1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

110711 Serbien Srebrenica

11 Korrik 2011

Me 11 korrik u mbushën 16 vjet nga masakra e Srebrenicës. Masakra u dënuar për herë të parë në vitin 2010 edhe prej parlamentit të Republikës Srpska, ndërsa në maj në Serbi u arrestua Ratko Mlladiç.

https://p.dw.com/p/11swA
Bosnian Muslim woman says prayer near graves of her relative among graves during ceremony of mass funeral for Përkujtohet masakra e Srebrenicës16 vjet më parë.
Përkujtohet masakra e Srebrenicës16 vjet më parë.Fotografi: dapd

A thua ka ndryshuar mendje Serbia pas arrestimit të Ratko Mlladiqit dhe dorëzimit të tij në Hagë? A thua do të ketë një debat të hapur kritik në Serbi pas arrestimit të tij për krimet e bëra në vitet 90-të?

Gjërat nuk ndryshojnë brenda natës

Jo, përgjigjet Maja Miçiq, drejtore e Inicitivës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Beograd, duke shtuar se disa gjëra nuk mund të ndryshojnë brenda një nate:

„Ratko Mlladiqi është dërguar me 26 maj në Tribunalin e Hagës dhe këtë e kemi parë si një hap historik. Në fakt, ky edhe ishte një hap historik, por kur jemi zgjuar vetëm një ditë me vonë, me 27 maj, kemi konstatuar se sërish jetojmë në të njëjtin vend.“

Maja Miçiq thotë se politika serbe dhe mediat në Serbi nuk e kanë shfrytëzuar këtë shans për të diskutuar hapur lidhur me shkaqet e vërteta të arrestimit dhe dorëzimit në Hagë të Ratko Mlladiqit:

“Kemi folur për çmendurinë, për problemet e tij mendore dhe për moshën, por jo edhe për viktimat e kohës së tij. Nuk kemi folur për rrethimin e hekurt të Sarajevës dhe masakrën e Srebrenicës. Në televizionin e Serbisë nuk kemi mundur të dëgjojmë asnjë prej viktimave të Srebrenicës. Për fat të keq, e vetmja qëkemi dëgjuar nga presidenti ynë dhe shumë politikanë të tjerë të Serbisë është që arrestimi i Mlladiqit na sjell një hap më afër hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Kjo sjellje është shumë e rrezikshme.“

Mijëra vetë përkujtojnë viktimat e Srebrenicës.
Mijëra vetë përkujtojnë viktimat e Srebrenicës.Fotografi: DW

Serbia duhet të japë prova se dënon krimet e Mlladiçit

BE-ja do të bënte një gabim në qoftë se Serbisë i hap rrugën e anëtarësimit tepër herët, pa i plotësuar kushtet e parashikuara për anëtarësim, pohon Jelena Miliq, nga Qendra për Studime Euro-Atlantike në Beograd.

„Mendoj se hapi më i rëndësishëm do të ishte sikur presidenti Boris Tadiq, kabineti i tij dhe këshilltarët të angazhoheshin me të gjitha forcat për hapjen e një hetuesie serioze: si ishte e mundur që Ratko Mlladiqi, e para tij edhe Radovan Karaxhiqi, të strehohen kaq gjatë në Serbi? Unë dyshoj se ata do të arrestoheshin pa presionin nga vendet e jashtme, që është një lajm shumë i keq për Serbinë.“

Këto tone vetëkritike nuk dëgjohen me dëshirë nga shumëkush në Beograd. Zhivadin Jovanoviq, ish-ministër i Jashtëm i Jugosllavisë në kohën e Sllobodan Millosheviqit dhe bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, është njëri prej atyre që mendon se nuk ka nevojë për vetkritikë:

„Mendoj se problemi i Serbisë nuk është mungesa e kritikave ndaj politikës së Millosheviqit. Pse duhet të kritikojmë gjithmonë të kaluarën? Ajo me siguri që nuk mund të harrohet, por duhet theksuar se vetëm në katër muajt e fundit në Serbi kanë mbetur pa punë rreth 100.000 serbë. Në Serbi tani kemi gjithsej mbi një milion ta papunë, që do të thotë se kemi një shkallë papunësie prej rreth 25 %. Ndërsa ne duhet të flasim për të kaluarën?“

Mlladiç para Gjykatës për Krime lufte në ish-Jugosllavi në Hagë.
A do të ketë debat të hapur në shoqërinë serbe pas dorëzimit të Mlladiçit në Hagë?Fotografi: AP

Dënimi i krimeve të luftës nuk ka bazë të gjerë në popull

Por çfarë thotë populli? Madje edhe prej atyre që janë të përkushtuar ndaj integrimeve evropiane mund të dëgjosh në Beograd vetëm një: trajtimi i Serbisë është i padrejtë, sepse serbët edhe më tej shikohen si më e keqja. Kështu mendon edhe Daniela Stefanoviq, studente e germanistikës dhe punëtore e një firme në Beogad. Kur e pyet se a është Ratko Mlladiqi kriminel lufte, ajo ngurron të përgjigjet:

„Hë, hm... në një luftë nuk ekziston vetem një palë. Ai … nuk mund ta them me bindje të plotë. Deri diku po, ai ishte krimine lufte. Por, kriminelë ka pasur edhe në mesin e kroatëve dhe myslimanëve. Lufta nuk e ka vetëm një anë.“

Ky qëndrim nuk mjafton, pohon aktivistja për të drejtat e njeriut Maja Miçiq. Nëse Serbia nuk fillon publikisht të flas për përgjegjësinë e saj, ky rajon gjithmonë do të mbetet një fuçi baroti.

„Nëse tani këtë çështje e fusim tani nën tepih dhe nuk përballemi me faktet, gjërat që kanë ndodhur në vitet 90-të do të ndodhin përsëri.”

Autor: Ralf Borchard / Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani