1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Weltbevölkerungsbericht

Volker Wagener28 Tetor 2011

Rreth 7 miliardë njerëz do të arrijë popullata botërore këto ditë - për dyzet vjet do të jenë madje 9 miliardë. Kjo do t'i spostojë pikërëndesat dhe do t'i vërë politikës detyra krejt të reja para vetes.

https://p.dw.com/p/130Rs
Popullsia rritet, por nuk ka nevojë për panik
Popullsia rritet, por nuk ka nevojë për panikFotografi: picture-alliance/dpa

Për panik nuk është nevoja, bota nuk do të përmbyset meqenëse do të popullohet tani duke arritur 7 miliardë vetë. Edhe resurset tona në të gjithë botën mjaftojnë - të paktën deri tani. Pra nuk duhet të jetë dita e veçantë ose numri 7 miliardë, që duhet të na preokupojë. Çështja që shtrohet për diskutim është më tepër fakti, se cilat janë pasojat politike dhe ekonomike që sjell me vete ky zhvillim - dhe para së gjithash: si duhet të ndryshojë politika jonë, për të përballuar si duhet sfidat e një popullate botërore që shtohet në numër. Sepse, çfarë po ndodh?

Zhvillimet demografike

Raporti midis vendeve në zhvillim dhe atyre në ekspansion ekonomik me vendet e industrializuara po kthehet në të anasjelltën e vet. Rritjen më të madhe të popullatës e regjistrojmë në rajonet më të varfra të botës. Përkundrazi, Evropa po plaket pa ndërprerje. Deri në vitin 2020- kështu e ka llogaritur BE - kontinentit "të vjetër" do t'i duhen 25 milionë migrantë nga bota e jashtme, për të ruajtur standardin e tij të jetesës, për të ruajtur sistemet e tij të sigurisë. Evropa do të jetë rajoni i vetëm i madh në botë që do të rrudhet demografikisht në dekadat e ardhshme: deri në vitin 2050 ajo do të rrudhet nga 731 milionë banorë aktualisht në 664 milionë vetë. Veçanërisht të prekura janë vendet e Evropës Lindore, Qendrore dhe Jugore. Rritja ekonomike evropiane do të bjerë në mënyrë masive vetëm për shkak të këtij zhvillimi.

Ute Schaeffer
Ute Schaeffer komentonFotografi: DW

Spostimi i pikërëndesa për shkak të demografisë

Nuk është fjala që ta pikturojmë gjendjen me ngjyra të errëta. Ajo që nevojitet shumë më tepër është që pasojat globale të këtij zhvillimi të shoqërohen në mënyrë të efektshme nga politika, sepse shtimi i numrit të banorëve do t'i spostojë pikërëndesat në botë - me pasoja masive për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqënien në të gjithë botën. Për pak vite, mesatarja jemenitase e moshës do të jetë 32 vjet më e re se sa mesatarja evropiane. Në një kohë kur para 100 vjetësh në qytetet e mëdha jetonin vetëm rreth 220 milionë vetë, në vitin 2050 aty do të jetojnë më shumë se 5 miliardë njerëz. Atij që i mungon si uji, ashtu edhe toka për ta ushqyer familjen e tij do të marrë rrugën për në shoqëritë e mirëqënies.

Por politika jonë e jashtme, ajo ekonomike dhe e zhvillimit vazhdojnë të jenë të lëkundura, kur bëhet fjala për t'u dhënë përgjigje këtyre sfidave. Këtu Evropa bën një përjashtim të vërtetë: ajo përpiqet të koordinojë politikën e saj të jashtme dhe të fqinjësisë. Por kur bëhet fjalë për interesa të politikës ekonomike, edhe për interesa të lidhura me lëndët e para me vlerë, atëherë secili ndjek si më parë në mënyrë të hekurt rrugën e tij.

Politika e shtetit nacional jo më e përshtatshme

Një politikë për një popullatë botërore të 7 ose 9 miliardëve nuk mund të bazohet mbi idenë e një shteti nacional. Edhe policët botërorë të vetmuar, të cilët si SHBA ndërhyjnë me kokë të tyre në zonat e krizave nuk do të kenë sukses në plan afatgjatë. E nevojshme është për më tepër një zgjerim konsekuent i angazhimeve dhe institucioneve multilaterale. Për këtë ka shumë shembuj: mbështetja e koordinuar e NATO-s në Libi, forcimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, për të përmendur vetëm dy prej tyre. Por një politikë për nëntë miliardë vetë do të thotë edhe vënie në plan të dytë të interesave vetjake: që ndarja e resurseve të drejtohet më fort se deri tani, që politika e zhvillimit të kuptohet jo vetëm si instrument humanitar, por edhe si një politikë disa rrafshëshe me pasoja në sjelljen tonë vetjake të konsumit, dhe në politikën tonë ekonomike.

Bevölkerung in Indien
Popullsia në Indi - Duhet të riparohet politika e zhvillimitFotografi: dpa

Një politikë për një shoqëri të përbotshme prej nëntë miliardë vetësh nuk mund të durojë ndonjë kompromis të lodhur në takimin e nivelit të lartë për klimën pak javë më vonë në Durban. Ajo nuk mund të durojë që ne të riparojmë me politikën e zhvillimit ato pabarazi që ne krijojmë me interesat tona ekonomike, me subvencionet tona agrare në Evropë. Një politikë e përbotshme, e cila gjen një përgjigje me efekt për këto sfida, duhet t'u bëjë të qartë zgjedhësve se zhvillimi i një rajoni është i lidhur me zhvillimin e pamjaftueshëm të një tjetri. Që ndryshimet shumë të mëdha në mirëqënie nuk mund të qendrojnë të tilla në plan afatgjatë dhe që një politikë për nëntë miliardë vetë duhet të ketë si synim të njëjtat të drejta, të njëjtat detyrime, të njëjtat shanse dhe rreziqe për të gjithë. Këto nuk janë detyra të lehta politike dhe aq më pak të tilla që të maten me votat e zgjedhësve, të cilat i llogarit t'i marrësh në zgjedhjet e ardhshme.

Autor: Ute Schaeffer/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi