1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë dinte Merkeli?

Carla Bleiker / Eliana Xhani17 Korrik 2013

Komisioni parlamentar i Bundestagut, që mbikqyr aktivitetet e shërbimeve të fshehta, kërkon të mësojë se çfarë dinte qeveria gjermane për aktivitetet e NSA-së në Gjermani. Por mundësitë e tij janë të kufizuara.

https://p.dw.com/p/199Id
Fotografi: picture-alliance/dpa

A kanë qenë të informuara shërbimet e fshehta gjermane për aktivitetet e përgjimit të amerikanëve? Sa atentate janë shmangur në Gjermani falë informacioneve të shërbimit sekret të SHBA-së, NSA? Këto janë disa nga pyetjet me të cilat merret aktualisht në Berlin Instanca Parlamentare e Kontrollit (PKGr). Të martën (16.7.'13) ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CSU), dha sqarime para kësaj instance, për vizitën e tij të fundit në SHBA. Friedrich qendroi javën e kaluar në Uashington për të kërkuar informacione për survejimin në internet të shtetasve gjermanë nga NSA.

Detyrat e instancës së kontrollit

Se çfarë i ka thënë saktësisht PKGr-së ministri Friedrich nuk dihet, pasi i ashtuquajturi "komision i shërbimit sekret" i Bundestagut, mblidhet me dyer të mbyllura. Detyra e tij është kontrolli i shërbimeve të fshehta gjermane: Shërbimit Informativ (BND), Shërbimit Ushtarak Mbrojtës (MAD) dhe Mbrojtjes së Kushtetutës. 11 anëtarët e komisionit nga të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament, duhet të mbajnë në mbikqyrje si përfaqësues të zgjedhur të popullit, aktivitetet e shërbimeve të fshehta dhe marrëdhëniet e tyre me qeverinë. Deputetët nuk lejohen megjithatë të përcjellin në grupet e tyre parlamentare apo në opinion ato që dëgjojnë në takimet e komisionit.

"Brenda komisionit ne mund të kërkojmë informacione të tjera, mund të kërkojmë të shohim dosje, mund të kërkojmë të raportojnë dhe persona nga qeveria", shpjegon anëtari i kësaj instance, Hans-Christian Ströbele, punën e PKGr-së. "Ne mund të lëvizim disa gjëra, pro vetëm atëherë kur qeveria na jep informacione", thotë deputeti i gjelbër në bisedë me Deutsche Welle-n.

Deputeti i gjelbër Hans-Christian Ströbele
Ströbele: instanca e kontrollit mund të jetë efektive vetëm nëse qeveria bashkëpunonFotografi: picture-alliance/dpa

Wolfgang Nešković, ish-anëtar i komisionit për shërbimet e fshehta, kritikon pamundësinë e kësaj instance për të vepruar. Anëtarët e tij nuk mund të detyrojnë qeverinë dhe shërbimet e fshehta të japin informacione. Funksioni kontrollues praktikisht shfuqizohet. "Kjo mund të krahasohet me një kontroll biletash në tren, ku fatorinoja nuk i kërkon pasagjerit të tregojë biletën por mjaftohet me fjalën e tij se ka biletë të vlefshme", thotë Nešković për punën e PKGr.

Merkel duhet të japë sqarime në komision

As Hans-Christian Ströbele nuk është i kënaqur me politikën e informacionit të qeverisë kundrejt komisionit. Ai kërkon që kancelarja të japë personalisht sqarime para PKGr-së. "Ajo duhet të tregojë vetë para parlamentit se çfarë dinte dhe çfarë di. Deri tani për këtë na është dashur të pyesim gjithnjë ministrat", thotë Ströbele. "Ajo është në fund të fundit shefja e kancelarisë dhe Shërbimit Informativ është në varësinë e kancelarisë." Pra Merkel duhet të dijë më shumë nga sa ka pranuar deri tani për përgjimin e qytetarëve gjermanë nga NSA-ja, thotë Ströbele.

Kancelarja Angela Merkel
Kancelarja Angela Merkel - sipas kritikëve ajo di më shumë nga sa pranonFotografi: AFP/Getty Images

Sipas informacioneve në medie Shërbimi Informativ në raste pengmarrjeje gjatë viteve të kaluara, i ka kërkuar vazhdimisht NSA-së të dhëna të ruajtura komunikacioni mbi gjermanët e rrëmbyer. Këtu lind natyrshëm pyetja: nga e dinte BND-ja se këto të dhëna ekzistonin dhe nëse kishte dijeni BND-ja, a nuk duhej të kishte atëherë dijeni edhe qeveria?

"Zonja Merkel do të sillet sikur nuk ka ditur asgjë", tha për Norddeutscher Rundfunk, Steffen Bockhahn, përfaqësues i partisë "E Majta" në PKGr. "Zyra e kancelares e di dhe edhe vetë kancelarja duhet ta dijë, që ne kemi marrë shumë të dhëna nga amerikanët dhe britanikët", shprehet i sigurt Bockhahn.

Ministri i Brendshëm Friedrich në SHBA
Ministri i Brendshëm Friedrich në SHBAFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Brendshëm Friedrich pas vizitës së tij në SHBA, u përpoq të justifikonte survejimin nga NSA me luftën anti-terror. Ai tha se pesë atentate në Gjermani janë shmangur falë sinjalizimeve nga shërbimet sekrete të SHBA-së. Por ministri mundi të japë të dhëna konkrete vetëm për dy raste. Bëhet fjalë për plane për atentate të të ashtuquajturve "Grupi i Sauerlandit" dhe "Celula e Dyseldorfit".

Përfaqësuesit e opozitës në PKGr janë skeptikë: "Nëse ministri i Brendshëm shkon në Shtëpinë e Bardhë dhe aty i thuhet se janë penguar pesë atentate por ai njeh vetëm dy raste, atëherë është logjike të pyetet se cilat janë tre të tjerat", tha kryetari i komisionit, Thomas Oppermann nga Partia Socialdemokrate (SPD), për radion Deutschlandfunk. Edhe ai do që atentatet terroriste të pengohen, "por kjo natyrisht nuk justifikon përgjimin total të gjithë popullsisë nga një shërbim informativ i huaj", tha Oppermann.