1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sudani i Jugut një vit pas shpalljes së pavarësisë

Linna Hoffmann / Esat Ahmeti8 Korrik 2012

Më 9 korrik, Sudani i Jugut feston njëvjetorin e pavarësisë. Në aspketin politik pavarësia e vendit kremtohet si një sukses i madh, por sa i përket ekonomisë ende nuk ka asnjë përparim.

https://p.dw.com/p/15TL9
Fotografi: picture alliance / dpa

Edhe pse i pasur me naftë, ujë dhe pasuri të tjera nëntokësore, shteti i ri i Sudanit të Jugut po lufton për mbijetesë. Ndonëse pas pavarësisë shumë rajone të pasura me naftë mbetën në këtë pjesë Sudani Jugor nuk mund të eksportojë, sepse nuk ka mundësi t'i përdorë naftësjellësit, që kalojnë përmes Veriut, . Që prej pavarësisë Sudani Jugor dhe Verior nuk kanë arritur të bien dakord për përdorimin e tubacioneve që kalojnë nëpër territorin e Sudanit Verior. Qeveria sudaneze në Khartum kërkon 36 dollarë për çdo fuçi nafte që do të eksportohet përmes naftësjellësve në veri. Ndërsa Sudani Jugor është i gatshëm të paguajë vetëm një dollar për fuçi. Në janar të këtij viti Sudani Jugor akuzoi Sudanin Verior se është duke vjedhur sasi të mëdha të naftës dhe ndërpreu prodhimin e tij. Që atëherë, arkat e shtetit kanë mbetur bosh, pasi 90 për qind të të ardhurave në buxhetin shtetëror sigurohen nga shitja e naftës. Kjo rrezikon ta paralizojë ekonominë e vendit, thotë Wolf-Christian Paes nga Qendra Ndërkombëtare e Bonit për Konvertim (BICC): "Nëse atje nuk do të arrihet një zgjidhje sa i përket përdorimit të tubacioneve ekzistuese atëherë Sudani Jugor në muajt apo madje në javët e ardhshme, sa i përket të ardhurave, nuk do të ketë aftësi pagese. Qysh tani vërehet se si Sudani Jugor ka filluar të shtypë monedha që të jetë në gjendje të paguajë rrogat. Inflacioni po rritet në ndjeshëm."

Platformë për nxjerrjen e naftës në Sudanin Jugor
Platformë për nxjerrjen e naftës në Sudanin JugorFotografi: AP

Problemi kryesor mungesa e infrastrukturës

Ndërkohë, niveli i inflacionit ka arritur në 19 për qind. Në të njëjtën kohë, rritja ekonomike është ngadalësuar dukshëm. Çmimet e ushqimeve eksplodojnë, prodhimi bujqësor është në rënie. Edhe pse sektori i bujqësisë në Jug të Sudanit konsiderohet të jetë shumë premtues dhe ka potencial të madh zhvillimi, Organizata Botërore e Ushqimit dhe Organizata e Bujqësisë (FAO), i druhen një krize të urisë. Për ekspertin e Sudanit, Paes problemet kanë të bëjnë sidomos me mungesën e infrastrukturës: "Si fermerët e vegjël ashtu dhe sipërmarrësit bujqësorë ballafaqohen me problemin se ata janë shumë larg nga tregjet. Lidhjet rrugore nga Sudani Jugor për në Ugandë apo për në Kenia, të cilat do të ishin tregjet më të afërta për eksportimin e prodhimeve ushqimore, janë në gjendje katastrofike dhe transporti është shumë i shtrenjtë."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: Reuters

Gjendje e vështirë edhe në sektorin e naftës

Sudani i Jugut në aspektin teknik ndodhet në një pozitë të tillë që e ka pothuajse të pamundur të eksportojë naftë pa i përdorur tubacionet e veriut. Prandaj në vend po shqyrtohen mundësitë që të ndërtohet një tubacion alternativ, i cili të mund të kalojë përmes Kenias. Kostoja e këtij projekti llogaritet të jetë rreth tre miliardë dollarë amerikanë. Megjithatë ende është e paqartë se kush mund ta merrte përsipër financimin e një projekti të tillë. Bankat me sa duket deri tani nuk kanë qenë të interesuara. Ekspertët mendojnë se Sudani i Jugut nuk ka aq shumë rezerva nafte sa të arrijë t'i mbulojë ndonjëherë shpenzimet e një investimi të tillë.

Harta e Sudanit Jugor me Sudanin
Harta e Sudanit Jugor me Sudanin