1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Raporti progresit sinjal inkurajues!"

Eliana Xhani17 Tetor 2013

Deputeti socialdemokrat Rolf Mützenich në bisedë me DW e vlerëson sinjal inkurajues raportin e progresit dhe sheh shanse të mira për Shqiprinë për marrjen e statusit kandidat.

https://p.dw.com/p/1A1fC
Dr. Rolf MützenichFotografi: privat

DW: Z. Mützenich, Komisioni i BE-së rekomandoi në raportin e fundit të progresit, që Shqipërisë t'i jepet statusi i vendit kandidat. Për herë të parë ky rekomandim nuk është i shoqëruar me kushte. Si e vlerësoni këtë vendim?

Rolf Mützenich: Ky është një sinjal inkurajues për Shqipërinë, qeverinë shqiptare dhe në përgjithësi institucionet e tjera përgjegjëse për të çuar përpara një proces reformash, i cili është vlerësuar në raportin e progresit të BE-së sipas kritereve të veçanta. Për këtë arsye mendoj se kemi të bëjmë me një sinjal të rëndësishëm për Shqipërinë për të mos reduktuar përpjekjet në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

DW: Cilat janë sipas jush arritjet më të rëndësishme, që duhet të prezantojë Shqipëria deri në dhjetor, kur Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të vendosë, nëse e pranon rekomandimin e Komisionit?

Rolf Mützenich: Besoj se është veçanërisht e rëndësishme që të punohet në drejtim të luftimit të korrupsionit, por edhe të shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Dhe kur flasim për të drejtat e njeriut nuk kemi parasysh vetëm të drejtat ligjore, por edhe garantimin e standardeve minimale sociale. Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm është edhe respektimi i mendimit ndryshe dhe përfshirja e opozitës.

DW: Siç e theksuat Ju, lufta pa kompromis kundër korrupsionit është një nga kërkesat më të rëndësishme të BE-së për vendet, që duan një perspektivë evropiane. Kjo deri tani në Shqipëri nuk ka funksionuar si duhet. Çfarë i rekomandoni qeverisë së re shqiptare? Çfarë duhet bërë më mirë?

Rolf Mützenich: Unë nuk mund të jap rekomandime direkte, por në procesin e dialogut ne mund të japim impulse. Në këtë kuadër e rëndësishme është veçanërisht një qeveri e mirë dhe një mirëqeverisje, forcimi i atyre institucioneve që janë ende më vulnerabël ndaj korrupsionit, si dhe rritja e transparencës. Kjo do të thotë që edhe shtypit, medieve në përgjithësi, t'u krijiohen hapësirat e nevojshme për të raportuar për raste korrupsioni. Kjo transparencë nga njëra anë kontribuon në mënyrë të qenësishme në luftimin e korrupsionit dhe nga ana tjetër në vendosjen e standardeve minimale sociale në Shqipëri.

DW: Në raportin e progresit nga vendet e Ballkanit, që aspirojnë anëtarësimin, kërkohen jo vetëm përpjekje për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, por edhe krijimin e një ekonomie funksionuese tregu. Në këtë kontekst prej këtyre vendeve kërkohet të ndërmerren reforma strukturore. Për këtë janë të nevojshme edhe investime nga ana e shtetit, ndërkohë që Shqipëria ndodhet në një situatë të vështirë financiare. Qeveria e re ka deklaruar se arkat e shtetit janë pothuajse bosh. A mund ta ndihmojë BE financiarisht Shqipërinë dhe si?

Rolf Mützenich: Kjo mund të vendoset vetëm rast për rast dhe janë të nevojshme edhe informacione të tjera. Por e rëndësishme është, që kur flitet për ekonomi tregu, të respektohen jo vetëm rregullat e njohura të deregulimit, por në veçanti të forcohet ekonomia sociale e tregut. Kjo sigurisht është një çështje e polemizuar brenda Bashkimit Evropian dhe partive, por unë nga leximi i raportit të progresit kam kuptuar që vendosja dhe respektimi i standardeve minimale sociale duhen të kontribuojnë ndër të tjera për një qeverisje më të drejtë. Dhe aty, ku BE mund të ndihmojë, duke përfshirë dhënien e kësaj ndihme edhe institucione të tjera, sigurisht që do ta bëjmë.

DW: A është e mundur një ndihmë financiare si në rastin e Greqisë?

Rolf Mützenich: Mendoj se këtu duhet të bëjmë një dallim: nga njëra anë kemi të bëjmë me një krizë financiare brenda eurozonës, ku është e mundur ndihmë direkte nga institucione të veçanta. Shqipëria nuk është anëtare dhe për këtë arsye e bëj këtë dallim. Por unë besoj megjithatë se duhet shqyrtuar mundësia e ndihmave strukturore, që BE mund t'u ofrojë vendeve jo-anëtare.

DW: Qendrimi i Gjermanisë lidhur me zgjerimin në përgjithësi dhe përpjekjet për reforma në vendet e Ballkanit në veçanti perceptohet në këto vende si refuzues. Çfarë qendrimi do të mbajë Gjermania lidhur më propozimin e Komisionit? Do ta përkrahë, apo refuzojë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë?

Rolf Mützenich: Është e vërtetë se qeveria e deritanishme gjermane ka pasur një qendrim shumë të rezervuar qoftë sa i takon statusit të kandidatit për vende të veçanta, qoftë për perspektivën e anëtarësimit. P.sh. në këtë raport progresi një temë është Turqia, ndaj së cilës qeveria e deritanishme ka qenë gjithnjë shumë e rezervuar. Ne socialdemokratët e kemi mbështetur gjithnjë perspektivën e anëtarësimit si për vendet e Ballkanit ashtu edhe për Turqinë. Ne mendojmë se këto janë hapa inkurajues për reforma të mëtejshme dhe pikërisht ky është pozicioni, që ka marrë BE-ja në raportin e fundit të progresit.

Dr. Rolf Mützenich është deputet në Bundestag dhe zëdhënës për çështje të politikës së jashtme, i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD).