1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të lejohen drogërat ilegale?

Peter Kolakowski/ Aida Cama20 Nëntor 2012

Ditën e hënë fillon në Lajpcig një kongres, në të cilin do të diskutohet, nëse përdorimi i drogave si cannabis, apo heroinë do të vazhdojë të përbëjë vepër penale.

https://p.dw.com/p/16m1n
Joint me marihuanaFotografi: Fotolia/Ademoeller

Deri tani në Gjermani ka qenë e lejuar shitja dhe konsumi i dy drograve të vetme, alkoolit dhe tabakut. Një e katërta e njerëzve mbi moshën 15 vjeçare në Gjermani pi rregullisht duhanin, gati gjashtë milionë vetë janë të varur nga nikotina, njofton qendra gjermane për çështjet e vesit. Dhe rreth 1,7 milionë vetë janë të varur nga konsumi i alkoolit. Kostot për sigurimet shëndetësore janë me miliarda.

Vesi i drogës është një sëmundje dhe duhet trajtuar, sepse pasojat e vesit dëmtojnë trupin dhe psiqikën dhe mund të çojnë deri në vdekje. Një njoftim i gëzueshëm është se në Gjermani numri i njerëzve që pijnë duhan dhe alkool është në rënie. Por në rritje është numri i të rinjve, që kapin cigaren dhe shishen dhe fillojnë përdorimin e tyre, shpjegon ekspertja e çështjeve të vesit, Gabriele Bartsch, e cila punon në Qendrën gjermane për çështjet e vesit, shkurt DHS. DHS është një organizatë, në të cilën janë mbledhur shoqata të mëdha dhe të vogla, që merren me çështjet e vesit, që janë qendra këshillimi, klinika dhe grupe të ndihmës së vetvetes.

„Çdo vit në Gjermani ndodhin 73 mijë vdekje, që shkaktohen nga konsumi i alkoolit dhe duhanit. Nëse e krahason, ky është numri i qytetarëve të një qyteti të tërë, si për shembull i qytetit të Brandenburgut."

Aufklärungsplakat Quit the shit
Pllakatë sensibilizimi Quit the shitFotografi: BZgA

Po shqetësim përbëjnë edhe konsumi i cannabisit dhe drograve ilegale. Në Gjermani ato trajtohen nën ligjin për lëndët anestezike. Sipas tij, mbjellja, tregtia dhe konsumi i drogërave të rrezikshme është i ndaluar dhe shkelja e këtij ligji është e dënueshme. Kriminaliteti i drograve duhet të luftohet, popullsia duhet të mbrohet nga ndikimi i dëmshëm i tyre dhe duhet të ruhet nga përdorimi i tyre nëpërmjet këcënimit me dënim në rast konsumi. Por, a ka qenë efikas sistemi i represionit dhe dënimit? Këtë pyetje bën aktualisht qendra gjermanë për çështjet e vesit.

„Asnjë nga masat e tjera të politikës kundër drograve nuk është tani aq i diskutueshëm sa ai i represionit," shpjegon drejtuesi ekzekutiv i DHS, Raphael Gassmann. „Ndërkohë është parë çfarë pasojash ka për konsumin politika relativisht e ashpër e ndalimit dhe çfarë pasojash ka politika më pak e ashpër ose madje heqja e ndalimit të tyre, si dhe ngritja e qendrave për kontrollimin e drograve, që të financohen nga shteti. Në vendet ku situata është shtensionnuar, për shembull në Portugali, në Republikën Çeke, konsumi i drograve nuk është rritur. Dhe në vendet ku situata vazhdojn të jetë e tensionuar nga pikëpamja juridike, konsumi nuk ka rënë, përkundrazi është rritur“.

Cannabispflanze in den USA
Cannabis në SHBAFotografi: dapd

Vërtet që ekziston marrëveshje se dëmet shëndetësore dhe sociale, që shkaktohen nga drogërat ilegale duhet të reduktohen por ekspertët, qoftë ata të vendit, apo ata ndërkombëtarë nuk janë më të sigurt, nëse kjo duhet të bëhet nëpërmjet ndalimit të drograve dhe kriminalizimit të konsumatorëve, shpjegon shefi i DHS. Raphael Gassmann kujton si shembull SHBA-në, në të cilen konsumi i cannabisit vazhdon ndërkohë të ndiqet shumë ashpër dhe të dënohet, pa sjellë uljen e përdorimit të tij.

„Në SHBA sundon përndjekje e ashpër e konsumit të cannabisit, ka vende aziatike në të cilat dënimet janë më ekstreme por, në disa shtete federale të SHBA-së, për disa gram cannabis mund të dënohesh me dhjetëra vjet burgim. Por, në SHBA kemi konsumin më të përhapur të cannabisit. Nivel shumë të lartë konsumi në krahasim me vendet e tjera. Unë nuk njoh asnjë vend tjetër që të ketë konsum kaq të madh të cannabisit sa SHBA!“

Shifra të sigurta, që thonë se ligjet e kanë ulur në mënyrë të qëndrueshme konsumin e drograve ilegale, nuk ka thonë ekspertët. Për më shumë, ndalimi dhe dënimi nuk bën domosdoshmërisht që konsumentët të qendrojnë larg përdorimit. Konsumuesit e cannabisit dhe heroinës nuk tremben nga dënimet. Shpesh, ndalimi vështirëson më shumë kthimin në shoqëri të konsumatorëve të dënuar të drogave dhe nxit vesin e drogës dhe kriminalitetin. DHS tregon për modelin e ashtuquajtur „dhomat e presionit“, të provuara për herë të parë në Zvicër dhe të futura me sukses edhe në Gjermani. Në këto hapësira të financuara me paratë publike, të varurit nga heroina mund ta përdorin drogën nën kontrollin e mjekëve. Kjo tregon se konsumi më i toleruar i drograve i lehtëson rrugën përsonave, që janë të varur që të shkojnë drejt terapisë. Kështu ulet edhe kriminaliteti i konsumatorëve për gjetjen e drogës, që shpesh është vjedhje ose prostitucion. Të prekurit mund të kthehen më lehtë në jetën normale.

Drogenreform Demonstration in Los Angeles
Demostratë për reformën e drogës, Los AngelesFotografi: Jonah Engle

Kostot për ndalimin e drograve dhe zbatimin e masave ndaluese janë shumë më të mëdha se sa kostot për masat preventive. Ekspertët nuk kërkojnë legalizimin e drograve ilegale dhe të rrezikshme, shitjen dhe tregtimin e tyre, si përshembull të cannabisit, siç propozohet nga disa politikanë gjermanë.

Raphael Gassmann: „Çështja nuk është se çfarë duhet të lejë krejtësisht të lirë dhe sa duhet të kujdesemi. Më e rëndësishmja është politika e shëndetit, ne duhet të marrim masa parandaluese, duhet të qartësojmë publikun se përdorimi i tyre nuk është pa probleme, jo vetëm i kokainës, për të mos folur për heroinën, por edhe i cannabisit. Se ato janë lëndë të forta dhe ne duhet të bëjmë përpjekje serioze për parandalimn e gjithë këtyre lëndëve. Dhe duhet të investojmë në terapi.“

Organizata i kërkon autoriteteve të shëndetësisë që të përqëndrohen në të ardhmen në marrjen e masave parandaluese, me të cilat keqpërdorimi i drograve ulet po aq sa me dënimet.

USA Drogen Drogenabhängiger in Puerto Rico
I varur nga drogaFotografi: AP