1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si funksionon "smart defence" ?

Bernd Riegert/Angjelina Verbica19 Prill 2012

Mungesa e parave e detyron NATO-s të përpilojë koncepte të reja. Me iniciativën "smart defence" 28 shtetet anëtare do të kursejnë. Jo secili duhet të jetë të gjendje të bëjë gjithçka, vendosën ministrat e Mbrojtjes.

https://p.dw.com/p/14gmD
Fotografi: Reuters

Në vitet e ardhshme shpenzimet e shteteve të NATO-s për mbrojtjen, sipas vlerësimeve të Agjencisë Evropiane të Armatimit, do të bien edhe më tej, në rastin më të mirë do të qëndrojnë në vend. Kriza financiare dhe e borxheve ka mbërritur edhe tek ushtritë. Kjo ishte e qartë për ministrat e mbrojtjes dhe  ministrat e jashtëm në Bruksel gjatë takimit të tyre të pranverës. Ministri i Mbrojtjes i SHBA-së Leon Panetta nuk lodhet së kërkuari nga aleatët evropianë më shumë angazhim. Por vetë SHBA do të kursejnë gjatë dhjetë viteve të ardhshme 490 miliardë dollarë amerikanë. Të hollat e mbetura duhet të shpenzohen në mënyrë inteligjente, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen që e quan këtë "smart defence", e përkthyer "mbrojtje e zgjuar".

Rasmussen tha në Bruksel se nga kursimet hapet një shans për një kulturë më të mirë bashkëpunimi. "Ne duhet të vendosim prioritetet e duhura. Ne duhet të specializohemi dhe të përqëndrohen në atë, që ne bëjmë më mirë dhe për të cilën kemi nevojë më urgjente," tha Rasmusen në rrethin e ministrave të mbrojtjes. Anëtarët e NATO-s, të cilët nuk mund të sigurojnë vetë armë, ose njësi të caktuara, duhet të bashkohen. Shembulli më i mirë është nga pikëpamja e NATO-s kontrolli i përbashkët i hapësirës ajrore mbi shtetet balltike nga anëtarë të tjerë të NATO-s. Që nga viti 2004 hapësira ajrore e Letonisë për shembull sigurohet në mënyrë të alternuar nga aviacioni gjerman dhe ai norvegjez. Shtetet balltike nuk mund të përballojë avionët e nevojshëm interceptorë.

Sigurim i hapësirës ajrore

Avion i NATO-s mbi Libi
Avion i NATO-s mbi LibiFotografi: dapd

"Më duket se këtu është fjala për proporcionalitet ekonomik. Në qoftë se një komb nuk i ka disa aftësi të caktuara, atëherë ka kombe të tjera, që na ndihmojnë. Kjo është e rëndësishme", u shpreh shefi i shtabit të forcave ajrore letone, Jucius Antanas, në faqen internetit të NATO-s. Sekretari i shtetit në Ministrisë së Mbrojtjes së Letonisë, Janis Sarts, llogarit se Letonisë, duke hequr dorë nga avionët interceptorë, do t'i mbeten para për forcat speciale dhe ekspertë për lëndët shpërthyese, të cilët do të dërgohen në Afganistan. "Ne rrisim aftësinë tonë për bashkëpunim dhe në të njëjtën kohë kemi fuqi të lira, që mund t'i dërgojnë për operacionet e NATO-s", tha Janis Sarts në një deklaratë për shtyp të NATO-s. Sigurimin e hapësirës ajrore NATO e kryen edhe mbi Luksemburg, Islandë dhe Slloveni. Bashkëpunime të tilla duhet të zgjerohen në të ardhmen, njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Miliarda për avionë kontrollues pa pilotë

Ekspertët e planifikimit të aleancës ushtarake kanë hartuar një listë me 160 projekte, për të cilat do të jetë i mundur bashkëpunimi me kursim shpenzimesh. 20 deri në 30 projekte të tilla do të vihen në jetë. Shumë kombe e kanë ende të vështirë, që të heqin dorë nga sovraniteti ushtarak dhe nga formacione të caktuara trupash, konstatojnë diplomatët e NATO-s. Gjermania për shembull nuk ka më komandë të vetën për transportin ajror. Ushtria gjermane Bundesveri ia ka kaluar këtë shërbim ushtrisë holandeze në Eindhoven. Tre projektet më të mëdha të "smart defence" në vitet e ardhshme krahas sigurimit së përbashkët të hapësirës ajrore, do të jenë mbrojtja e përbashkët raketore dhe sistemi i zbulimit. Sistemi i zbulimit për kontrollin e lëvizjeve të trupave në territorin e armikut do të kryhet nga avionë pa pilotë me madhësinë e një jumbojet-i. Këta aeroplanë të telekomanduar nga Italia do të shërbejnë për zbulime në mbarë botën. "Me siguri do të zgjasë një brez, derisa të jenë më të vërtetë gati për veprim", tha një diplomat i NATO-s në Bruksel. Asnjë shtet i NATO-s nuk mund të përballojë i vetëm të pesë miliardë eurot, që nevojiten për investime.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, Anders Fogh Rasmussen
Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, Anders Fogh RasmussenFotografi: dapd

SHBA kërkojnë më shumë nga evropianët

Ministri amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta  porositi në Konferencën e Sigurisë në Mynih në fillim të shkurtit se koncepti "smart defence" nuk duhet të ketë justifikim për të reduktuar edhe më tej buxhetet e mbrojtjes. Në takimin e NATO-s në Bruksel Panetta tha se NATO është në rrugën e duhur. Në kushtet e sotme të luftimit evropianët nuk do të ishin në gjendje të veprojnë pa Shtetet e Bashkuara. Ata nuk kanë as raketahedhës dhe as avionë të telekomanduar pa pilotë për të luftuar kryengritësit. Disa shtete të NATO-s, ndër ta edhe Gjermania, duan të mbledhin para për të blerë pesë avionë me telekomandë pa pilot. Ministrat evropianë të Mbrojtjes ranë dakord në mars në kuadër të BE, që të blejnë së bashku avionë për mbushjen me karburantë të avionëve në ajër. Në këtë fushë aleatët evropianë janë të varuar nga SHBA. Meqë SHBA me strategjinë e tyre ushtarake janë përqëndruar më shumë në Azi, evropianët shohin nevojën ta kompensojnë këtë mungesë.

Manovra dhe përgatitje të përbashkëta

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière, (majtas). Kursim përmes bashkëpunimit.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière, (majtas). Kursim përmes bashkëpunimit.Fotografi: picture-alliance/dpa

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen njoftoi se trupat e NATO-s në të ardhmen duhet të jenë të ndërlidhura më mirë në manovra dhe përgatitje. Aftësia për të punuar së bashku, duhet të zgjerohet. Përvojat nga operacionet e përbashkëta në Afganistan duhet të çojnë në përmirësimin e përgatitjes. Kur u zhvillua misioni kundër Libisë një vit më parë, ushtarët e NATO-s konstatuan se municioni francez nuk mund të hidhej nga avionët danezë. Defekte të tilla duhet të pushojnë së ekzistuari, thuhet në konceptin e NATO-s për ndërlidhjen më të mirë të trupave. Gjithashtu duhet të diskutohet për buxhetet e mbrojtjes të 28 shteteve anëtare, përpara se ato do të miratohen nga parlamentet kombëtare.

Fillim i ri në Chicago

Në samitin e NATO-s në Çikago më 20 dhe 21 maj NATO duhet të përgatitet, tha Rasmussen, jo vetëm për "sot, por për vitin 2020 dhe më tej." Disa diplomatë të NATO-s me përvojë pohuan se iniciativa "smart defence", e cila do të zyrtarizohet në Çikago, përmban edhe plane të vjetra. Sipas tyre, vera e vjetër shitet në qypa të rinj.

Kursimet më të mëdha SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s i presin nga tërheqja nga Afganistani. Pas vitit 2014 çdo vit do të paguhen rreth 4.1 miliardë dollarë amerikanë për forcat e armatosura afgane, por kjo është vetëm një pjesë shumë e vogël të shumës, që shpenzojnë sot 49 shtetet për trupat e tyre në Hindukush. "Unë mendoj se është shumë e thjeshtë për të treguar se është ide e mirë të financosh trupat afgane. Eshtë më e lirë për të paguar trupat afgane, se sa të stacionosh trupa të huaja në Afganistan", tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmusen në Bruksel.