1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skandal në Davos: Erdogan e quan luftën në Rripin e Gazës "vrasje"

Manfred Götzke30 Janar 2009

Edhe në Davos diskutohet për Lindjen e Mesme. Ndërsa Presidenti izraelit mbron me fjalë të zjarrta luftën në Rripin e Gazës, kryeministri turk e quan ndërhyrjen izralite vrasje të palestinezëve e largohet nga salla.

https://p.dw.com/p/Gjza
Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, largohet nga sallaFotografi: picture-alliance/ dpa

Në raunde të ndryshme diskutimesh në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit sundon nganjëherë konsensus i mërzitshëm. Të gjithë janë të të njëjtit mendim për krizën financiare, për fajtorët e saj dhe për masat, që duhen marrë kundër saj. Por dihej që më parë se diskutimet e së enjtes, (29.01.2009) nuk do të ishin të tilla.

Presidenti izraelit, Shimon Peres, ishte ulur në podium pranë Amre Moussas, Sekretarit të Përgjithshem të Lidhjes Arabe për të folur për luftën në Rripin e Gazës. Pjesëmarrës në diskutim është edhe kryeministri turk Erdogan, që theksoi disa herë gjatë diskutimit se kërkon të ndërmjetësojë midis Izraelit dhe palestinezëve. I katërti në raundin e diskutimit ishte Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i cili pak ditë më parë ndodhej në Rripin e Gazës. Ai është tronditur nga situata e atjeshme: "Të gjitha shkollat janë shkatërruar, njerëzit kanë humbur të afërm dhe miq. Unë ika prej andej me mendimin se duhet vepruar sa më shpejt të jetë e mundur," tha Ban.

Erdogan in Davos
Moderatori David Ignatius, mjatas, kryeministri turk Erdogan dhe presidenti izraelit Peres, në DavosFotografi: AP

Gjysmë miliardë euro duhet të verë komuniteti ndërkombëtar në dispozicion për të zbutur vuajtjen e madhe të palestinezëve, tha Ban. Që armëpushimi të ketë një lloj shansi duhet, që sa më shpejt të jetë e mundur të ndodhin dy gjëra: "E para në Rripin e Gazës duhen dërguar trupa ndërkombëtare dhe e dyta Izraeli duhet të hapë të gjithë kufijtë dhe të mundësojë rindërtimin."

Hapja e kufijve për kryeministrin turk është kushti kryesor, që armëpushimi të kthehet në afatgjatë. Bllokada, që Izraeli i bën rripit të hollë bregdetar, ka shpënë në konfrontimet e fundit, thotë Erdogan. Atij i kujtohet qershori i 2008-ës, kur Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për një armëpushim dhe për gjashtë muaj me rradhë asnjë raketë palestineze nuk ra në tokën izraelite. Por gjatë kësaj kohe Izraeli duhet të kishte hapur kufijtë. Kjo nuk ndodhi, prandaj Hamasi hodhi sërish raketa, thotë Erdogan.

Reaksionin, që erdhi nga Izraeli për luftën në Rripin e Gazës, ai e vlerëson krejtësisht të tepruar. Dhe me fjalë çuditërisht të qarta për dikë, që kërkon të bëhet ndërmjetësues: "Armët, që janë përdorur nga Izraeli, nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga pala palestineze. Këtu kemi të bëjmë me krime kundër njerëzimit, kemi të bëjmë me vrasje."

Megjithatë, i rëndësishëm është rifillimi i bisedimeve për zgjidhjen me dy shtete, bisedime me të gjitha grupimet palestineze, thotë Erdogan. Izraeli duhet të bisedojë me Hamasin. Ky grupim ka fituar në zgjedhje demokratike, thotë ai.

Erdogan in Davos
Erdogan dhe PeresFotografi: picture-alliance/ dpa

Hamasi është grup terrorist

Një kërkesë që Presidenti izraelit Peres e kundërshton me forcë. Për të Hamasi nuk është parti e zgjedhur në zgjedhje demokratike, po një grup terrorist. I hedh vështrimin mbrapa në muajt e fundit. 5 000 raketa janë hedhur katër vitet e fundit mbi Izraelin, tha ai dhe iu kthye Erdoganit të ulur pranë. "Çfarë do të bënit ju nëse Stambolli goditej nga 100 raketa në natë? Ne luftojmë për paqen. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër."

Erdogan e ndoqi fjalën e Peresit me fytyrë të ngrirë. Fajin për sulmin me raketa dhe për reagimin e Izraelit e ka vetëm Hamasi, shtoi Peres. Dhe kështu nuk mendon vetëm Izraeli: "E dini, se Sekretari i Përgjithshëm i PLO-së ka shkruar para tre ditësh dhe ai e njeh gjendjen e palestinezëve të paktën po ashtu si ne, se Hamasi i ka kthyer shkollat në sheshe lufte. Hamasi i ka ndërprerë ndihmat me ushqime idhtarëve të Fatahut," tha Peresi me zë të lartë.

Edhe në Lindjen e Afërme: Shpresa nga Obama

Pas deklarimit të zjarrtë të Peresit për luftën në Rripin e Gazës, donte të reagonte Erdogani. Por moderatori i ndërpreu diskutimin për shkaqe kohe. Ndërmjetësuesi i vetëshpallur turk, la i indinjuar sallën e konferencës. Shumë pjesëmarrës në Davos, ndër të cilët edhe Ban Ki Moon, shpresojnë tani, që javën tjetër të fillojë një raund i ri bisedimesh. Njeriu prej të cilit pritet shumë, është Barack Obama.