1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU-Reformprozess Chronik

1 Dhjetor 2009

Më 1 dhjetor hyri në fuqi marrëveshja për reformën e Bashkimit Evropian. Me të ashtuquajturën "Marrëveshja e Lisbonës" Bashkimi Evropian vendoset mbi baza të reja.

https://p.dw.com/p/Kkvp
Fotografi: AP

Qysh para fillimit të zgjerimit në Lindje politikanë udhëheqës evropianë kishin filluar të mendonin për një reformë të brendshme të Bashkimit Evropian. Kjo sepse proceset vendimmarrëse konsideroheshin si të plogështa, strukturat e BE-së si jo shumë demokratike. Megjithatë me pranimin e dhjetë anëtarve të rinj në vitin 2004 u konfirmua argumenti se marrëveshja aktuale e Nisës nuk është e përshtatshme për një Bashkim Evropian të madh. Kjo bëri që të mendohet seriozisht për një 'marrëveshje për një kushtetutë të përbashkët në Evropë'. Nga njëra anë ajo do të duhej të kufizojë mundësitë e vetos së vendeve anëtare me çka Bashkimi Evropian do të bëhej më funksional dhe nga ana tjetër të forcojë kompetencat e Parlamentit Evropian.

Megjithatë francezët dhe holandezët e refuzuan marrëveshjen përmes referendumeve popullore në vitin 2005. Pasi që të dyja shtetet bënin pjesë tek kombet themeluese të BE-së dhe konsideroheshin si motor të unitetit evropian, çorientimi tek qeveritë e vendeve evropiane ishte i madh. Pas një pauze të menduari Këshilli Evropian vendosi gjatë presidencës gjermane të BE-së në vitin 2007 që në vend të kushtetutës të miratojë një 'Marrëveshje për reformat". Pasi që vendimi për të u morrnë fund të vitit 2007 në Lisbonë ajo quhet "Marrëveshja e Lisbonës".

Edhe "Marrëveshja e Lisbonës" dështoi fillimisht në një referendum të organizuar në Irlandë në vitin 2008 ndërkohë që procesi i ratifikimit ishte në vlugun e tij. Kësaj radhe për një kohë u krijua përshtypja se dështuan përfundimisht të gjitha përpjekjet për reformimin e BE-së. megjithatë qeveria irlandeze pas disa lëshimeve të bëra nga vendet e tjera anëtare organzoi edhe një referendum në tetor të vitit 2009. Kësaj radhe shumica e irlandezëve ishin pro marrëveshjes.

Pengesa e fundit dhe më e madhja ishte Çekia. Edhe pse të dy dhomat e parlamentit e kishin ratifikuar marrëveshjen dhe gjykata kushtetuese e kishte cilësuar atë si të padëmshme, presidenti çek Vaclav Klaus ngurronte të hidhte nënshkrimin e tij. Klausi nuk e ka fshehur kurrë se është kundër kësaj marrëveshje duke e arsyetuar qëndrimin e tij me humbjen e sovranitetit kombëtar. Klaus lëshoi pe përfundimisht më 3 nëntor dhe vetëm pas marrjes së një vendimi të dytë pozitiv nga Gjykata Kushtetuese Çeke dhe lëshimeve politike të 26 vendeve anëtare. Në këtë mënyrë u përmbyll edhe procesi i ratifikimit.

Autor: Christoph Hasselbach / Filaj-Ballvora, Vilma

Redaktoi: Auron Dodi