1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të rinjtë europianë zhvendosen djathtas

Carla Bleiker17 Dhjetor 2015

Në vendet e BE-së gjithnjë e më shumë të rinj tërhiqen drejt partive të djathta. Ata joshen me mesazh të thjeshta. Disa ekspertë e shohin këtë si rrezik për demokracinë.

https://p.dw.com/p/1HOl5
Deutschland Rechtsradikale
Manifestimi i të djathtëve radikalë më 1 Maj 2015 në EssenFotografi: Imago/J. Tack

Front National në Francë dhe Partia e Lirisë në Austri (FPÖ) janë vetëm dy shembuj të partive të djathta nacionale në BE, radhët e të cilave aktualisht janë duke u forcuar. E këto parti preferohen veçanërisht prej të rinjve. Edhe pse Front National në raundin e dytë të zgjedhjeve rajonale nuk mundi të fitojë, në raundin e parë 35% e 18 deri në 34 vjeçarëve kanë votuar për partinë e Marine Le Pen. Ndërsa në zgjedhjet për parlamentin e landit në Vjenë FPÖ mori 24% të votave nga grupi i zgjedhësve nën 30 vjeç.

Edhe në Holandë, Danimarkë dhe në Poloni partitë e djathta po fitojnë përkrahje të fuqishme nga të rinjtë. Një ndër arsyet është etja për identitet kombëtar brenda BE-së. Partitë e djathta "temën e identitetit e kanë shkruar me të madhe. Dhe të rinjtë janë gjithmonë në kërkim të identitetit", thotë 32 vjeçari ambjentalist, eurodeputeti Jan-Plilipp Albrecht në intervistë për gazetën "Die Welt".

Luftë elektorale me video Hip-Hop

Në Austri FPÖ po fiton mbështeje të madhe prej një grupi të veçantë ndër të rinjtë: Janë kryesisht djem të rinj, shumë me arsim të mangët. Për t'i tërhequr ata, kryetari i partisë Heinz-Christian Strache tregohet cool dhe i çlirët.

Ai nuk vesh kostum, por pantallona xhins dhe mban gjyzlykë dielli. Për zgjedhjet në Vjenë madje ai prodhoi enkas një video me muzikë me Rapper-in MC Blue. Në të të rinjtë brohorasin inicialet e emrit të tij "HC, HC", e melodia është përpunuar në sfond me versionin e valsit të Shtrausit "Anës Danubit të bukur blu"

Video ndonëse duket e çuditshme deri në absurditet, ajo i përshtatet në mënyrë perfekte recetës së suksesit të FPÖ-së tek të rinjtë, mendon Gertraud Diendorfer, drejtore e Qendrës për Demokracinë në Vjenë. "FPÖ-ja zhvillon një luftë agresive elektorale", thotë Diendorfer. "Ata kanë mesazhe shumë të thjeshta dhe të qarta."

Që kryesisht prej FPÖ-së tërhiqen burrat, ajo e shpjegopn me faktin, se partia nuk ka pothuajse asnjë politikane për të ofruar.

Deutschland Brandanschlag an Asylbewerberheim in Weissach
Manifestim elektoral i FPÖ-së në Vjenë me Heinz Christian Strache, 08.10.2015Fotografi: picture-alliance/H. Oczeret

Ne dhe ata

Një mesazh kryesor është kontradikta mes "nesh" dhe "atyre". Ky mesazh përqafohet kryesisht në vende, që zhvillojnë një debat intensiv për refugjatët. Ndër këto vende bën pjesë edhe Austria, përmes së cilës mijëra refugjatë të ardhur përgjatë itinerarit ballkanik vazhdojnë rrugën dretj Gjermanisë - e ndonjëherë ata mbeten edhe në Austri.

Shumë të rinj me arsimim të keq shqetësohen, se refugjatët do t'u zenë atyre vendet e punës. Ndaj, thotë Diendorfer, ata i drejtohem FPÖ-së. E kjo parti e di mirë se si mund t'i bëjë për vete këta të rinj.

"Njerëzit e partrisë shkojnë nëpër diskoteka, e tërheqin atje publikun e tyre elektoral." Ata përhapin "parrulla bardh - e zi": "Ata krijojnë një grup-ne dhe e vlerësojnë këtë grup-ne, ndërkohë që ata që nuk i përkasin këtij grupi, i përçmojnë." Imazhi i tyre i armikut janë në radhë të parë "të huajt" dhe gjoja "parazitët, që jetojnë në kurriz të të tjerëve".

Edhe të tjerë politikanë e përdorin me sukses këtë taktikë. Kryeministri hungarez Viktor Orban ka ndërtuar gardhin kufitar kundër refugjatëve dhe në referendum i ka pyetur qytetarët, nëse refugjatët duhet të dëbohen, të izolohen apo të dënohen me punë të detyruar, në rast se hyjnë ilegalisht.

Të rinjtë gjermanë janë më imunë

Edhe në Gjermani atmosfera kundrejt refugjatëve është bërë më armiqësore, qëkurse në vend po vijnë gjithnjë e më shumë refugjatë. Strehimoret e refugjatëve, të cilave u vihet zjarri janë një dëshmi tragjike e kësaj. Megjithatë partia Nacionaldemokrate ekstremiste e djathtë, NPD, ende nuk ka një mbështetje kaq të madhe si partitë me orientim të ngjashëm në botën e jashtme. Ndërkohë NPD është e përfaqësuar vetëm në një nga 16 landet federale, në Meklenburg-Pomerani, ku ajo në zgjedhjet për parlamentin e landit fitoi 5% të votave.

Politologu dhe studiues i ekkstremizmit Rudolf van Hüllen beson, se të rinjtë në Gjermani nuk tentojnë drejt NPD-së, sepse shteti gjerman ka arritur me sukses t'u bëjë të qartë atyre se ç'pasoja ka pasur regjimi i fundit i djathtë në Rajhun e Tretë në Gjermani. Kyçi për imunizimin, beson ai ,ka të bëjë me një profilaksi të hershme. "Kjo i bën të rinjtë dhe ata në moshë më të pjekur më imunë kundrejt formave të ndryshme të ekstremizmit: ekstremizmit të djathtë, ekstremizmit të majtë, islamizëmit. Po rritet një gjeneratë e fortë dhe e vetëdijshme", thotë Van Hüllen në gazetën "Die Welt".

NPD-ja përpiqet ndërkohë t'i tërheqë të rinjtë, duke e shmangur imazhin e saj të naziskinëve.

Österreich Wahlen Kundgebung FPÖ in Wien Heinz Christian Strache
Sulm me zjarrvënie në strehimoren e refugjatëve në Weissach, Gjermani më 24.08.2015Fotografi: picture-alliance/dpa/SDMG/Friebe

Rreziqe për demokracinë?

Gertraud Diendorfer nga Qendra për Demokracinë në Vjenë mendon, se shoqëria duhet të ndërhyjë atje ku partitë nacionaliste kanë gjithnjë e më shumë sukses në radhët e rinisë. Nuk duhet t'u lihet fushë e lirë veprimi partive si FPÖ në Austri dhe homologeve të saj në vende të tjera.

Në vend të kësaj politikanë të tjerë duhet të orientohen më shumë nga të rinjtë, që besojnë se partitë e konsoliduara nuk mund t'u ofrojnë asgjë atyre. Nëse hendeku mes zgjedhësve të rinj të pakënaqur dhe partrive demokratike është i pakapërcyeshëm, beson Diendorfer, kjo mund të ketë pasoja serioze për Europën. "Kjo dukuri në Europë duhet të vlerësohet me seriozitet. Sa më shumë ksenofobi dhe paragjykime të ketë, sa më shumë distancë nga politika të ketë, aq më të mëdha janë rreziqet për demokracinë dhe një shoqëri të hapur liberale."