1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të ndalohet videoja fyese për Mohamedin?

AG/Aida Cama17 Shtator 2012

Të ndalohet apo jo videoja në të cilën fyhet Profeti Mohamed? Gjermania debaton për këtë temë, ndërkohë që në të gjithë botën vazhdojnë protestat kundër videos blasfemike. Google e bllokoi videon në Malajzi.

https://p.dw.com/p/16ADj
Fotografi: Reuters

Videoja fyese për Mohamedin dhe e përhapur me shpejtësi përmes internetit ka ndezur debatin politik në Gjermani. Propozimi i ministrit të Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle dhe i atij të Brendshëm, Hans-Peter Friedrich për ndalimin e transmentimit të saj, ka hasur në kundërshtime. Politikanë të SPD dhe të Gjelbërve janë shprehur kundër ndalimit të saj. Ndalimi i filmit "Pafajësia myslimane" i prodhuar në SHBA shihet si një mjet i fundit në Gjermani. Këtë qëndrim i shprehur politikani socialdemokrat për punë të brendshme, Dieter Wiefelspütz gazetës berlineze "Tageszeitung". Edhe Volker Beck nga partia ekologjiste nuk sheh asnjë bazë ligjore për ndalimin e transmetimit të videos. Përkundër kësaj Beck lëvdoi ministrin Friedrich për ndalimin e udhëtimit të predikuesit amerikan Terry Jones. Jones në 2010 pati bërë thirrje që të digjeshin ekzemplarët e Kuranit. Edhe ministri i jashtëm Guido Westerwelle përshëndeti ndalimin e udhëtimit të tij.

Politikani socialdemokrat Dieter Wiefelspütz
Politikani socialdemokrat Dieter WiefelspützFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërsa pro ndalimit të videos është shprehur politikani kristiandemokrat gjerman Philip Mißfelder. Kam dyshime, ka thënë ai për agjencinë katolike të lajmeve, KNA, nëse mbrojtja e lirisë së mendimit gjen bazë mbështetëse edhe në rastin e blasfemisë. "Mendoj se tallja me zotin është më shumë se lëndimi i emocioneve fetare, por mendoj se është diçka që nuk duhet të jetë prezente edhe në shoqërinë tonë."

Google bllokon videon në Malajzi

Ndërkohë që Google ka njoftuar të hënën se ka bllokuar videon antiislamike në Malajzi, protestat e filluara një javë më parë në botën islame vazhdojnë. Në Kairo, ku demostratat masive filluan ditën e martë në mbrëmje, forcat e sigurisë i larguan njerëzit nga sheshi Tahrir. Në Pakistan pati disa të plagosur në demostrata. Në qytetin port Karaçi, policia përdori gazin lotësjellës dhe ujë me presion kundër demostruesve që ndodheshin para konsullatës amerikane. Në Kabul protestuan mijëra vetë. Disa prej tyre i vunë zjarrin makinave dhe bënë thirrje "Vdekje Amerikës". Demostrues të tjerë qëlluan mbi policët. Por ata nuk u përgjigjën me zjarr.

Nasrallah: Protestat kundër SHBA-së jo kundër të krishterëve

Udhëheqësi i libanezëve radikale të lëvizjes shiite Hisbulla, Hassan Nasrallah ka bërë thirrje për zhvillimin këtë të hënë në Bejrut të demostratave të mëdha kundër videos anti-islamiste, në të cilën degradohet Profeti Mohamed. Demostrata duhet të zhvillohen edhe në vende të tjera në Liban, tha Nasrallah në një bisedë televizive.

Protesta në Kabul
Protesta në KabulFotografi: DW

Shefi i Hizbollahëve i quajti shpifjet e videos që vjen nga SHBA "të rrezikshme dhe të pashembullta". Synimi i filmit është të nxisë konfliktin midis myslimanëve dhe të krishterëve. Tërbimi i demostruesve arabë drejtohet kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, jo kundër të krishterëve, tha Nasrallah. Qeveria amerikane e përdor lirinë e shtypit si justifikim për transmetimin e filmit.

Papa bën thirrje për pajtim

Pak para mbajtjes së fjalimit televiziv nga Nasrallah, Papa Benedikti i XVI. i dha fund vizitës së tij treditore në Liban. Në fund të vizitës udhëheqësi i Kishës romake- katolike bëri thirrje para qindra mijëra besimtarëve nga Libani dhe gjithë rajoni i Lindjes së Afërt për paqe dhe pajtim në rajon. Duke patur parasysh trazirat e shkaktuara nga filmi kundër Muhamedit, Papa theksoi se "Në një botë ku dhuna vazhdon të shkaktojë vdekje dhe shkatërrime, është e domosdoshme që të luftohet për një shoqëri vëllazërore, për ngritjen e një komuniteti të përbashkët."

Si SHBA ashtu edhe Gjermania ka tërhequr punonjësit nga ambasadat në kryeqytetin sudanez Khartum dhe ka dërguar atje forca shtesë sigurie. Ambasada është mbyllur. Ditën e premte demostruesit sulmuan ambientet e ambasadës dhe vendosën zjarr. Sipas njoftimeve të shtypit sulmi ka qenë si akt hakmarrje për demostratat e ekstremistëve gjermanë të zhvilluara para një xhamie në Berlin.