1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të reshurat e dëborës shkaktojnë probleme në procesin e votimit në Maqedoni

22 Mars 2009

Në Maqedoni sot votohet për zgjedhjen e Presidentit dhe kryetarëve të komunave. Reshjet e pandërprera të dëborës në 24 orët e fundit kanë vështirësuar realizimin e procesit zgjedhor

https://p.dw.com/p/HH5x
Pamje nga Shkupi: Shiu i të premtes u zëvendësua të shtunën nga bora
Pamje nga Shkupi: Shiu i të premtes u zëvendësua të shtunën nga boraFotografi: AP

Qytetarët e Maqedonisë sot kanë dalur në rreth 3000 vendvotime për ta shprehur vullnetin përmes votës për zgjedhjen e Presidentit dhe kryetarëve të komunave. Vendotimet jane hapur në orën 7 të mëngjesit dhe të njëjtat do të mbyllen në orën 19. Të rreshurat e mëdha të dëborës që kanë shkaktuar probleme në trafik, vështirësojnë edhe zbatimin e procesit zgjedhor. Nëse nuk zhbllokohen nga bora akset rrugore për fshatrat malore, një pjesë e qytetarëve mund të mbeten pa e shfrytëzuar të drejtën për të votuar. Në Komisionin Zgjedhor të komunës së Çairit, anëtarët e caktuar në vendvotimet në viset malore për shkak të dëborës së madhe ende kishin mbetur në qytet.

“Siç po e shihni, dëborë e madhe. Jemi në pritje të veturave për të na dërguar në vendvotim, shpresoj që kjo vonesë nuk do të prish punë. Votimi deri në fund të ditës duhet të shkojë ashtu siq duhet” thotë Sanije Hajdari, anëtare e komisionit në fshatrat malore.


Po ashtu për shkak të motit të keq, 59 Komisione Zgjedhore Komunale janë ballafaquar me problemin e shpërndarjes së materialit zgjedhor në vendvotime të caktuara. Sa i përket votimit në vendet urbane, aty procesi zgjedhor po rrjedh sipas parashikimeve, në mënyrë të qetë dhe të rregullt.


“ E realizova të drejtën e votës. Në vendvotim ishte qetë, ashtu së paku unë fitova bindjen e si do të jetë deri në fund të ditës nuk e di“ deklaroi Vesna Açkovska nga Shkupi.


1.700.000 banorë me të drejtë vote priten të marrin pjesë në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit si dhe të kryetarëve të komunave dhe të kryeqytetit Shkup. Zgjedhjet po monitorohen nga vëzhgues vendorë dhe të huaj. Numri i monitoruesve vendorë arrin mbi 7.000 ndërsa të huaj rreth 500 prej të cilëve 300 janë vëzhgues të OSBE-ODHIR-it. Sipas Kodit zgjedhor dje (21.03.) votuan personat e sëmurë, të burgosurit dhe ushtarët, numri i të cilëve shkon mbi 2.900. Në garën për president kanë hyrë shtatë kandidatë, katër maqedonas dhe tre shqiptarë, ndersa për kryetarë komunash garojnë 700 kandidatë. Ky proces zgjedhor vlersësohet si shumë i rëndësishëm për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti