1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220910 EU Finanzaufsicht

23 Shtator 2010

Dy vjet pas shpërthimit të krizës financiare ndërkombëtare Evropa i shtrëngon rripat tregjeve financiare. Parlamenti në Strasburg miratoi me shumicë të konsiderueshme një paketë ligjore për mbikqyrjen financiare.

https://p.dw.com/p/PKJ9
Parlamenti Evropian StrassburgFotografi: picture-alliance/ dpa

Normalisht projektligjet janë më ambicioze se ligjet e miratuara në fund. Në çështjen e mbikqyrjes së tregut financiar nuk ndodhi kështu. Tani deputetët kanë sanksionuar paketën ligjore që në nivel evropian lejon më shumë kompetenca se sa ishte propozuar fillimisht.

Deputeti socialdemokrat, Udo Bullman e kremtoi këtë si një fitore të madhe të Parlamentit mbi Këshillin e qeverive të BE-së: “Parlamenti arriti - dhe kjo duhet të formulohet kështu - të mposhtë Këshillin. Do të ketë një mbikqyrje evropiane të vërtetë. Mbikqyrësit europianë kanë fjalën e tyre për të thënë, prandaj ky është një sukses për Evropën dhe për njerëzit në Evropë.”

Mirëkuptim i gjerë për një mbikqyrje të rreptë evropiane

Edhe eksperti për financat i Të Gjelbërve Sven Giegold foli me entuziazëm për këtë: „Mesazhi është: Evropa nuk ndalon së punuari. Evropa po thellohet më tej dhe me krijimin e këtyre katër institucioneve të reja financiare, ajo ka nxjerrë konsekuencat përkatëse nga kriza.“

Politikani për financat nga rradhët e liberalëve Wolf Klinz hedh vështrimin tek koalicioni jashtëzakonisht i gjerë i krijuar, i cili u angazhua për një mbikqyrje të fortë evropiane:“Konservatorët, liberalët, socialistët dhe ekologjistët - të gjithë kanë mundur të tregojnë në këtë rast shumë shpejt mirëkuptim përtej kufijve."

Tre agjensi të reja mbikqyrëse në Evropë nga janari 2011

Nga janari i vitit të ardhshëm do të ketë një agjenci të BE-së për bankat, një për bursën dhe një tjetër për sigurimet. Mbikqyrësit e bankave janë të stacionuar në Londër, ata të bursave në Paris, ndërsa sektori i sigurimeve do ta ketë selinë në Frankfurt-mbi-Main. Nën drejtimin e Bankës Qendrore Evropiane një i ashtuquajtur "Këshill për riskun" do të mbikqyrë të gjithë sistemin financiar. Bankierët dhe akademikët nën kryesinë e Presidentit të Bankës Qendrore Europiane do të vëzhgojnë tregun financiar dhe do të paralajmërojnë rreziqet që dalin. Autoritetet mbikqyrëse kombëtare vazhdojnë të qëndrojnë. Ato janë edhe më tej përgjegjëse për biznesin e përditshëm. Megjithatë niveli europian do të pajiset me të drejtat e një ndërhyrjeje të ashpër dhe të papritur. Veçanërisht mbikqyrësit evropianë mund të ndërhyjnë menjëherë në rastin e një krize financiare të re.

Politika ende influencuese?

Megjithatë, parlamentarët duhet të bënin këtu lëshime, siç u shpreh me keqardhje kreu i socialistëve evropianë, Martin Schulz. As Komisioni i BE-së dhe as“Këshilli i ri për riskun” nuk e shpallin krizën, por vetëm Këshilli i Ministrave të Financave të BE. “Kjo do të thotë që shtetet anëtare i kanë të drejtat ligjore në dorë që të vendosin se çfarë është krizë dhe çfarë nuk është krizë. Dhe përvoja na mëson neve që qeveritë shumë rrallë janë të gatshme për të vendosur me shumicë, se vërtet janë në krizë”.

Ndërkohë një derë e pasme është lënë ende e hapur për qeveritë e shteteve anëtare:

Udhëzimet e mbikqyrësve të BE-së mund të mos kenë ndikim të madh mbi buxhetet kombëtare. Kjo mund të jetë për shembull në një rast kur një bankë e madhe do të duhet të shpëtohet përmes garancisë së shtetit.

Autor: Martin Bohne/Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Lindita Arapi