1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të drejtat e autorit në Shqipëri - gjendja aktuale

12 Prill 2012

BE e ka shtuar mbështetjen për mbrojtjen e të drejtave të autorit në Shqipëri. Në Shqipëri vërehet një ndërgjegjësim i opinionit për pronësinë intelektuale e të drejtat e autorit. Shqipëria ka detyrime evropiane.

https://p.dw.com/p/14c2Z
Kopjimi pa leje sjell shëmtimin e artit
Kopjimi pa leje sjell shëmtimin e artitFotografi: dundanim/Fotolia.com

Në më shumë se dy dekada të tranzicionit në Shqipëri është i dukshëm liberalizmi në tregun e botimeve, të publikimeve dhe të transmetimeve të krijimtarisë audio e video të autorëve vendas dhe të huaj. Nga një vend i izoluar me censurë të pashembullt dhe me fobi ndaj produkteve përendimore, që konsideroheshin si “dekadente dhe kundër moralit të shoqërisë shqiptare”, u kalua në një situatë ku pronësia intelektuale nisi të qarkullojë pa kurrfarë problemi.

Fondet muzikore, filmat, dokumentarët, botimet e literaturës më të mirë botërore, krijimtaria shkencore apo gjithçka tjetër e krijuar nga autorë të huaj e vendas nisi të riprodhohej, shpërndahej, apo përvetësohej për qëllime fitimi ose jo nga gjithkush. Pa bërë asnjë procedurë paraprake për të marrë pëlqimin, pa paguar asgjë për këtë përdorim. Cënimi i të drejtës së autorit bëhej jo vetëm nga tregtarë të vegjël buzë trotuareve, por dhe në veprimtari biznesi të strukturuara dhe me qarkullim të konsiderueshëm monetar, nga operatorë radio televizivë, nga institucione shtetërore të të gjitha niveleve etj.

Krahas përpjekjeve që kanë bërë vetë autoritetet në Shqipëri për të punuar në përmirësimin e gjendjes sa i takon respektimit të së drejtës së autorit, vitet e fundit ka patur dhe një suport nga BE me projekte konkrete. Në thelb kjo mbështetje e fut Shqipërinë në brazdën e standardeve që kanë dhe vendet e tjera anëtare të BE në këtë aspekt.

Një pjesë e madhe autorësh kopjohen pa u cituar
Një pjesë e madhe autorësh kopjohen pa u cituarFotografi: Carlo Süßmilch - Fotolia.com

Sipas drejtores së Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit, Nikoleta Gjordeni, një nga synimet është forcimi i kapaciteteve operacionale të kësaj Zyre nëpërmjet mbështetjes së stafit për të zbatuar kompetencat e saj në mënyrë eficente, për të zbatuar legjislacionin aktual dhe duke përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet grupeve të ndryshme të interesit.

“Synim tjetër është të sigurojmë përafrimin ligjor me standartet e BE-së dhe me praktikat më të mira përmes transpozimit të duhur të ligjeve të BE dhe për të përmirësuar ligjet si të dobishme dhe të përshtatshme në fusha specifike në përputhje me praktikat më të mira europiane. Gjithashtu objektiv është rritja e ndërgjegjësimit mbi të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura përmes përdoruesve të veprave të mbrojtura me të drejtë autori, ose të drejtat e lidhura, mbajtësit e të drejtës, përfaqësuesit e tyre dhe komunitetin në përgjithësi”.

Alban Beqa për disa vite ka punuar si ekspert në një agjenci për të drejtat e autorit në fushën e muzikës. Sipas tij situata në Shqipëri ka nisur të ndryshojë, por gjithsesi Beqa i përshkruan hapat mjaft të ngadalshëm. Situata është komplekse për disa arsye, thotë ai për DW.

“Ka të bëjë me anën e respektimit të ligjit, që nuk është e panjohur dhe në sektorë të tjerë të jetës, por është shumë e theksuar në respektimin e së drejtës së autorit. Ka të bëjë me mungesën e ndërgjegjësimit të mjaftueshëm të komunitetit të artistëve, këtu kam parasysh autorët, artistët që ekzekutojnë, këngëtarët, instrumentistët dhe orkestrantët dhe producentët. Mungon një regjistër i plotë nga ana ligjore për njohjen e pronësisë intelektuale. P.sh., sot po të kontaktosh me autorët më të famshëm të muzikës në Shqipëri, vë re që ata nuk janë ende të ndërgjegjësuar për detyrimet që ata kanë ndaj pronësisë që ata vetë kanë krijuar, për rrjedhojë dhe detyrimin që ata kanë për të krijuar të ardhura nga kjo pronësi që ata tashmë e kanë, por që me dokumente realisht nuk ekziston.”

Alban Beqa flet për DW
Alban Beqa flet për DWFotografi: DW/A.Muka

Në Zyrën Shqiptare të së Drejtës së Autorit e shikojnë me shumë optimizëm faktin e hartimit të një projektligji të ri për të drejtën e autorit, një projekt që ka kaluar të gjitha procedurat e hartimit dhe konsultimit me ekspertët vendas dhe të huaj, duke afruar këtë kuadër me atë të vendeve të BE-së. Projektligji pas diskutimit dhe miratimit në parlament pritet që të ketë ndikim në ndryshimin e gjendjes. Përpos kësaj ekziston dhe një kuadër i konsiderueshëm i akteve ndërkomëbtare siç janë Traktatet dhe Konventat, të cila janë ratifikuar apo ku Shqipëria është palë, që jo vetëm plotësojnë ligjin shqiptar, por janë një referencë e mirë ligjore për shumë zbatimin e të drejtave dhe interpretimin e duhur të shumë rasteve të hasura në praktikën e punës së Zyrës.

Alban Beqa mendon se përshpejtimi i hapave përmirësues në fushën e respektimit të të drejtës së autorit duhet të lidhet me angazhimet që ka vendi në procesin e integrimit europian. Ky aspekt është një kërkese, një kushte më vete që Shqipëria duhet të tregojë me fakte, me rezultate konkrete, se ka një kuadër ligjor, por dhe një nivel zbatueshmërie të këtij kuadri në një nivel me vendet e BE-së, thotë ai për DW.

Në përkthime shkelen shpesh të drejtat e pronësisë
Në përkthime shkelen shpesh të drejtat e pronësisëFotografi: DW/A.Muka

“Qeverisja aktuale, por dhe ato të mëparshme mendoj se nuk kanë patur një vullnet të plotë që pronësia intelektuale duhet respektuar ashtu si e drejta pronësore në çdo fushë tjetër të jetës. Mendoj se detyrimet që ka Shqipëria në raport me integrimin europian, marrëveshja e Stabilizim Asociimit, hapat e tjerë vijues, si marrja e statusit te vendit kandidat për BE e hapat e tjerë me rradhë deri tek antarësimi krijojnë detyrime të qarta për shtetin shqiptar për ta shikuar seriozisht këtë çështje. Akoma edhe sot nuk ka një respektim të ligjit në këtë fushë qoftë dhe nga vetë strukturat përgjegjëse. Kur them se duhen bërë ‘detyrat e shtëpisë' këto nuk duhen bërë për vetëm t'u bërë qejfin ndërkombëtarëve në Bruksel, por që efektet pozitive që vijnë nga respektimi i të drejtave autoriale ti ndjejnë në rradhë të parë ata që i meritojnë, të japin efekt në në mbarë demokratizmin e shoqërisë.”
 

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi