1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Situata e sigurisë në Maqedoni

18 Maj 2010

Aksionet e policise duhet të jenë transparente, sepse mund të keqpërdoren nga grupe të caktuara, thonë analistët. Situatës së tendosur të sigurisë i ka kontribuar edhe mungesa e dialogut politik, thotë përfaqësuesi i BE

https://p.dw.com/p/NQjy
Fotografi: Petar Stojanovski

Politikbërësit në Maqedoni duhet të jenë vigjilentë në ruajtjen e sigurisë, sepse përkeqësimi i situatës së sigurisë reflektohet në marrëdhëniet e brishta midis dy etniteteve më të mëdha në vend, maqedonasve dhe shqiptarëve. Aksionet e policise duhet të jenë transparente, sepse mund të keqpërdoren nga grupe të caktuara në vend, thonë analistë politikë. Situatës së tendosur të sigurisë në vend i ka kontribuar edhe mungesa e dialogut politik, thotë përfaqësuesi i BE-së në Maqedoni Ervan Fuere.

Pas aksioneve të njëpasnjëshme të policisë maqedonase në disa vendbanime shqiptare, gjendja e sigurisë në vend është vlerësuar si tejet e brishtë. Sipas analistëve vendas përkeqësimi i situatës së sigurisë në Maqedoni në mënyrë të drejtëpërdrejtë reflektohet edhe në tensionimin e marrrëdhënieve ndëretnike në vend.

Ervan Fuere
Ervan Fuere, përfaqësuesi i BE në MaqedoniFotografi: DW

Maliqi: Intervenimet policore shtojnë pasigurinë e qytetarëve

Analisti politik Nazmi Maliqi vlerëson se intervenimet policore, që rezultojnë me persona të vrarë, siç ishte rasti në Radush, shtojnë edhe më shume pasigurinë e qytetarëve në rajonet, ku intervenon policia.

“Duhet të gjinden modalitete tjera, që mund ta zgjidhin problemin, janë gjyqet, ato duhet të respektohen dhe vrasjet duhet të jenë akte të fundit,” -thotë Maliqi.

Pivovarov: Siguria e vendit duhet të jetë agjenda prioritare e policisë.

Profesori universitar Vlladimir Pivovarov është i mendimit se aksionet, që ndërmeren, duhet të jenë transparente dhe qytetarët duhet ta kenë të qartë se për çfarë grupesh të armatosura bëhet fjalë, a janë ata terroriste, apo grupe kriminelësh.

“Nëse bëhet fjalë për grupe terroriste, atëherë situata është e rrezikshme për shtetin, sepse këto grupe kërkojnë mbështetjen e popullatës vendase dhe në këso rastesh situata e sigurisë mund të dalë jashtë kontrolli”, thotë Pivovarov.

Qytetarët në përgjithsi thonë se nuk ndjehen aq të sigurtë pas incidenteve të fundit të armatosura, që ndodhin në vend.

“Nuk jemi fare të sigurtë, për çdo ditë ka incidente, nuk dimë se çka mund të na ndodhë, kur dalim nga shtëpia."

“Asnjëherë nuk e kam ndjerë veten të pasigurtë si tani, fajtorë për këtë gjendje janë liderët tanë politikë."

Mazedonischer Präsident Gorge Ivanov und US Vize-Außemninister James Steinberg
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov.Fotografi: Macedonian Information Agency

“Ka incidente, ato po ndodhin rreth nesh, në Ballkan mund të ndodhin këso incidentesh.“- thonë qytetarët e anketuar.

Presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov në një takim joformal me liderë të partive politike ka shqyrtuar situatën e sigurisë në vend, sipas tij situata është nën kontroll. Por lideri i opozitës maqedonase, Branko Crvenkovski, ka vlerësim të kundërt.

“Maqedonia është vend, i cili po ballafaqohet me probleme serioze, kemi marrëdhënie të përkeqësuara ndëretnike, ndërsa kohëve të fundit edhe gjendja e sigurisë nuk është e mirë.”- thotë Cërvenkovski.

Mazedonischer Präsident Branko Crvenkovski
Lideri i opozitës maqedonase, Branko CrvenkovskiFotografi: Macedonian Information Agency

Fuere: Mungesa e dialogut politik favorizon situatën e tendosur të sigurisë

Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Ervan Fuere, thotë se së shpejti duhet të zgjidhet kontesti rreth emrit dhe çështjet tjera, që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike, pasi zvarritja e tyre mund të ketë pasoja për aspektet e sigurisë dhe rritjen e mosbesimit mes bashkësive etnike.

“Nëse shtyhet zgjidhja e çështjes së emrit dhe nuk realizohen reformat, që janë të rendësishme për të ardhmen e vendit, kjo gjithsesi se do të ketë ndikime negatve. Përderisa ka klimë të pasigurisë për atë se ku po shkon vendi, atëherë sigurisht se kjo do të reflektohet negativisht edhe në raportet ndëretnike.”- shpreh mendimin Ervan Fuere. Gjithnjë sipas tij, situatës së tensionuar në vend i ka kontribuar edhe mungesa e dialogut politik. Partitë duhet të lënë anash grindjet dhe mbi interesat partiake të vendosin interesat shtetërore, thotë Fuere.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica