1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulm ndaj ambasadës izraelite në Kajro

10 Shtator 2011

Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Egjiptit janë në një krizë të thellë, pasi demonstruesit egjiptiane sulmuan pjesë të ambasadës izraelite në Kajro. Qeveria izraelite i bëri thirrje për ndihmë qeverisë amerikane.

https://p.dw.com/p/12WX4
Protestuesit qëllojnë me gurë forcat e sigurisë, pranë ndërtesës së ambasadës izraelite në Kajro.
Trazira në KajroFotografi: AP

Demonstruesit egjiptianë sulmuan pjesë të ambasadës izraelite në Kajro, gjatë natës së të shtunës (10.9.). Qindra protestues shkatërruan fillimisht një mur mbrojtës një metër e gjysmë të lartë. Rreth 30 prej tyre hynë më pas në ndërtesën, ku gjendet ambasada. Në ambjentet e ambasadës ata grabitën qindra dokumente, të cilat i hodhën në rrugë.

Edhe automjeteve të policisë iu vu flaka. Qeveria egjiptiane kundërveproi me dhunë ndaj demonstruesve, rreth 200 vetë mësohet se kanë pësuar lëndime. Qeveria egjiptiane angazhoi edhe forca të ushtrisë. Disa qindra ushtarë morën pjesë në aksionin kundër demonstruesve, forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës, si dhe automjete të blinduara.

Fundi i paqes?

Flakë në rrugën ku ndodhet ambasada izraelit në Kajro
Situata shkallëzohetFotografi: AP

Ambasadori izraelit Jizhak Levanon mesa duket është larguar nga Egjipti pas sulmit kundër ambasadës. Nga qarqe të aeroportit mësohet se të shtunën ai së bashku me familjen dhe personelin e ambasadës, është ndodhur në aeroport dhe është larguar nga Egjipti. Qeveria egjiptiane sipas një raporti të kanalit televiziv Al Xhazira i ka vendosur në gjendje alarmi forcat e sigurisë në kryeqytet dhe thirri kabinetin e sigurisë në një takim krize.

Shkak për protestat ishte vdekja e pesë policëve egjiptianë, të cilët u vranë në kufirin izraelito-egjiptian. Forcat izraelite të sigurisë i vranë ata gabimisht, gjatë një aksioni në ndjekje të militantëve islamistë. Qeveria izraelit kërkoi falje zyrtarisht, megjithatë në Egjipt janë shtuar zërat që kërkojnë dhënien fund marrëveshjes së përbashkët të paqes. Egjipti dhe Izraeli e kanë lidhur marrëveshjen e paqes në vitin 1979.

Presidenti i SHBA-së Barack Obama telefonoi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu. Obama tha se ishte "shumë i shqetësuar". Ai i bëri thirrje qeverisë egjiptiane të garantojë sigurinë e ambasadës izraelite. Ministri izraelit i Mbrojtjes Ehud Barak, iu lut Ministrisë amerikane të Mbrojtjes, për ndihmë në mbrojtjen e ambasadës në Kajro.

Autor: Dirk Eckert / E. Xhani (afp, dapd, dpa)

Redaktoi:Mimoza Kelmendi