1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të kthyer nga kufiri gjerman

Alison Langley16 Janar 2016

Në kufirin gjermano-austriak sundon një gjendje kaotike: Qindra refugjatë duan të kalojnë përmes Gjermanisë në vende të tjera. Por shumë prej tyre kthehen sërish në Austri.

https://p.dw.com/p/1HeKM
Deutschland Flüchtlinge am Grenzübergang in Schärding
Refugjatë pranë kufirit gjermano-austriak, ShardingFotografi: picture-alliance/dpa/C. Bruna

Një mbrëmje e ftohtë dhe me stuhi në Sharding të Austrisë kur 40 vetë, familje nga Siria, Afganistani dhe Iraku futen në një çadër të Kryqit të Kuq, një kilometër larg kufirit gjerman. Së paku për këtë natë ata e kanë të sigurtë një strehë të ngrohtë dhe një tas me makarona. Se si do të bëhet më tej, nuk e di askush.

Këta refugjatë janë kthyer në kufirin gjerman, por ata nuk e kuptojnë pse. Në çadër nuk ka asnjë partner zyrtar që mund t'i sqarojë për të drejtat e tyre. Adnan sapo kishte mbërritur me gruan dhe dy vajzat në moshë 2 dhe katër vjeç në kufirin gjerman. "Gati hymë në Gjermani dhe donim të vazhdonim më tej në Danimarkë, por policia na tha se pa letra tranziti nuk mund të vazhdojmë më tej udhëtimin", tregon Adnani (emri i ndryshuar nga redaksia) me ndihmën e një përkthyesi. Babai dhe anëtarë të tjerë të familjes që prej shtatë muajsh janë në Danimarkë, por Adnani nuk mund të udhëtonte në atë kohë, sepse qyteti i tij, Mahin ndodhej në duart e të ashtuquajturit e "Shtetit Islamik". Nëntorin e kaluar, kur qyteti u mor nga trupat e Asadit ata shfrytëzuan kaosin e momentit për t'u larguar.

Transiti i pamundur

Adnani është i lodhur, i zhgënjyer dhe i paorientuar. "Gjermania na kthen pas në Austri, Austria në Slloveni dhe po pastaj?", pyet ai. "Do të na kthejnë në Siri?"

Bernd Innendorfer, zëdhënës i policisë në Austrinë e Sipërme shprehet se nuk është e thjeshtë t'ua sqarosh refugjatëve se rregullat prapë kanë ndryshuar. Vitin e kaluar, kur kancelarja Angela Merkel deklaroi se Gjermania pranon refugjatë sirianë, vendet fqinje hapën kufijtë për t'u mundësuar refugjatëve të vijnë në Gjermani. Edhe Austria veproi kështu. Por tani shumë vende kanë ndryshuar ligjet që nga fillimi i vitit për të penguar fluksin e refugjatëve drejt Europës. Suedia ka vendosur e para kontrolle të ashpra kufitare në kufi me Danimarkën. Danimarka nga ana e saj kontrollon me imtësi dokumentet e refugjatëve që vijnë nga Gjermania.

Edhe Gjermania ndjek shembullin e vendeve nordike. Më shumë se 1.800 persona deri më tani janë kthyer mbrapsht nga Gjermania, më shumë se në të gjithë vitin e kaluar. Edhe Austria ka kthyer 1.700 vetë që kanë ardhur nga Sllovenia. Kritikët thonë se kështu po ndahen familjet.

Suedia si destinacion

Nuk dihet se si do të veprohet me personat, të cilëve iu është refuzuar kalimi nga Gjermania. Një polic që nuk do të përmendet me emër thotë se ata janë të regjistruar dhe kanë gjashtë javë kohë për të vendosur se ç'do të bëjnë. Një punonjës i Kryqit të Kuq bën fjalë për katër javë. Saktësisht me sa duket nuk flet kush.

Morad, një përkthyes vullnetar i Kryqit të Kuq rrëfen se refugjatët në javët e kaluara ndjeheshin të pashpresë dhe të dëshpëruar. "Ata refuzohen në Gjermani dhe kthehen këtu tek ne". Nuk dihet se ku do të shkojnë ata pas një nate në çadrën e Kryqit të Kuq, thotë ai.

Bundeswehr Flüchtlinge Organisation Registrierung Erding Bayern
Fotografi: picture-alliance/dpa/A.Weigel

Në anën tjetër të çadrës kanë hapur batanijet një grup burrash dhe grash afgane. "Nëpunësit në kufirin gjerman na pyetën nëse duam të qëndrojmë në Gjermani dhe unë ju thashë se dua të shkoj në Suedi", rrëfen njëri prej tyre. Familja e tij jeton prej dy vitesh në Suedi, dhe ai vetë ka grumbulluar të gjitha kursimet që kishte për të ardhur në Europë.

E ardhme e paditur

Bashkëshortja është në prag të shpërthimit të lotëve. "Ne nuk duam t'u bëhemi barrë austriakëve, ne nuk duam të bezdisim askënd. Ajo që dua është thjesht të vazhdoj të udhëtoj për në Suedi", thotë 25 vjeçarja, Omolbanin Irfani nga Mazari. Edhe Ghualm Nabi do të vazhdojë të udhëtojë për në Suedi tek gruaja e tij. Askush prej tyre nuk kishte pritur të kthehej në kufirin gjerman.

Zëdhënësi i policisë së Austrisë së Sipërme, Bernd Innedorfer rrëfen e ka pasur disa raste, kur refugjatët janë përpjekur të kalojnë ilegalisht kufirin për në Gjermani, si Abdullah Nuristani, që ka tentuar katër herë të kalojë kufirin. Kur kthehen nga kufiri, ata duhet të mbahen 48 orë, thotë Heinz Grundböck, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, pastaj nuk ka më bazë ligjore. "Pas kësaj ata mund të lëvizin."

Vërtet ata janë të lirë dhe mund të lëvizin, por ku? Kjo është pyetja më e vështirë.