1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina planifikon veprime ushtarake kundër separatistëve

A Verbica (dpa, afp, rtr)14 Prill 2014

Separatistët prorusë në Ukrainën lindore e kanë lënë me sa duket të skadojë ultimatumin e udhëheqjes në Kiev. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së SHBA bëri përsëri përgjegjëse Rusinë për trazirat e fundit.

https://p.dw.com/p/1BhSW
Fotografi: Reuters

Në lindje të Ukrainës nuk ka shenja për ndryshim të qëndrimit të separatistëve prorusë. Pas skadimit të afatit të ultimatumit të caktuar nga qeveria në Kiev në orën 8:00 nuk ka dëshmi të besueshme, që aktivistët të kenë braktisur siç kërkohej ndërtesat e administratës dhe të kenë dorëzuar armët, njoftojnë korrespondentët. Presidenti i përkohshëm Alexander Turçinov kishte kërcënuar me një "operacion anti-terror në shkallë të gjerë" me pjesëmarrjen e forcave të armatosura, për t'i dhënë fund trazirave. Por ai e kishte lënë të hapur, nëse ky do të ishte hapi tjetër dhe kur do të ndërmerrej ai.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së SHBA akuzoi Rusinë se është përgjegjëse për luftimet e përgjakshme në Ukrainën lindore. Destabilizimi i rajonit është "shkaktuar në mënyrë krejtësisht artificiale", tha ambasadorja e SHBA-së Samantha Power në mbledhjen e veçantë të forumit në Nju Jork, të mbajtur me kërkesën e Moskës. Ajo tha se skenari në Ukrainë është "i shpikur dhe i projektuar nga Rusia."

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power
Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha PowerFotografi: Don Emmert/AFP/Getty Images

Ambasadori rus Vitali Çurkin i kundërshtoi akuzat. Trazirat vijnë nga vetë Ukraina, tha ai. Ai i bëri thirrje qeverisë në Kiev, që të mos ndërhyjë me ushtri kundër separatistëve në lindje të vendit, ashtu siç ka kërcënuar. "Brenda vetëm disa orëve gjërat mund të marrin një kthesë të keqe", tha ai. Në debatin e nxehtë në Këshillin e Sigurimit asnjë nga të 14 anëtarët e tjerë nuk deshi të vihej në anën e Rusisë.

Presidenti i përkohshëm ukrainas Turçinov akuzoi në një fjalim televiziv Rusinë se bën luftë kundër vendit të tij, duke shkaktuar përsëri kaos në lindje të ish republikës sovjetike. Me ultimatumin ai bëri në të njëjtën kohë ofertën, që ekstremistëve të mos u kërkohet llogari, në qoftë se ata do t'i dorëzonin armët deri të hënën në mëngjes.

Të dielën në mëngjes qeveria në Kiev nisi një operacion të forcave speciale në Slovjansk për të vënë situatën nën kontroll. Aty dhe në qytete të tjera në lindje të Ukrainës separatistët pro-rusë kishin pushtuar disa ndërtesa administrative. Në luftimet e zhvilluara pati të vrarë dhe të plagosur në të dyja palët.

Sulmet e koordinuara të milicëve të maskuar dhe të armatosur zgjuan kujtimet e veprimeve të njësive, që morën nën kontroll Krimenë në mars, para se Rusia të aneksonte gadishullin ukrainas me një referendum të kontestueshëm. Qeveria e Ukrainës foli për "akte provokuese të forcave speciale ruse".

Operacion i forcave speciale ukrainase në Slovjansk
Operacion i forcave speciale ukrainase në SlovjanskFotografi: Genya Savilov/AFP/Getty Images

Steinmeier dëshiron të parandalojë më të keqen

Të enjten e ardhshme SHBA, Rusia, Ukraina dhe Bashkimi Evropian duan të diskutojnë për herë të parë në Gjenevë direkt me njëri-tjetrin. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i bëri i apel Moskës të mos lejojë që takimi të dështojë.

Situata është "aq e tensionuar, saqë ata, që mbajnë përgjegjësi në lindje dhe perëndim, tani duhet të takohen për të parandaluar më të keqen", tha Steinmeier në televizionin gjerman. Qëllimi është "deeskalimi" i situatës.

Për shkak të tensioneve në Ukrainën lindore prej ditësh është rritur frika nga një invazion rus. Moska kishte paralajmëruar Kievin që të mos i shtypë me dhunë protestat e aktivistëve prorusë. Sipas të dhënave të NATO-s Rusia ka vendosur 40.000 ushtarë në afërsi të kufirit rus me Ukrainën lindore. Moska e mohon këtë.