1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Status special për veriun e Kosovës?

8 Shkurt 2012

Disa udhëheqës të serbëve të veriut të Kosovës, pjesë e strukturave paralele, thonë se ata do të ishin të gatshëm të pranonin pavarësinë e Kosovës me kushtin që veriu i vendit të gëzojë një status të veçantë politik.

https://p.dw.com/p/13z3q
Zehn Jahre nach Beginn des
Fotografi: AP

Qeveria e Kosovës hedhë poshtë çdo mundësi që veriu i Kosovës të marrë ndonjë status special. Përfaqësues të qeverisë, thonë se serbët e komunave veriore të Kosovës do të jenë pjesë e sistemit unik kushtetues të Kosovës. Në fillim të kësaj jave, disa udhëheqës të serbëve të veriut të Kosovës, pjesë e strukturave paralele, thanë se ata do të ishin të gatshëm të pranonin pavarësinë e Kosovës me kushtin që veriu i vendit të gëzojë një status të veçantë politik. Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i tha DW-së, se qasja e qeverisë në veri të Kosovës nuk do të jetë e fokusuar vetëm në vendosjen e rendit dhe ligjit, por, do të vazhdojë edhe me projekte tjera të zhvillimit ekonomik në mënyrë që serbët e atjshëm të integrohen në shoqërinë kosovare.

Në foto, Hajredin Kuçi
Në foto, Hajredin KuçiFotografi: DW

Në veri nuk do të ketë diçka jashtë pakos së Ahtisaarit

“Por nuk nënkuptohet se do të ketë diçka jashtë pakos së Marti Ahtisaarit, jashtë kushtetutës së Kosovës dhe jashtë sovranitetit në kuptimin edhe të tërësisë teritoriale të Kosovës. Kjo çështje është e qartë dhe në këtë drejtim ne kemi mbështetjen ndërkombëtare”, thotë zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuçi.

Në foto, Jakup Krasniqi
Në foto, Jakup KrasniqiFotografi: DW

Edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i tha DW-së se është me rrezik tejkalimi i planit të Marti Ahtisarit në veri të Kosovës, sepse atëherë ky plan sipas tij mund të rrezikohet në tërë Kosovën. “Komuniteti ndërkombëar duhet të jetë i kujdeshëm, sepse duke bërë përpjekje për ta tejkaluar dokumentin gjithpërfshirës të presidentit Marti Ahtisaari, rrezikohet ky dokument dhe unë mendoj se edhe komuniteti ndërkombëtar edhe Serbia edhe Kosova duhet të jenë të bindura se kanë bërë shumë në këtë ecje me dokumentin gjithpërfshirës të Ahtisarit dhe nuk është mirë të rrezikohet ky dokument”, thotë Jakup Krasniqi.

Më shumë punë për integrimin e pjesës veriore

Komisioni evropian dhe komisoneri Stefan Fyle, ditë më parë thanë se qeveria e Kosovës duhet të dalë me një plan të qartë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës. Planin për integrimin e veriut ka kohë që qeveria e Kosovës e ka hartuar në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe të gjitha pikat e tij përfshihen në zbatimin e planit të Marti Ahtisarit, përfshirë edhe krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, tha se ai do të vazhdojë gjatë këtij viti përpjekjet për zbatimin e pakos së Ahtisarit në veri. Por, ai rikujtoi se për veriun mund të ketë zhvillime tjera që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij serbët lokal të mbështetur nga Beogradi, refuzojnë ligjet, institucionet dhe pavarësinë e Kosovës.

Në foto, Stefan Füle
Në foto, Stefan FüleFotografi: AP

Veriu sfidë edhe për bashkësinë ndërkombëtare

“Veriu do të jetë një sfidë e madhe sepse siç e dini bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës kanë pak qasje që t'i arrijnë komunitetet atje. E gjithë kjo për shkak të dhunës, barrikadave, për shkak të mungesës së lëvizjes së lirë. Pra, është shumë e vështirë që të implementojmë së bashku me qeverinë e Kosovës planin e decentralizimit, por, ne nuk do të ndalemi”, tha Pieter Feith.

Në foto, Pieter Feith
Në foto, Pieter FeithFotografi: picture-alliance/ dpa

Sidoqoftë, Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit për Kosovën konstatoi se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duhet ta inkurajojnë Beogradin madje të bëjnë presion që ta pranoj qeverinë në Prishtinë si të barabartë edhe pa njohje formale. Por, u tha se nuk duhet të pritet që kjo do t'i detyronte serbët e veriut për bashkëpunim. Të gjitha palët, edhe Prishtina edhe Beogradi, por edhe serbët lokal të veriut duhet të synojnë gjetjen e mënyrave për minimizimin e rrezikut të konfliktit të mëtejmë, duke u fokusuar në implementimin e çështjeve për të cilat është arritur pajtueshmëri në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, thuhet në raportin e GNK-së.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Esat Ahmeti