1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siria refuzon hetimet nga OKB-ja për armët kimike

9 Prill 2013

Autoritetet siriane kanë bërë të ditur se nuk pranojnë që ekipi i Kombeve të Bashkuara të hetojë nëse armët kimike janë përdorur ose jo në këtë vend.

https://p.dw.com/p/18CFE
Fotografi: Reuters

Qeveria siriane ka kundërshtuar hyrjen e një grupi inspektorësh të Kombeve të Bashkuara, specialistë të armëve kimike në Siri. Arsyeja është-siç thuhet- "detyrat shtesë" që sekretari i përgjithshëm i OKB-s, Ban Ki Mun i ka dhënë ekipit dhe që qartë shkelin sovranitetin e Sirisë, njofton agjencia e lajmeve siriane, Sana. Siria kishte kërkuar fillimisht vetë inspektorë të Kombeve të Bashkuara, por Bani kishte kërkuar më pas lirinë e plotë të lëvizjes së tyre në të gjithë pjesët e vendit, thuhet nga burimet e Damaskut. Reagimi i Damaskut erdhi pasi ekipi për hetimin e armëve kimike u mblodh në Qipro.

Ministria e jashtme i Sirisë kishte deklaruar se qeveria është e gatshme të lejojë inspektorët vetëm në fshatin Khan el-Assal, pranë Aleppo-s, ku rebelët dyshohet se kanë përdorur armë kimike muajin e kaluar. Por Ban tha të hënën se ekipi hetues është i gatshëm për të shkuar në Siri brenda 24 orëve, duke kërkuar që ai të lejohet për të hetuar raportet e sulmeve kimike në të gjithë vendin. Në kuadër të luftës civile që po zhvillohet aty, udhëheqja e shtetit dhe kryengritësit akuzojnë njëri-tjetrin për përdorim të armëve kimike. Mbi 70 mijë njerëz kanë humbur jetën në më shumë se dy vjet luftime në vendin që udhëhiqet nga regjimi i Baschar al Assad-it.

Autor: Mimoza Cika-Kelmendi (dw, dpa, afp)

Redaktoi: Auron Dodi