1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stinner: Unë shpresoj që të kthehet arsyeja tek të gjitha palët

22 Janar 2011

Zëdhënësi për politikën e Jashtme të Fraksionit të liberalëve demokratë (FDP) në Parlamentin gjerman tregon këtë qëndrim ndaj ngjarjeve të fundit në Shqipëri.

https://p.dw.com/p/1011k
Rainer Stinner, FDP

Deutsche Welle: Si mund të interpretohet përshkallëzimi i krizës politike në Shqipëri?

Rainer Stinner: Fillimisht duhet të themi që kemi të bëjmë me një demostrim kundër qeverisë. Në shtetet demokratike një gjë e tillë është normale dhe nuk përbën problem. Ne duhet të shohim me kujdes nëse demostruesit kanë ushtruar dhunë, nëse po, unë e dënoj këtë, por po ashtu ne duhet të shohim nëse organet shtetërore janë sjellë ashtu siç i takon. Tre të vdekurit janë një shenjë alarmuese për situatën. Kryeministri Berisha ka pretenduar se në valën e ngjarjeve në Tunizi, janë bërë plane për rrëzimin e qeverisë. Ky është një pretendim që për mua nuk është dëshmuar se qëndron. Nga ana tjetër unë mund të them edhe se ne kemi në Shqipëri një qeveri të zgjedhur dhe unë vëzhgoj në shumë vende, që nëse qeveria nuk gjen mbështetje atëherë kërkohen zgjedhje të reja ose largim i qeverisë. Në kontekstin evropian, Shqipëria kërkon të afrohet me Evropën, dhe normale është që ndryshimet në pushtet të bëhen nëpërmjet zgjedhjeve. Prandaj unë mbroj mendimin që nëse nuk shfaqen parregullsi të tjera të mëdha, atëherë edhe në Shqipëri të ruhet modeli evropian i ndryshimeve të strukurave të pushtetit politik.

Deutsche Welle: Në Shqipëri është provuar disa herë që vullneti politik të vendoset me dhunë. Si mund të ndihmohet Shqipëria që të heqë dorë nga dhuna dhe t`i kthehet rrugëve të tjera demokratike? Çfarë mund të bëjë Evropa dhe Gjermania?

Rainer Stinner: Ne vetë nuk mund të ndërhyjmë. Ne vetëm mund të dërgojmë apel duke kërkuar që edhe në Shqipëri të ndiqet modeli evropian, që ndryshimet politike të bëhen me zgjedhje. Ne mund t`i bëjmë të qartë Shqipërisë, se organet shtetërore super-represive që shkaktojnë të vrarë nuk përshtaten me modelet demokratike, por nga ana tjetër edhe të themi qartë se ndryshimet politike duhen bërë me zgjedhje. Më shumë se të dërgojmë apele dhe të themi se rruga e Shqipërisë drejt Evropës do të bëhet shumë e vështirë nëse këto parime evropiane nuk nguliten edhe në Shqipëri, nuk mund të bëjmë.

Deutsche Welle: Në Shqipëri janë shtuar zërat që thonë se ndërkombëtarët nuk lëvizin.

Rainer Stinner: Është e lehtë ta thuash. Nuk lëvizin fare do të thotë... çfarë të bëjmë ne? Të dërgojmë ushtarë atje? Unë nuk mendoj se nëpërmjet ushtarëve ne mund të sjellim ndryshimet e duhura. Shqipëria është vend anëtar i Nato-s, dhe përpiqet të gjejë rrugët për tu bërë politikisht pjesë e Evropës. Prandaj edhe në Shqipëri duhet të futen standartet evropiane. Ky është apeli që drejtojmë ne nga Evropa dhe nga Gjermania. Por unë nuk mendoj se ne mund të ndërhyjmë direkt.

Deutsche Welle: A ka ndonjë skenar të keq të cilit ju mund t`i trembeshit për Shqipërinë?

Rainer Stinner: Unë vetëm mund të shpresoj që ditët e ardhshme të kthehet arsyeja tek të gjitha palët, që nga njëra anë të sqarohen konfrontimet e dhunshme dhe në qoftë se ka patur gabime në sjelljen e organeve shtetërore, ato të ndiqen si duhet dhe nga ana tjetër ndryshimet politike të bëhen me zgjedhje siç është e zakonshme në Evropë.

Intervistën e zhvilloi Aida Cama

Redaktoi: Mimoza Cika- Kelmendi