1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si jetojnë sot serbët në Kosovë?

16 Shkurt 2010

Kur shtroni pyetjen si jetojnë sot serbët në Kosovë, prej vetë serbëve dëgjon përgjigje të ndryshme. Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës nuk janë të kënaqur me asgjë, ndërsa në jug dëgjohen mendime më pozitive

https://p.dw.com/p/M36A
Dy serbë në fshatin Koretiste, Gjilan.
Dy serbë në fshatin Koretiste, Gjilan.Fotografi: Mir Ajete Beqiraj

Përfaqësuesja e serbëve të Kosovës qendrore Rada Trajkoviq, thotë për Deutsche Wellen se kohët e fundit është shënuar çtendosje e dukshme, sa i përket lirisë së lëvizjes së serbëve. Trajkoviq pohon se ende nuk ekziston e drejta e plotë, për punë dhe e drejta e pronës. Por gjatë procesit të decentralizimit janë krijuar edhe komuna të reja serbe. "Kjo na jep të drejtën të besojmë, se një pjesë e përgjegjësisë për mbetjen e serbëve këtu kalon tek liderët e vetë serbëve të Kosovës".

Përfaqësuesja e serbëve të Kosovës qendrore Rada Trajkoviq.
Përfaqësuesja e serbëve të Kosovës qendrore, Rada Trajkoviq.Fotografi: DW

Në anën tjetër, Marko Jakshiq, nënkryetar i Kuvendit të komunave serbe, pohon se pozita e serbëve në Kosovë është dyfish më e keqe se para dy vitesh. "Këtë gjendje të keqe dëshmojnë mungesa e perspektivës, lirisë së lëvizjes dhe mungesa e të gjitha gjërave që karakterizojnë jetën e serbëve. E të mos harrojmë faktin se pavarësia e Kosovës është krijuar mbi bazat e bombardimit të shtetit serb".

Pavarësia e Kosovës nuk shkaktoi shpërnguljen e serbëve

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës janë të mendimit të kundërt. Ilir Deda, drejtor i Institutit për hulumtime politike dhe zhvillimore, shpjegon se pavarësia e Kosovës nuk shkaktoi shpërnguljen masive të serbëve. Ndërkohë që është përmirësuar gjendja e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes së serbëve. Ai pohon, se ekziston edhe bashkëpunimi i institucioneve të Kosovës me përfaqësuesit e serbëve në veri të vendit.

Strpce
StrpceFotografi: DW

Nga buxheti i Kosovës për këtë pjesë në vit ndahen rreth shtatë milionë euro. Paguhen edhe rrogat për 500 anëtarë të administratave komunale në këtë pjesë të vendit. Deda pohon se dështimi i strategjisë së qeverisë kosovare për integrimin e pjesës veriore, do të hapte debatet për ndarjen e vendit.

Të gjithë duhet t'i kthehen Bashkimit Evropian

Rada Trajkoviq është kundër ndarjeve të reja në Ballkan, me shpjegimin se të gjithë duhet t'i kthehemi Bashkimit Evropian. "Më i domosdoshmi këtu është normalizimi i raporteve. Sipas historisë që unë kam mësuar, Ballkani gjithmonë ka qenë multietnik. Prandaj nuk e kuptoj se pse kemi nevojë për argumentimet që e përjashtojnë integrimin në një shkallë të caktuar të veriut të Kosovës në Kosovë," thekson Trajkoviq.

Gjatë procesit të decentralizimit janë krijuar edhe komuna të reja serbe.
Gjatë procesit të decentralizimit janë krijuar edhe komuna të reja serbe.Fotografi: dpa

Në anën tjetër Marko Jakshiq, pohon se institucionet e Serbisë në veri nuk janë paralele. Ai pohon se serbët kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Rada Trajkoviq përgjigjet se gjenerata e tanishme nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të pranojë edhe shansin që të jetojë dhe mbijetojë në Kosovë.

Autor : Zylfije Jakupi

Redaktoi : Aida Cama