1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia në konflikt me Sirinë

Baha Güngör6 Tetor 2012

Kundrejt Sirisë Turqia duhet të qëndrojë në rrugën e arsyes, gjykon në komentin e tij Baha Güngör. Megjithatë, në konfliktin e Sirisë Rusia dhe Irani vazhdojnë të jenë ndryshore të panjohura.

https://p.dw.com/p/16LCf
Fotografi: dapd

Shefi i regjimit në Siri Bashar al Assad nuk po sillet ndryshe nga tiranë arabë të rrëzuar në historinë e re. Dridhmat e tij gjatë agonisë sa vijnë e bëhen më intensive dhe vetëvrasja e tij me këste avancon. Granata që shpërtheu në vendbanimin kufitar turk Akcakale, duke shkaktuar vdekjen e njerëzve të pafajshëm, nuk është gjë tjetër veçse përpjekje e Assadit për të provokuar një fqinj të fortë dhe për të lënë pas në rajon, kur të mos jetë më kryetar shteti, tokë të djegur.

Reagimi i Turqisë ishte me vend, ajo mori shpagim ushtarakisht, mirëpo, pa pushtuar territor sirian. Megjithatë, Turqia duhet të qëndrojë në rrugën e arsyes. Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan (i bërë me krahë nga mbështetja ndërkombëtare dhe nga deklarata përkrahjeje) nuk bën kurrsesi të nisë nga vetja e vet aksione ushtarake të mëtejshme kundër Sirisë. Autorizimi i vendosur prej parlamentit, për të vepruar ushtarakisht kundër shteteve fqinje agresive (pa u kufizuar me emër te Siria), nuk është dëshmi privilegjesh për vendin e NATO-s, që ky të veprojë me kokë të vet që t'i vërë aleancën perëndimore dhe partnerët evropianë para fakteve të kryera. Veç kësaj, mesazhet e pangatërrueshme të popullsisë turke kundër luftës me Sirinë pas vendimit parlamentar tregojnë qartë se Erdogan-i duhet të veprojë me kujdes në politikën e brendshme.

Bahaeddin Güngör
Bahaeddin GüngörFotografi: DW

Sa më shumë zvogëlohet shpresa se Assadi do të japë dorëheqjen vullnetarisht dhe mund t'ia mbathë në Moskë, aq më esëll duhet të sillet para së gjithash Turqia. Ndërkohë, projekti i Ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, me titullin ambicioz "Zero probleme me fqinjët", mund të konsiderohet i dështuar. Më saktë, Turqia gati nuk ka më fqinjë, me të cilët nuk ka probleme. Mbështetja e Perëndimit është njëherë për njëherë e kufizuar te rasti i Sirisë dhe nuk do të shfaqej në formë kaq të qartë po të ishte fjala ta zëmë për Armeninë, Greqinë a Bullgarinë.

Ndryshore të panjohura me reagime të paparashikueshme mbeten Irani dhe superfuqia, Rusi. Vërtet që Kremlimi e mbështet ende Bashar al Assadin, mirëpo sundimtari rus Vladimir Putin ka për t'u menduar shumë mirë nëse ia vlen ende të angazhohesh për një diktator në perëndim duke futur në pasiguri partnerë të tjerë të rëndësishëm në rajon. Kur është fjala për Turqinë, edhe Irani do të kufizohet me kritikë të ashpër verbale ndaj Ankarasë dhe nuk do të guxojë të ndërmarrë aventura ushtarake pa ndihmën e kurrkujt.

Rusia (edhe Irani) zotërojnë "armë" të tjera kundër Turqisë, në rast se ky vend nuk sillet me arsye: gazin natyror! Dimri është në prag dhe një ulje e ndjeshme e livrimit të gazit natyror nga Rusia apo edhe e burimeve të tjera natyrore nga Irani do ta ndalte dhimbshëm zhvillimin ekonomik prosperues në Turqi. Atëherë do të ishte vetëm çështje kohe se kur Turqia do të kthehej sërish nga "i forti i Bosforit" tani në një "të sëmurë".

E pa dyshim, kjo nuk është as në interesin evropian as në atë të SHBA-së apo të NATO-s. Për këtë arsye Erdogani bën mirë të heqë dorë nga të gjitha sipërmarrjet duke besuar te forcat e veta dhe të veprojë vetëm në radhë me Perëndimin si dhe me Kombet e Bashkuara. Një hakmarrje ushtarake në rast futje hundësh (si në rastin e fundit) apo mbështetja aktive e opozitës siriane duhet të mjaftojnë njëherë për njëherë, në mënyrë që zjarri kanosës në sipërfaqe të madhe të mos shkaktohet pikërisht prej Turqisë.