1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spektakël mediatik apo mbështetje për zgjedhjet?

Thorsten Faas2 Shtator 2013

Në duelin televiziv dy kanidatët për kancelar Angela Merkel nga partia kristiandemokrate dhe Peer Steinbrück nga partia socialdemokrate u përballën me njëri-tjetrin.

https://p.dw.com/p/19Zsp
Fotografi: Reuters

Lufta elektorale ka arritur kulmin: Në duelin televiziv dy kanidatët për kancelar nga partia kristiandemokrate dhe ajo socialdemokrate u përballën me njëri-tjetrin. Një traditë e mirë dhe e dobishme, nënvizon politiologu Thorsten Faas.

Për herë të katërt në Gjermani para zgjedhjeve parlamentare u zhvillua dueli televiziv mes kandidatëve kryesorë për kancelarë – kësaj here u përballën kancelarja Angela Merkel e partisë kristiandemokrate dhe rivali i saj socialdemokrat, Peer Steinbrück. Për 90 minuta ata iu përgjigjën pyetjeve të katër moderatorëve. Një risi kjo krahasuar me duelet e mëparshme televizive. Me Stefan Raab si moderator krahas tre moderatorëve të tjerë, që janë gazetarë klasikë të çështjeve politike, për herë të parë në ekipin moderues u përfshi edhe një ndër fiugrat më të njohura të gazetarisë së spektakleve argëtuse.

Katër moderatorët: Anne Will, Maybrit Illner, Stefan Raab, Peter Klöppel
Katër moderatorët: Anne Will, Maybrit Illner, Stefan Raab, Peter KlöppelFotografi: Reuters

Debatet televizive në Gjermani para zgjedhjeve parlamentare kanë një traditë të gjatë. Në vitet 1970-të dhe 1980-të ishte e zakonshme, që kandidatët kryesorë të të gjitha partive takoheshin në raunde bisedash televizive që zgjasnin deri në katër orë duke trajtuar temat e luftës elektorale. Kjo traditë megjithatë u ndërpre pas zgjedhjeve në vitin 1987. Konkurruesve në zgjedhje përgjatë viteve 1990-të u duhej të prezantoheshin pa raunde të tilla diskutimi.

Lufta e Irakut dhe katastrofa natyrorere e vërshimeve

Në vitin 2002 për herë të parë u zhvillua një duel televiziv i ndryshuar me një format të amerikanizuar. Përballë njëri-tjetrit qëndronin rivalët kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder dhe rivali kristiansocial Edmund Stoiber. Të dy u ngjitën në ring sipas stilit të garave për presidentin në SHBA nën moton „përcaktues është kancelari!“. Ndërkohë që në Gjermani në zgjedhjet parlamentare zgjidhen deputetët për Bundestag-un, e janë këta të fundit që e zgjedhin kancelarin. Schröder dhe Stoiber dolën dy herë në duel, një herë katër javë para zgjedhjeve dhe një herë dy javë para zgjedhjeve duke u përballur përkatësisht për 90 minuta lidhur me çështjet më të mprehta të vendit siç ishin pjsëmarrja gjermane në luftën e Irakut dhe pasojat e rënda të përmbytjeve në Lindje të Gjermanisë.

Për Angela Merkel-in ky ishte dueli i tretë televiziv. Ajo është përballur më parë me Gerhard Schröder-in dhe me Frank-Walter Steinmeier-in. Për socialdemokratin Steinbrück kjo ishte hera e parë në një duel të tillë.

Interesi mediatik ishte i jashtëzakonshëm, por edhe tek zgjedhësit pati interesim të madh: Rreth 15 milionë zgjedhës e ndoqën duelin. Kuota të tilla shikueshmërie arrihen zakonisht vetëm për ndeshjet ndërkombëtare të futbollit, kur luan kombëtarja gjermane. Duelet që nga viti 2002 etabluan një traditë të re. Ato transmetohen gjithmonë paralelisht si nga stacionet e mëdha publike, ashtu edhe nga ato private, të cilët përkatësisht përfaqësohen me moderatorët e tyre.

Të mërzitshme dhe të padobishme?

Mediet, zgjedhësit dhe dy kandidatët kryesorë për kancelar – që të gjithë e kanë përqafuar shpejt këtë format amerikan. Pra s’të habit fakti, se kësisoj kjo formë tashmë është institucionalizuar. Por sidoqoftë këto duele nuk kalojnë pa kritika. Pikërisht dueli i vitit 2009 u kritikua pjesërisht ashpër. Pothuajse unison mediet e kritikuan duelin e plogësht mes Merkel-it dhe Steinmeier-it si të mërzitshëm dhe të padobishëm.

Por a është kjo e vërtetë? Që nga viti 2002me një ekip studiuesish nga universitete të ndryshme ne I analizojmë në detaje duelet televizive. Ne ftojmë njerëz, të cilët i ndjekin bashkë me ne këto duele televizive dhe dokumentojmë përshtypjet e tyre gjatë dhe pas debatit. Kësisoj si studiues ne arrijmë të kuptojmë saktë, se çfarë lë përshtypje të mirë dhe çfarë nuk bën përshtypje të mirë gjatë debatit, e ajo që është më kryesorja kuptojmë, nëse kanë ato ndonjë efekt.

TV-Duell Kanzlerin Angela Merkel gegen Spitzenkandidat Peer Steinbrück
Fotografi: picture-alliance/dpa

Motivim për të votuar

Rezultatet tregojnë, se edhe debatet në dukje të mërzitshme dhe të padobishme si ai i 2009-ës, pjesërmarrësit në hulumtimet tona i kanë perceptuar si interesante dhe të vlefshme – një rezultat ky në kontrast të fortë me jehonën mediatike, që e pasoi këtë duel. Ky format i inskenuar me dramaturgji dhe i ngjeshur me përmbajtje – pothuajse si një luftë elektorale nën lupë – krijon një urë pikërisht për tek kategoria e zgjedhësve, që nuk janë shumë të interesuar për politikën. Janë pikërisht këta zgjedhës që e konsiderojnë të vlefshëm duelin, e mësojnë diçka prej tij. Këto duele jo vetëm i mobilizojnë këta zgjedhës, por edhe shërbejnë si motivim për pjesëmarrjen në zgjedhje të grupeve të shoqërisë, që janë disi të distancuar prej politikës.

Dueli bën, që vetëm dy partitë e mëdha dhe kandidatët e tyre për kancelar të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa partitë më të vogla dhe bashkëkonkurruesit e tjerë përjashtohen, është kjo një nga pikat e tjera të kritikës ndaj dueleve elektorale në televizion. Në 2002 kandidati i partisë liberal-demokrate, Guido Westerwelle, ngriti padi pranë Gjykatës Kushtetuese, që në duel lejohen vetëm kandidatët e partive të mëdha dhe jo ai. Me këtë padi ai dështoi. Në përgjithësi raportimi mbi partitë duhet të jetë i barazpeshuar, por jo për çdo rast individual, e argumentoi vendimin Gjykata Kushtetuese.

Megjithatë sivjet do të lejohen të marrin pjesë edhe partitë më të vogla. Të hënën (02.09.2013) pas duelit Merkel – Steinbrück do të zhvillohet një raund diskutimi në televizion me kandidatët kryesorë të liberal-demokratëve, ekologjistëve dhe partisë “E Majta”. Të gjitha partitë e përfaqësuara në Bundestag në këtë vit elektoral do të lejohen të jenë pjesëmarrëse në ringun e debatit. Nëse i referohesh rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2009 dhe veçanërisht kuotave jashtëzakonisht të mira, që arritën të ashtuquajturat partitë e vogla, e kupton se pjesëmarrja në „duelin e madh“ nuk është garanci për një rezultat të mirë në ditën e zgjedhjeve.

Thorsten Faas është studiues i shkencave politike në Universitetin „Johannes Gutenberg“ të Maincit. Ai drejton seksionin e „Studimeve empirike politike në Institutin e Shkencave Politike.