1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulm para kuartierit qendror të Nato-s në Kabul - talebanët përhapin frikë në prag të zgjedhjeve presidenciale

15 Gusht 2009

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Afganistan si pasojë e një shpërthimi të rëndë gjetën vdekjen tre vetë. Përgjegjësinë e sulmit e morën përsipër talebanët radikal-islamik.

https://p.dw.com/p/JBqI
Zjarr pas shpërthimit në Kabul
Zjarr pas shpërthimit në KabulFotografi: AP

Ende pa u fashitur jehona e shpërthimit që ndodhi të shtunën (15.08.) talebanët u lajmëruan dhe morën përsipër përgjegjësinë ndaj atentatit të rëndë në Kabul. 'Sulmi është kryer nga kryengritësit, i tha një zëdhënës i talebanëve studios për Azinë Jugore të kanalit të parë televiziv gjerman ARD. Objektiv i vërtetë i sulmit sipas këtij njoftimi ishte ambasada amerikane, e cila ndodhet në të nëjtën rrugë. Megjithatë kamikazi taleban nuk arriti të depërtojë deri atje andaj ka aktivizuar bombën para kuartierit qendror të NATO-s.

Logoja e NATO-s
Logoja e NATO-sFotografi: NATO

Ndërkohë që përfaqësuesit e talebanëve flasin për disa ushtarë të vdekur të trupave ndërkombëtare, sipas të dhënave të autoriteteve viktima të sulmit në qendër të kryeqytetit afgan janë vetëm civilët. Kuartieri i NATO-s është i mbrojtur mirë nga blloqe betoni, pas të cilave qëndrojnë rojet ushtarake.

Siç duket personat e plagosur, për të cilët flasin dëshmitarët okularë ishin vizitorë të Ministrisë afgane të Aeronautikës, e cila ndodhet përballë kuartierit qendror të NATO-s, por nuk është pothuajse aspak e mbrojtur. Përveç kësaj para hyrjes së kuartierit qendror të NATO-s zakonsiht qëndrojnë shumë fëmijë, që provojnë t'u shesin cigare dhe çamçakëz vizitorëve të huaj.

Pamje nga Kabuli
Pamje nga KabuliFotografi: Pahjwok Afghan News

Koha e kryerjes së sulmit nuk është e rastësishme: ngjarja ndodhi vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Afganistan, për të cilat militantët silamistë kanë bërë thirrje të bojkotohen. Kështu që atentati nuk është i drejtuar vetëm kundër trupave të huaja ushtarake në vend, tërheqjen e të cilave e kërkojnë talebanët, por edhe kundër popullatës afgane. Përmes akteve të dhunshme talebanët provojnë t'i frikësojnë afganët në mënyrë që ata të mos marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe krahinore më 20 gusht.

Në bazë të anketave të fundit shumica e 17 milionë zgjedhësve afganë do të dalin në votime. Por do të jetë dita e votimit ajo që do të tregojë se sa do të funksionojë taktika për frikësim e talebanëve për të penguar qytetarët të japin votën e tyre.

Autore: Sabina Matthay / Esat Ahmeti

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora