1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sulmohet me granata kampi i KFOR

Bekim Shehu19 Qershor 2012

Dy granata dore janë hedhur sot në mëngjes nga persona të panjohur në kampin e forcave paqerujatëse të KFOR-it në vendkalimin Kufitar me Serbinë në Bërnjak e njohur si pika kufitare 31, njoftojnë zyrtarë të KFOR-it.

https://p.dw.com/p/15HlT
Kosovë
KosovëFotografi: picture-alliance/dpa

Dy granata dore janë hedhur sot në mëngjes nga persona të panjohur në kampin e forcave paqerujatëse të KFOR-it në Vendkalimin Kufitar me Serbinë në Bërnjak e njohur si pika kufitare 31, njoftojnë zyrtarë të KFOR-it. “Njëra granatë ka shpërthyer, ndërsa tjetra ka mbetur e pashpërthyer në mes të rrugës, duke bllokuar trafikun. Një ushtar i KFOR-it ka pësuar humbje të lehtë të dëgjimit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Nuk bëhet e ditur për ndonjë dëmtim të madh material. Forcat paqerujatëse kanë mbyllur për qarkullim vendkalimin kufitar në Bernjak për të zhvilluar hetimet. Komanda qëndrore e forcave paqerjatëse e dënon përdorimin e papranueshëm të dhunës, e cila siç thuhet do të luftohet fuqishëm nga KFOR-i.

Sulmi me granata dore mbi kampin e KFOR-it në vendkalimin kufitar me Serbinë në Bernjak, dënohet fuqishëm nga institucionet qëndrore dhe partitë politike. “Ky sulm i radhës mbi forcat paqëruajtëse të KFOR-it që bëhet nga strukturat kriminale në veriun e Kosovës, është i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës i jep mbështetje të plotë KFOR-it në përmbushjen e misionit të vet për sigurimin e lëvizjes së lirë edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës”, thuhet në një njoftim të shkruar të qeverisë së Kosovës. Qeveria fton të gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe të bashkëpunojnë me KFOR-in.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, konsideron se sulmet e tilla janë sulme direkte ndaj rendit dhe ligjit, sulme kundër forcave që kanë mandatin për të garantuar lirinë e lëvizje dhe një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet në reagimin e LDK-së.