1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si lindi ideja e Bashkimit Europian? 9 maji dita e Europës

9 Maj 2016

Mё 9 maj BE-ja nderon ish-ministrin e Jashtёm francez Robert Schuman, qё mё 9 maj 1950 formuloi idenё e BE. Qё nga viti 1985 kryetarёt e shteteve dhe tё qeverive vendosёn ta kremtojnё 9 majin si ditёn e Europёs.

https://p.dw.com/p/1Ijwc
Belgien, Gebäude der EU-Kommision in Brüssel
Fotografi: picture-alliance/dpa/I. Kjer

Më 23. korrik 1952 hyri në fuqi në Evropë Montanunioni. Komuniteti Evropian për qymyrin dhe çelikun ishte bërthama e Komunitetit Ekonomik Evropian, që u krijua në vitin 1957 me traktatet e Romës. Nga Komuniteti Ekonomik Evropian u krijua në fillim të viteve 1990-të Bashkimi Evropian. Montanunion, në të cilin bënin pjesë Franca, Italia, Gjermania, Belgjika dhe Hollanda e Luksemburgu, u propozua nga ministri i atëhershëm i Jashtëm francez Robert Schuman.

Schumann dhe Adenauer hedhin themelet e BE-së

Pesë vjet kishin kaluar që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe RFGJ-ja nuk kishte festuar as njëvjetorin e saj, kur ministri i Jashtëm francez Robert Schuman propozoi administrimin e përbashkët të prodhimit të qymyrit dhe të çelikut. Plani Schuman ishte një revolucion: Një zyrë mbinacionale do të ngarkohej me kompetenca vendimmarrëse. Marrëdhëniet gjermano-franceze ishin të ngarkuara me mosbesim: A do të binte Gjermania përsëri si pas Luftës së Parë Botërore në megallomani nacionaliste dhe do të kërcënonte fqinjët e saj? Apo horrori i luftës dhe i vrasjeve do t'u jepte dorë forcave demokratike dhe paqedashëse dhe ato do të mundësonin pajtimin? "Evropa duhet të pushojë së qeni një vend betejash, ku palët armike mbyten në gjak. Nga ky vetëdijësim i paguar kaq shtrenjtë, ne duam të ecim në rrugë të reja, që na çojnë në një Evropë të bashkuar dhe në paqe."

Kështu u shpreh Robert Schuman, një nga pionierët e pajtimit, i cili kishte atdhe Gjermaninë, Luxemburgun dhe Francën dhe kishte përjetuar të dyja luftërat botërore. Schumann kishte lindur në perandorinë gjermane me gjuhë amtare atë të Luksemburgut. Ai jetoi, studioi dhe punoi në Luxemburg, Bon, Mynih, Berlin, Strasburg dhe Metz.

Robert Schuman ehemaliger Außenminister Frankreich
Robert Schuman, ish-ministri i Jashtёm francezFotografi: AP

Kur Alsazas-Lorena pas Luftës së Parë Botërore 1919 nga Gjermania i kaloi Francës, Schuman mori nënshtetësinë franceze. Në Francë ai filloi karrierën politike. Megjithëse ai gjatë gjithë jetës e foli frëngjishten me theks, pak pas Luftës së Dytë Botërore ai u bë kryeministër i Francës dhe më vonë ministër i jashtëm. Si i tillë ai ndërmori një iniciativë, që e ka ndryshuar Evropën deri sot e kësaj dite. "Qeveria franceze propozon që të vendosë prodhimin gjerman dhe francez të qymyrit dhe të çelikut nën një administrim të përbashkët."

Me propozimin për një Montanunion me qarkullimin pa doganë të mallrave ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, që duhej të ishte e hapur edhe për vende të tjera, Schuman donte të ankoronte bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe lidhje të forta ndërmjet dy vendeve, dikur të armiqësuara. Te kancelari Konrad Adenauer ai gjeti një partner në anën gjermane, i cili ndiqte të njëjtat qëllime. "Hekuri dhe çeliku kanë luajtur një rol fatal në dekadat dhe shekujt e fundit në luftërat e popujve evropianë kundër njëri-tjetrit, sepse të gjitha armët ishin prej hekuri dhe çeliku. Tani hekuri dhe çeliku duhet t'i bashkojnë popujt evropianë në një terren të përbashkët të veprimit dhe mendimit."

Unterzeichnung Montanunion 1951
Nënshkrimi i Marrëveshjes "Montanunion" më 18.04.1951 në Ministrinë e Jashtme në ParisFotografi: picture-alliance / AKG

"Schuman vizionar i madh evropian"

Plani Schuman, themelimi i mëvonshëm i Montanunion-it konsiderohen sot si momenti i lindjes së Komunitetit Evropian, sepse në deklaratën e tij ministri i Jashtëm francez parashikonte integrimin e mëvonshëm të shteteve të tjera anëtare. Bindja e tij ishte, që Montanunioni do të çonte në një Union më të madh dhe më të fortë: "Ky propozim vë për herë të parë në jetë një federatë evropiane, e cila është thelbësore për sigurimin e paqes."

Megjithatë në fillim të viteve 50-të nuk ishte pjekur ende koha për zgjerimin e planeve të Schuman-it. Dy vjet më vonë ai dha dorëheqjen nga funksioni i ministrit të Jashtëm, sepse nuk ishte në gjendje të realizonte idenë e Bashkësisë Evropiane. U deshën edhe shtatë vjet, derisa shtetet evropiane qenë të gatshme, që të angazhoheshin për lidhje më të ngushta me anë të marrëveshjes së Romës. Por përpjekjet e Schuman-it u shpërblyen: Ai u bë presidenti i parë i Parlamentit Evropian.

Adenauer pati thënë më vonë, se Schuman që në vitin 1950 kishte qenë një vizionar i madh evropian: "Ai pa më tej, nga sa shihja unë, kur propozoi Montanunion. Mos mendoni se ai e ka propozuar Montanunion për arsye ekonomike! Ajo ishte një çështje e rëndësishme politike."

Dhe ishte fillimi i një bashkimi që thellohej, që sot përfshin 27 shtete me rreth një miliardë qytetarë. Montanunion nuk ekziston më. Marrëveshja fillestare e vitit 1952 skadoi pas 50 vjetësh. Rregullat e Montanunion-it vazhduan në vitin 2002 në marrëveshjet e reja të BE-së.