1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të hapen apo mos të hapen kutitë është një çështje, që e ka futur vendin në një krizë politike disamujore

19 Mars 2010

Për analistin Andrea Stefani kjo krizë nuk pritet të zgjidhet as me presionin e faktorit ndërkombëtar. Kurse analisti tjetër Lutfi Dervishi mendon se gjendja e krijuar po vë në rrezik zgjedhjet e ardhshme pas një viti.

https://p.dw.com/p/MXfU
Sheshi kryesor në TiranëFotografi: DW

Analisti Andrea Stefani mendon se parlamenti aktualisht është futur në një situatë pa krye me diskutimin, që po bën për hetimin e zgjedhjeve. Të dy palët, mazhorancë e opozitë janë në pozicionet e muajve më parë dhe kjo e bën gjithnjë e më të largët arritjen e një konsensusi, thotë Stefani për DW. Ai quan të paefektshëm dhe presionin e rolin e faktorit ndërkombëtar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më parë.

“Më shumë se sa presion këto janë disa sugjerime moralistike, që nuk pinë ujë në një situatë, ku secila nga palët politike në konflikt, po të lëshojë, humbet. Në këtë kuptim ky presion nuk do të ketë asnjë efekt. Kriza do të vazhdojë. Do të vazhdojë dhe bojkoti i opozitës jashtë parlamentit për ta bërë më të kushtueshme politikisht për qeverinë moslëshimin ndaj kërkesave të opozitës”.

Andrea Stefani
Analisti Andrea StefaniFotografi: DW

Ajo, që ka nisur pasditen e së enjtes, që vazhdon edhe gjatë ditës së sotme në parlament, sipas Andrea Stefanit, do të vazhdojë gjatë duke shtuar dhe kosto të tjera për vendin.

“Kam mendimin se e vetmja zgjidhje e mundshme në një të ardhme relativisht jo të largët do të ishte ndoshta vetëm kalimi në zgjedhjet e parakohshme”.

Analisti tjetër Lutfi Dervishi e përshkruan si paradoksale atë, që ndodh në parlament. Kur sipas tij diskutohet për zgjedhje, që kanë 9 muaj, që janë mbyllur. Më shumë se sa zgjedhjet e kaluara unë shoh si rrezik dëmtimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale, që priten të zhvillohen pas afër një viti, thotë Dervishi për DW.

“Eshtë një paaftësi për të parë në të ardhmen. Kur diskuton për të shkuarën, gjithmonë duhet të kërkosh fajtorë. Të diskutosh të ardhmen duhet të kërkosh alternativa. Ky lloj diskutimi mungon. Më shumë se sa për zgjedhjet ky mendoj se është një ngërc politik, një krizë politike, turbulencë politike, që bëhet për llogari politike e për të fituar dhe nuk është se shoh ndonjë shqetësim për të përmirësuar më tej zgjedhjet”.

Lutfi Dervishi
Analisti Lutfi DervishiFotografi: DW

Për Dervishin zgjedhjet e fundit politike e kanë “një skaner” professional, e kanë si të thuash një “analizë gjaku komplet”, që është raporti përfundimtar i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it. Dhe ky raport ka mjaft elementë shumë më të rëndësishëm për t'u bërë se sa ato, që po dëgjojmë momentalisht në sallën e parlamentit.

“Që janë çështje të transparencës, financimi i fushatës elektorale, deklarimi i të ardhurave e shpenzimeve nga partitë në këtë fushatë, çështje kushtetuese, si përzgjedhja e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, shkelja e konventave nderkombëtare, kur kryetarët e partive kandidojnë në çdo qark, problemet e përdorimit të inagurimeve gjatë fushatës, apo ato të vullnetit politik, që kanë palët, që kanë ndërtuar këtë sistem”.

Ndaj dhe energjitë, që po shpenzohen sipas analistit Lutfi Dervishi janë të kota dhe aq më keq, që ato karikojnë gjendje tensioni dhe qëndrimesh të skajshme, që nuk i shërbejnë procesve integruese, të cilat synon vendi.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica