjerëzor i sundimit nacionalsocialist".

Kaq qartë, me kaq siguri nuk ishte folur kurrë nga ndonjë politikan i lartë perëndimor për këtë datë. „Fjalimi i tij theu tabutë“, thotë historiani Jörg Morré për fjalimin e Richard von Weizsäcker-it. Jörg Morré është drejtor i Muzeut ruso- gjerman në Berlin-Karlshorst. Një vend historik me rëndësi krejt të veçantë. Në këtë ndërtesë të ngritur nga nazistët si kazino për oficerët, u bë kapitullimi pa kushte i Wehrmacht-it nga Gjenerali Wilhelm Keitel.

Në kohën e RDGJ-së, sovjetikët hapën në këtë ndërtesë "Muzeumin e kapitullimit pa kushte të Gjermanisë fashiste në luftën e madhe atdhetare“, shkurtimisht Muzeumin e Kapitullimit. Një emër i përshtatshëm, mendon historiani Jörg Morré.

Perceptime të ndryshme të 8 majit

Eksperti i Evropës Lindore, Morré, i cili ka hulumtuar shumë në Moskë tregon për perceptimin e ndryshëm të 8 majit në Gjermaninë e ndarë. Ndërkohë që në Gjermaninë Federale, aleate e aleancës perëndimore zgjati shumë kohë deri sa fundi i luftës u quajt akt çlirimi, në Gjermaninë lindore (RDGJ) kjo u bë që prej fillimit. Vetëdija antifashiste nuk ishte e vështirë për regjimin komunist, për më tepër që ishte aleate e rëndësishme e Bashkimit Sovjetik.

Pas tërheqjes së trupave aleate nga Gjermania e ribashkuar, Muzeumi i Kapitullimit u quajt (më 1995) Muzeumi ruso- gjerman. Ai drejtohet nga një shoqatë, që financohet prej të dyja vendeve. Konmpozim i pashembullt, fitues dhe të mundur kujtojnë së bashku në një vend historik një ngjarje historike, 8 majin e 1945-ës. Ata e bëjnë këtë me një eksponatë të përhershme, që i kushtohet përfundimit të luftës, me diskutime, seri filmash, koncerte, lexime dhe takime shkencore.

Autor: Claudia Hennen/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi