1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Steinbrück kandidati për kancelar i SPD-së

Autor: Bettina Marx / Esat Ahmeti28 Shtator 2012

Çështja e kandidatit të SPD-së për kancelar është zgjedhur. Siipas njoftimeve të mediave, Peer Steinbrück është kandidati për kancelar i socialdemokratëve të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/16H4v
Peer Steinbrück është kandidati për kancelar i socialdemokratëve të Gjermanisë.Fotografi: dapd

Ish ministri gjerman i Financave, Peer Steinbrück është kandidati i Partisë Socialdemokrate (SPD) për kancelar. Kështu njoftoi të premten (28.09.) gazeta Bild. Edhe agjencitë e lajmeve kanë kuptuar nga qarqet e partisë se ish ministri i Financave do të jetë sfidues i kancelares Angela Merkel në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tyre nga gara është tërhequr kryetari i grupit parlamentar Frank-Walter Steinmeier. Ai për këtë e ka njoftuar para disa javësh shefin e partisë Sigmar Gabriel, njofton Spiegel-Online. Ish ministri i Jashtëm jashtëzakonisht popullor kishte dështuar në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2009. Kryetari i partisë Sigmar Gabriel do t'ia propozojë Steinbrückun si kandidat kryesisë së SPD-së të hënën në një seancë të veçantë.

I pranueshëm jo nga të gjithë në radhët e partisë

Në fakt, kandidati i socialdemokratëve për kancelar do të duhet të caktohej fillimisht në fillim të vitit të ardhshëm. Pak ditë më parë sekretarja e Përgjithshme, Andrea Nahles, deklaroi se nuk ka ndryshuar asgjë në planin kohor të miratuar më herët. Megjithatë siç duket presioni për marrjen e një vendimi të shpejtë ka qenë shumë i madh. Në media tematizohej rregullisht çështja e kandidaturës socialdemokrate dhe veçanërisht "Der Spiegel" spekulonte vazhdimisht rreth një vendimi që do të mirrej shumë shpejt. Vet Peer Steinbrueck nuk është një person që e pranojnë të gjithë. Ai është i vetmi në të ashtuquajturën Trojkë, treshën kryesore të SPD-së, që nuk mban ndonjë funksion brenda partisë.

SPD Troika Steinbrück Steinmeier Gabriel
Treshja Steinbrück Steinmeier GabrielFotografi: picture-alliance/Breuel-Bild

Sidomos të majtët në SPD mbajnë qëndrim shumë kritikë ndaj tij. Ata e akuzojnë atë për një qëndrim shumë pro ekonomisë. Si ministër i Financave në koalicionin e madh, ai u shpreh për një liberalizim të gjerë të bankave dhe këtë e futi edhe në marrëveshjen e koalicionit. Ai premtoi gjithashtu se do të angazhohet për "Produktet Inovative" të bankave, saktë për biznese të cilat ndërkohë nga mbrojtësit e konsumatorëve vlerësohen si shumë spekulative dhe jo transparente. Së bashku me Angela Merkelin Steinbrück u angazhua që me paratë publike të shpëtoj Bankën private HRE. Kjo bankë u shtetëzua në vitin 2009. Ajo ishte siguruar me një garanci me vlerë prej qindra miliardash.

Asnjë shans kundër Merkelit

Reagimet e para për emërimin e mundshëm të Steinbrückut si kandidat për kancelar ishin të ndryshme. Politikanja për financat e partisë "E Majta" Sahra Wagenknecht foli për një falimentim të SPD-së. Kolegu i saj i partisë Klaus Ernst tha se emrit i Steinbrück i takon agjendës 2010. Ndërkaq kryekandidati i SPD-së për zgjedhjet e landit në Bavari, Christian Ude, e përshëndeti vendimin. Ai shpreson që emërimi do të jetë një ndihmesë edhe për fushatën e tij. CDU ishte e përmbajtur me deklarata e saj. Sekretari i përgjithshëm i grupit parlamentar të Unionit, Michael Grosse-Brömer shkruajti në rrjetin Twitter: "Gabrieli nuk mundet, Steinmeieri nuk do - kështu që mbeti vetëm një."

Edhe anketat e fundit të opinionit publik e nxjerrin shumë përpara kancelaren gjermane Angela Merkel. Në barometrin politik të kanalit të dytë televiziv gjerman ZDF Merkel prin me 53 për qind. Vetëm 36 për qind e të anketuarve do të donin të shihnin Steinbrück-n si kancelar.