1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siria në rrugë pa krye

Anne Allmeling/Auron Dodi24 Dhjetor 2012

Që prej gati dy vjetësh luftojnë pjesë të popullit sirian kundër regjimit. Shumë njerëz janë ndodhur midis fronteve. Gjendja në vend mbetet e paqartë, por bëhet gjithnjë e më dramatike.

https://p.dw.com/p/178Ei
Kamp refugjatësh në kufi me Sirinë
Kamp refugjatësh në kufi me SirinëFotografi: picture alliance / dpa

Një çadër e përmbytur, një dyshek i lagur dhe asnjë mundësi për t'u ngrohur - në kampet provizore të refugjatëve në zonën kufitare midis Turqisë dhe Sirisë ka ardhur dimri. Natën ndihet një i ftohtë i hidhur, nuk ka mjaftueshëm batanije - por shumë sirianë që janë strehuar këtu kanë përjetuar gjëra shumë më të tmerrshme. Ata ndodhen në arrati nga luftimet në vendin e tyre, nga luftimet midis trupave qeveritare dhe kryengritësve, të cilat janë përhapur gjithnjë e më shumë.

Miliona vetë në arrati

Përditë mijëra sirianë marrin arratinë në Turqinë fqinjë, por edhe në Irak, në Liban dhe në Jordani. Fundi i luftës civile nuk duket. Sipas Kombeve të Bashkuara, grupet e ndryshme opozitare kryengritëse në Siri vërtet që po bëhen gjithnjë e më të forta. Por një goditje vendimtare regjimit ato nuk kanë arritur t'ia japin. Trupat e presidentit të vendit, Bashar al Assad veprojnë në mënyrë të dhunshme kundër demonstruesve - pa u kujdesur që të ruajnë popullatën civile. Se cila nga palët ka përparësi është e paqartë. Një gjë është e sigurtë: gjendja në vend mbetet e paqartë.

Kjo ka të bëjë edhe me faktin se qeveria, por edhe pjesë të opozitës kanë pak interes për një raportim të pavarur. Cengiz Günay flet madje për një "luftë propagandistike". Gjithnjë e më shumë flitet për një "regjim alavit", konstaton eksperti për Lindjen e Mesme në Institutin Austriak për Politikën Ndërkombëtare. "Kjo në një kohë kur kufijtë në shoqërinë siriane nuk hiqen kaq lehtë." Për shkak të kanalizimit të konfliktit sipas feve, shumë alavitë nuk shohin rrugë tjetër, veç që të mbështesin regjimin e Assadit.

Kryengritës sirianë
Kryengritës sirianëFotografi: Rob van Delft

Minoritetet midis fronteve

Ashtu si alavitët, shumë grupe të popullatës e shohin veten midis fronteve. Minoritetet fetare në Siri vuajnën nën sulmet e shtuara të myslimanëve radikalë. Prandaj, shumë prej atyre që u përkasin një minoriteti nuk mbështesin opozitën, por mbështesin edhe më tej regjimin. Mbështetje Bashar al Assadit vazhdojnë t'i japin edhe ushtria dhe aparati i tij i pushtetit, në pjesën më të madhe funksionues. Jo i qartë është nga ana tjetër qëndrimi i popullatës kurde në vend. Ajo kontrollon ndërkohë verilindjen e vendit, por është e mundur që bashkëpunon me presidentin sirian. Asadi përfiton jo vetëm nga mbështetja e ithtarëve të tij, por edhe nga fakti që opozita siriane është krejtësisht e përçarë. Vëllazëria myslimane për shembull ka qenë gjithmonë në opozitë me regjimin, por ndërkohë konkuron me salafistët, edhe më radikalë. Grupe laike, të majta dhe nacionaliste ka kohë që janë kundër regjimit sirian, por kanë interesa krejt të tjera nga islamistët. Pjesë e opozitës siriane janë edhe ushtarët që kanë kaluar në anën tjetër muajt e fundit dhe janë bërë pjesë e Ushtrisë së Lirë Siriane. Këtyre u shtohet edhe një numër i madh sirianësh, që jetojnë prej vitesh në emigracion. Të gjithë këta duan përmbysjen e regjimit, por kanë objektiva të ndryshme për më vonë.

Ndërhyrje e fuqive rajonale

"Kompleksiteti i konfliktit sirian konsiston edhe në faktin, që në të përzihen shumë aktorë të jashtëm", thotë Cengiz Günay. "Milicët islamistë, për shembull, mbështeten nga kapitali konservator nga shtetet e Gjirit." Mbështetje për regjimin vjen nga ana tjetër para së gjithash prej Rusisë, nga Irani dhe nga hizbollatë libanezë - edhe nëse ndërkohë është forcuar përshtypja se aleatët po përgatiten për një fund të mundshëm të regjimit të Assadit. Por sa do të zgjasë konflikti dhe çfarë do të pasojë, kjo është krejtësisht e paqartë. Ajo që është e sigurtë është që gjendja vazhdon të acarohet - para së gjithash për popullin.