1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulm me bomba në maratonën e Bostonit

Bahri Cani16 Prill 2013

Në maratonën e Bostonit kanë ndodhur dy shpërthime që vlerësohen si sulmi më i rëndë në SHBA, që prej 11 shtatorit të vitit 2001. Sipas të dhënave të deritanishme ka të paktën tre të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.

https://p.dw.com/p/18GQs
Fotografi: picture-alliance/dpa

Rreth orws 14:50 të hënën (15.04.2013) Bostonin e kanë tronditur dy shpërthime. Pak minuta më vonë nga vendi i ngjarjes raportuan televizionet amerikane, prej CNN e deri tek Fox Newsi ku shihen fotografi të njëjta, të njerëzve të plagosur nga shpërthimet dhe atletë të frikësuar të maratonës. Gjithandej të plagosur dhe njerëz duke ikur në panik. Pak më vonë për ngjarjen u informua edhe presidenti amerikan Barack Obama si dhe të gjitha autoritetet e rëndësishme amerikane. Presidenti Obama në një fjalim të shkurtër tha se të gjithë aktorët apo grupet që qëndrojnë pas këtij atentati do të zbulohen dhe do të nxirren para drejtësisë. Njëkohësisht policia dhe organet e sigurisë forcuan masat e sigurisë pranë Shtëpisë së Bardhë dhe të gjitha objektet e rëndësishme amerikane në Nju Jork, Uashington dhe të gjitha qytetet e tjera. Maratonat janë të planifikuara edhe në Nju Jork, në Çikago dhe më pas edhe në Londër. Gjithandej mbretëron shqetësim për mundësinë e sulmeve.

Megjithatë vëmendja më e madhe i kushtohet sulmeve me bomba në Boston, ku sipas të dhënave të deritanishme u vranë të paktën tre dhe u plagosën mbi 150 persona. Autoritetet njoftojnë se të paktën 10 persona po luftojnë për jetën. Nga fotografitë e publikuara nga vendi i ngjarjes shihet një tollovi e madhe, tym dhe panik. Televizionet amerikane menjëherë flisnin për dhjetëra të plagosur.

Pamje nga vendi i ngjarjes
Pamje nga vendi i ngjarjesFotografi: picture-alliance/AP

Deri tani nuk dihet se kush qëndron pas këtyre sulmeve, por në media u përmenden organizata të ndryshme terroriste, ndër të cilat edhe Al Kaida.

Informimi i gjerësishëm

Mediat bëjnë të ditura se ky është sulmi më i rëndë në SHBA që nga 11 shtatori, ku në këtë vend janë ndryshur dukshëm masat e sigurisë. Në SHBA ka ndryshuar komunikimi mes shërbimeve të ndryshme të sigurisë. Shërbimet janë të ndërlidhura më mirë mes vete sesa në shtatorin e vitit 2001. Megjithatë as këto masa nuk ishin të mjaftueshme për të evituar këtë sulm në Boston.

Tre orë pas sulmit në Boston, presidenti amerikan Barack Obama në fjalimin e tij të shkurtër ka premtuar mbështetjen e plotë të të gjitha shërbimeve për zbulimin, kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve dhe trupave që qëndrojnë pas këtyre sulmeve.