1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080211 Russland Terror

8 Shkurt 2011

Dy javë pas sulmit terrorist ndaj aeroportit Domodedovo të Moskës përgjegjësinë e mori përsipër udhëheqësi i rebelëve çeçenë Doku Umarov.

https://p.dw.com/p/10D7J
Udhëheqësi i rebelëve çeçenë Doku UmarovFotografi: AP

Në një video-clip të hënën në mbrëmje (7.2.) , që u publikua në faqen islamiste të internetit Kavkazcenter.com Doku Umarov tha, se e ka udhëzuar vet këtë atentat. Umarov e cilësoi atentatin kamikaz, si pasojë e të cilit gjetën vdekjen 36 vetë, si hakmarje ndaj krimeve ruse në Kaukaz.

Mediet ruse në përgjithësi e kanë injoruar videon e udhëheqësit të rebelëve, Doku Umarov. Stacioni moskovit Echo Moskwar i kushtoi vetëm një lajm video-mesazhit. Mbrëmjen e së hënës (7.2.) faqja islamiste në internet publikoi regjistrimin që mban datën 24 janar - dita e sulmit terrorist. Umarov, i cili sërish u shfaq me uniformë maskimi në një sfond të errët, merr përgjegjësinë për atentatin kamikaz në aeroportin e Moskës Domodedovo.

„Pas operacionit të posaçëm, që u krye sot më 24 janar në Moskë, politikanët dhe përfaqësuesit e fesë i akuzuan organizatorët për terrorizëm dhe mëkate të tjera çnjerëzore. Ky operacionin i posaçëm u krye me urdhërin tim. Do të ketë edhe më tej sulme të këtij lloji.“

Në regjistrimin prej 16 minutash terroristi i kërkuar në nivel ndërkombëtar paraqiti një pamje të zymtë. Sipas tij në të gjithë botën, qoftë në Evropë, në Afrikën e Veriut apo në Kinë, myslimanët pengohen prej qeverive të tyre që të jetojnë në liri. Synohet të përndiqen pushtuesit. Umarov disa herë iu referua Allahut dhe theksoi qëllimin e tij, se do të krijojë në Kaukaz një shtet fetar të pavarur nga Moska.

Bombenanschlag Russland Flughafen NO FLASH
36 vetë gjetën vdekjen nga sulmi terroristFotografi: dapd

„Qindra prej "vëllezërve" tanë janë të gatshëm të japin jetën për Allahun. Qindra janë të gatshëm të hakmerren ndaj njerëzve, që janë kundër Allahut. Unë do t' i dëshmoj regjimit të Putinit, që ne mund të kryejmë operacione të posaçme atje, ku na përshtatet dhe atje ku duam. Ne do t' i organizojmë aksione të tilla edhe më shpesh si dhe më rregullisht. Unë nuk dua që të ketë gjakderdhje të madhe dhe do të dëshiroja, që Rusia t' i shmangë viktimat e shumta të këtij lloji, që Rusia t' i thërrasë arsyes dhe të largohet nga Kaukazi.“

Kryeministri Putin ka deklaruar herë pas here në të shkuarën, që të përndiqet dhe të vritet Umarovi. Pas atentatit në Domodedovo, ku gjetën vdekjen 36 vetë dhe mbi 180 të tjerë u plagosën, kryeministri i përjashtoi kategorikisht bisedimet me terroristët. Çdo lëshim është vetëm një agresion i ri dhe ka si paosjë edhe më shumë viktima. Putin e konsideroi si jo të mundshme që gjurmët e sulmit çonin në Çeçeni.

Atentatori kamikaz, sipas të dhënave të hetuesve, vinte nga Republika fqinjë e Ingushetisë - bëhej fjalë për një djalë 20 vjeçar, i cili e ka kryer atentatin nën influencën e drogave. Thuhet gjithashtu, se ndërkohë janë identifikuar edhe dy bashkëautorë. Komiteti kombëtar kundër terrorit nuk donte ta komentonte videomesazhin e Umarovit - ngjashëm u shprehën edhe përfaqësuesit e shërbimit të brendshëm sekret FSB. Kjo parimisht nuk është e zakontë. Emiri i vetëemëruar i Kaukazit në të shkuarën ka marrë përgjegjësinë për disa akte terroriste - ndër të tjera edhe për sulmet kamikaze në metronë e Moskës marsin e kaluar, si pasojë e të cilave gjetën vdekjen 40 vetë.

Bombenanschlag Russland Flughafen Dossierbild 3
Sulm terrorist ndaj aeroportit Domodedovo të MoskësFotografi: dapd

Shërbimi sekret FSB të martën (08.02.2011) i paraqiti Dumës (parlamenti rus) një raport mbi stadin e hetimeve të sulmit në aerportin Domodedovo. Njëkohësisht të martën u bë e ditur, se një nëpunës i nivelit të lartë të shërbimit sekret është pushuar nga puna lidhur me atentatin kamikaz.

Autor: Stephan Laack/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Aida Cama