1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080810 Afghanistan Reaktionen

9 Gusht 2010

Ndër dhjetë anëtarët e një organizate humanitare të krishterë të vrarë në veri-lindje të Afganistanit ishte edhe një gjermane. Në Berlin u nxorrën konkluzione të ndryshme lidhur me masakrën.

https://p.dw.com/p/Of69
Fotografi: Lonely Planet Images

Në Berlin mbizotëron indinjata dhe tronditja lidhur me vrasjen e dhjetë ndihmësve të huaj dhe vendas në Afganistan. Ndër viktimat e aktit të dhunshëm krahas pesë amerikanëve, dy britanikëve dhe dy afganëve është edhe një gjermane. Ajo punonte, ashtu si kolegët amerikanë e britanikë për organizatën e krishterë të ndihmës, International Assitance Mission (IAM), e cila kujdeset kryesisht për shërbimin mjekësor okulisitk për popullsinë.

Qeveria gjermane dënon vrasjen dhe bën thirrje për zbardhjen e plotë të rrethanave

Qeveria gjermane bëri thirrje për një zbardhje të plotë të rrethanave të vrasjes me burracakëri, deklaroi zëdhënësja e qeverisë Sabine Heimbach. Ky rast bën të qartë domosdoshmërinë, për të vazhduar edhe më tej me këmbëngulje punën për stabilizimin e gjendjes në Afganistan, ku qeveria afgane mund të marrë gjithnjë e më shumë kompetenca përsipër për sigurinë në vend. Zëdhënësi i grupit parlamentar të unionit kristiandemokrat/kristiansocial për politikën e mbrojtjes Henning Otte, tha: "I shprehim dhimbjen të afërmve të mjekes gjermane. Ky rast sërish tregon, se pavarësisht sukseseve në Afganistan duhet të llogarisim edhe me dështime. Por ne nuk duhet të tërhiqemi nga vendimi për ta vazhduar misionin tonë për stabilizimin e këtij vendi, një kontribut ky që i shërben edhe forcimit të sigurisë në Gjermani."


Opozita kritikon politikën e qeverisë për Afganistanin

Ushtarë të Bundesverit në Afganistan
Ushtarë të Bundesverit në AfganistanFotografi: AP

Opozita në Berlin shprehu indinjatën për vrasjen, viktima të së cilës janë dhjetë mjekë të huaj dhe vendas në Afganistan. Kryetari i grupit parlamentar të partisë ekologjike "Të Gjelbrit" Jürgen Trittin theksoi: "Eshtë tronditëse, që në shënjestër të sulmeve të tilla tashmë duket se nuk janë vetëm ushtarakët, por edhe mjekë, njerëz që kanë ndihmuar. Kjo tregon, se sa pak e qëndrueshme është gjendja në Afganistan sot."

Kryetarja e partisë "E Majta" Gesine Lötzsch, tha se vrasja e mjekëve është jo vetëm tronditëse, por ajo tregon për përmasat e shkallëzimit të situatës në Afganistan. Lötzsch shprehimisht theksoi: "Kjo vrasje na shfaq para syve çdo moment, se sa e gabuar ka qenë dhe është në thelb politika e qeverisë. Në interes të popullsisë afgane dhe të ndihmësve civilë e të ushtarëve gjermanë Bundesveri (ushtria gjermane) duhet të tërhiqet menjëherë nga Afganistani."

Me skepticizëm sa i përket suksesit të misionit ndërkombëtar në Afganistan u shpreh edhe kryetari i partisë socialdemokrate Sigmar Gabriel: "Të gjithë e kanë të qartë, se aksionet ushtarake, që zbatojmë ne atje, nuk do t'ia arrijnë qëllimit për paqtimin e vendit, por ato mund të shërbejnë vetëm për të fituar kohë, koha që ne na duhet për realizimin e zgjidhjeve politike."

Trupat e tetë mjekëve të vrarë dhe dy ndihmësve të tyre afganë ndërkohë janë dërguar për identifikim në Kabul.

Autor: Bettina Marx / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Eliana Xhani