1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Struktura të posaçme të policisë shqiptare për parandalimin e dhunës në familje

Arben Muka/ Tiranë15 Gusht 2008

UNICEF-i dhe OSBE-ja si dhe një rrjet shoqatash vendase joqeveritare po mbështesin policinë shqiptare në luftën kundër dhunës në familje, në mënyrë të vecantë atë kundër të miturve.

https://p.dw.com/p/ExqC
Dhunë kundër fëmijëve në familje
Dhunë kundër fëmijëve në familjeFotografi: picture-alliance/ dpa

Raportimet për ushtrim të dhunës në familjet shqiptare, veçanërisht ndaj të miturve nuk kanë të ndalur. Si në qendrat e mëdha urbane, ashtu dhe në provincat e komunitetet rurale fenomeni është i përhapur dhe duket se përcillet si një gjë e zakonshme në realitetin shqiptar. Për të mbështetur një ligj të posaçëm të miratuar nga parlamenti, rreth 8 muaj më parë përfaqësitë e UNICEF-it dhe OSBE-së në Tiranë, si dhe një rrjet shoqatash vendase joqeveritare po mbështesin policinë e shtetit në ndërtimin e strukturave që janë angazhuar për të parandaluar dhunën në familje. Janë përgatitur udhëzues me pikat kryesore të legjislacionit, si dhe mënyrat më të mira të perfomancës nga policia, por dhe janë rekrutuar psikologë që janë shpërndarë në stacionet e policisë.

Qendra Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA, është njëra prej organizatave joqeveritare vendase që ka lobuar për hartimin e ligjit, si dhe po mbështet implementimin e tij. Altin Hazizaj, drejtor i Qendrës tha për DW-në, se në terren vihen re disa mangësi të cilat e vështirësojnë zbatimin efektiv të ligjit. Ai përmend p.sh, përbërjen e strukturave të posacme pranë komisariateve të policisë.

"Ende ka efektiva të policisë së shtetit që nuk janë të ndërgjegjësuar përsa i takon dhunës në familje, nuk janë të informuar apo nuk janë personat e përshtatshëm që të përballojnë një mision të tillë", thotë Hazizaj.

Një problem tjetër sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut është procesi i mbrojtjes së viktimave. Pasi është evidentuar rasti i dhunimit në familje, ose ndaj të miturve, nuk ka siguri për hapin e mëtejshëm, për të mbrojtur ata nga dhuna e mëtejshme fizike a verbale.

"I takon shtetit që të marrë masa, për cdo pjestar të familjes të dhunuar, për të gjetur ambjente të vecanta ku të sistemohen, për tu mbajtur larg ambjenteve ku ushtrohet dhunë", thotë Altin Hazizaj i CRCA-së, duke shtuar se "policia vërtet ka rolin kryesor për parandalimin e dhunës në familje, por ajo nuk duhet të mbetet e vetme. Përgjegjësi maksimale duhet dhe nga gjykata dhe prokuroria, si dhe nga pushteti lokal. Sa i takon këtij të fundit deri më tani, vec ndonjë hapi që është hedhur në kryeqytet, në qytetet e komunat e tjera autoritetet lokale po tregohen deri më tani indiferente".

Rrjeti i orgnizatave joqeveritare po punon me projekte dhe programe të vecanta për të rritur sensbilizimin e pushtetit vendor që të mbështesë konkretisht në reduktimin dhe eleminimin e këtij fenomeni shqetësues për shoqërinë shqiptare.