1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti i BE-së: Miku na përgjon

Lindita Arapi25 Tetor 2013

Skandali i përgjimit të celularit të kancelares Merkel u vu në qendër të samitit të BE-së në Bruksel. Politikanët e BE-së tashmë e dinë, se gjithkush mund të përgjohet. Mosbesimi ndaj SHBA-së kap maja të reja në Europë.

https://p.dw.com/p/1A5xc
Merkel dhe Hollande
Merkel dhe HollandeFotografi: Reuters

Një rastësi? Kancelarja gjermane Angela Merkel hyri në ambientet e samitit të BE-së në Bruksel me një automjet me targën 007- një simbol, që lidhet menjëherë me agjentin e filmave, James Bond. Në samit, i cili duhej të trajtonte temat ekonomike sundoi përgjimi i celularit amerikan nga shërbimet sekrete amerikane. Merkeli e bëri të qartë qëndrimin e saj: Përgjim mes miqve nuk bëhet. Në drejtim të Uashingtonit, që e kishte siguruar kancelaren se celulari i saj nuk përgjohet, ajo drejtoi fjalët: "Besimi duhet të rifitohet".

Shqetësime në samit shkaktoi edhe publikimi që bëri gazeta britanike "The Guardian", të enjten vonë me një listë me 35 kryetarë shtetesh dhe qeverish të përgjuar nga shërbimi kombëtar amerikan, NSA. Kryeministri holandez, Mark Rutte tha se "ai beson se nuk përgjohet." Ndërsa presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulze u kërkoi krerëve të shteteve dhe qeverive europiane të ngrinin marrëveshjen e shkëmbimit të të dhënave, e njohur me shkurtesën SWIFT. Ai vetë tha se është mbrojtur nga NSA me teknikë të vjetëruar. "Nuk jam i kapshëm për NSA-në. Celulari im është nga të paktët që nuk përgjohen dot. Teknologjia vjen ende nga kohët e teknikës së shpikësit të telefonit, Bell."

Martin Schulz: mua s'më përgjon kush!
Martin Schulz: mua s'më përgjon kush!Fotografi: AP

Merkel dhe Hollande duan zbardhjen e plotë të çështjes

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Francois Hollande ranë në ujdi që së bashku të merreshin me zbardhjen e përgjimeve amerikane. Edhe shtetet e tjera mund t'i bashkangjiten iniciativës francezo-amerikane. Megjithatë nuk ka një deklaratë të përbashkët të samitit që dënon aktivitetet e spiunazhit të NSA-së, deklaroi presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy në orët e vona. Merkel pas takimit me presidentin francez u shpreh relativisht e qetë. "Përgjimi i përbashkët që na bëhet, na ofron më shumë me njëri-tjetrin". Hollande kishte protestuar të hënën kundër spiunimit të miliona francezëve. "Në të ardhmen duhet të ndryshojnë disa gjëra", tha Merkel. Megjithatë ajo nuk është për ndalimin e negociatave për marëveshjen e tregtisë së lirë, SHBA-BE. Në samitin e dhjetorit, Merkel dhe Hollande do të paraqesin një raport të përbashkët mbi bisedimet me qeverinë amerikane. Qëllimi është arritja e një marrëveshjeje për punën e shërbimeve sekrete amerikane.

Eurodeputeti finlandez, Alexander Stubb paralajmëroi në bisedë me Deutsche Wellen nga reagimet e tepruara. Çdo politikan i nivelit të lartë duhet ta ketë të qartë se mund të përgjohet, tha Stubb. "Unë jam shumë i kujdesshëm dhe i vetëdijshëm se gjithçka që komunikoj mund të bëhet publike". Stubb nuk e sheh si produktive vënien në pikëpyetje të të gjithë komunikimit të të dhënave me SHBA-në. "Nuk duhet të jemi kaq të ashpër me amerikanët, ndryshe kam frikë se edhe ne do të kemi shumë probleme me transportimin e të dhënave nga Europa në SHBA."

Ekonomia digjitale lehtësim për tregun e punës

Kush po më përgjon?
Kush po më përgjon?Fotografi: ADAM BERRY/AFP/GettyImages

Mbrojtja e të dhënave është një pjesë e "axhendës digjitale" që krerët e shteteve të BE-së biseduan të enjten në mbrëmje. BE do të subvencionojë më shumë internetin e shpejtë dhe firmat që kanë si bazë pune rrjetin digjital. Eurokomisionerja e BE-së për digjitalizimin, Neeli Kroes i tha Deutsche Welle-s se në ekonominë digjitale ka shumë shanse të papërdorura, të cilat mund të sjellin vende pune. Në vitet e kaluara në degën e programimit të Apps- programeve lehtësuese që ofrojnë telefonat mobilë - janë ngritur 300.000 vende pune. Kroes kërkon krijimin e një tregu të brendshëm digjital, ku nuk duhet të ekzistojnë më tarifat e roaming për transportin e të dhënave në BE. "Nuk është normale që kemi një situatë të tillë të telekomunikacionit në një treg të brendshëm të BE-së."

Italian kërkon më shumë ndihma për refugjatët

Enrico Letta
Enrico LettaFotografi: Reuters

Kryeministri italian, Enrico Letta nuk donte të fliste gjatë për skandalet e përgjimit, por për një problem mjaft akut në vendin e tij. "Ne duam që ky samit të përqëndrohet tek çështja e emigracionit dhe se si mund zgjidhet ajo. Rasti i Lampeduzës nuk duhet të përsëritet më, dhe për këtë ne kemi një qëndrim të qartë", tha Letta. Italia kërkon shpërndarjen e refugjatëve dhe azilkërkuesve në të gjitha shtetet e BE-së në bazë të sistemit të kuotave. Letta synon të shfuqizojë rregulloren e njohur si "DublinII", ku azilkërkuesit duhet të strehohen në vendin që shkelin për herë të parë. Por Gjermania dhe vende të tjera e refuzojnë zbutjen e rregullores së "Dublin II."

Presidenti i Parlamentit Europian u kërkoi krerëve të shteteve dhe qeverive europiane të gjejnë mundësitë për migracionin legal ."Europa është një kontinent imigrimi. Ka njerëz që nuk duan ta pranojnë ende këtë, por ky është fakt", tha Schulz në samitin e BE-së në Bruksel.