1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Largimi i trurit" nga Spanja

Regina Mennig/Angjelina Verbica15 Nëntor 2012

Një ndër dy të rinj në Spanjë pas studimit i pret papunësia. Kështu shumë të rinj spanjollë i kthejnë shpinën vendit të tyre. Sidomos ndër inxhinierët me ambicie Gjermania shihet si El Dorado.

https://p.dw.com/p/16jOJ
Álvaro Morales de Felipe, 26 Jahre, Ingenieursstudent aus Las Palmas/Gran Canaria Quelle: privat Alba Morell, 25, Maschinenbauingenieurin bei Daimler in Stuttgart aufgenommen am 14.11.2012 Quelle: Daimler AG

Ajo, që spanjolli Alvaro Morales tregon për vendlindjen e tij, është e paimagjinueshme për kolegët e tij në Gjermani: "Si student inxhinierie, në qoftë se ke fat, mund të gjesh një punë me 800 euro pagë mujore." Alvaro nuk do ta pranojë një punë si punëtor ndihmës dhe aq më pak papunësinë. 52,3 për qind e të rinjve në Spanjë janë pa punë. Ky është aktualisht rekordi i trishtuar ndër 27 vendet e BE.

Dhe kështu Álvaro ka një muaj, që ka ardhur në Gjermani për t'u punësuar me rrogë studenti në një firmë për teknikën bërthamore. Në një vend, kancelarja e të cilit fton specialistët spanjollë për të punuar, kur vjen në vizitë zyrtare në Madrid. Një vend, në të cilin mungojnë dhjetëra mijëra inxhinierë, siç thuhet shpesh në lajme. Një vend "si karamele për një student inxhinierie si unë", thotë Álvaro, i riu nga Las Palmas në Gran Canaria.

Kthimi në Spanjë i pasigurt

Aty, ku shumë inxhinierë nga Jugu i Evropës do të dëshironin të zinin vend, ka hyrë para një viti Alba Morell. 25-vjeçarja nga Gijon në veri të Spanjës është inxhiniere mekanike tek Daimler-i në Shtutgart. Për veshët gjermanë tingëllon e pazakontë, kur spanjollja e shkathët flet për punën e saj dhe xhonglon natyrshëm me terma të tilla si "shtresë cilindri", apo "efikasitet në konsumin e naftës". Në dallim nga Spanja, profesioni i inxhinierit në Gjermani dominohet nga meshkujt dhe Alba Morell është gruaja e vetme në ekip. Kur e pyesin, se si ka përfunduar aty, ajo përgjigjet me lehtësi: "Kur isha studente, mendoja se Gjermania është motori i Evropës, se ata janë teknikisht shumë më të avancuar se ne dhe dua ta shoh, se si është."

Alba Morell inxhiniere mekanike tek Daimler
Alba Morell, 25 vjeç, inxhiniere mekanike tek DaimlerFotografi: Daimler AG

Ajo erdhi për një vit këmbimi universitar nga Oviedo në Karlsruhe, mori pak më vonë një vend si praktikante në departamentin e kërkimeve të Mercedesit në Ulm dhe më vonë ofertën për të kryer kërkime si pjesë e punës së diplomës. "Marrja e vendit të punës në Stuttgart, ishte një ndjenjë si në ëndërr. Mercedesi ka qenë për mua dhe shokët e mi studentë në Spanjë gjithmonë diçka e paarritshme", thotë Alba. Ndërkohë ajo duhet të luftojë në një mjedis, në të cilin asnjë nuk do t'ia dijë më, se ajo nuk punon në gjuhën e vet amtare. Kur kujton vendin e saj sot, ajo trishtohet. Ajo tregon për shokët e saj të universitetit, të cilët nuk kanë para për t'u larguar nga vendlindja. Të cilët punojnë tani në arkat e supermarketeve, "edhe pse ata kanë patur në universitet të njëjtat nota si unë", thotë Alba. Ajo e di, se i ka shpëtuar krizës së vendit të saj në kohën e duhur. Dhe megjithatë vendimin për vendin e punës në Shtutgart nuk e ka marrë krejt lehtë. "Ndoshta kjo do të thotë se unë nuk kam për t'u kthyer më në Spanjë. Se një punë e tillë nuk gjendet atje në këtë moment", thotë ajo mendueshëm.

Më të vështirë do ta kenë ata, që mbesin

Pyetja se sa spanjollë me kualifikim të lartë i kanë kthyer shpinën vendit të tyre në vitet e fundit, përsëritet shpesh në gazetat spanjolle. Nga 2010-2011 numri i të emigruarve duhet të jetë rritur me 70 për qind, por lidhur me profesionin dhe nivelin arsimor të këtyre njerëzve statistikat nuk japin asnjë informacion. Por e dukshme është se në Gjermani mbërrijnë gjithnjë e më shumë punonjës nga Spanja, Greqia, Portugalia, apo Sllovakia. Nga ato vende të BE, të cilat janë goditur veçanërisht rëndë nga kriza dhe papunësia. Analisti i tregut të punës Herbert Brücker nga universiteti i Bambergut nuk e vlerëson "largimin e trurit" patjetër negativisht për vendet e krizës: "Vendet, që duhet të japin shumë të holla për të papunët, përfitojnë, kur personat e prekur largohen nga vendi", thotë ai. Dhe në qoftë se disa prej këtyre njerëzve më vonë do të ktheheshin më një kualifikim më të avancuar, atëherë kjo do të sillte përfitim."

Prof. Dr. Herbert Brücker, Arbeitsmarktforscher an der Universität Bamberg sowie beim "Institut Arbeitsmarkt- und Berufsforschung" (IAB) Quelle: Institut für Arbeitsmarkt- und Berufsforschung
Prof. Dr. Herbert BrückerFotografi: IAB

Më shqetësuese, thotë Brücker, është gjendja e atyre, që mbeten për një kohë të gjatë të papunë në vendet e krizës dhe humbasin përvojën dhe impulset. "T'i kthesh këta njerëz përsëri në punë është shumë e vështirë. Ne e dimë këtë nga përvoja jonë në Gjermani," thotë ekonomisti, që ka parasysh vitin 2005. Në atë kohë Gjermania ka qenë në krizë: shkalla e papunësisë ishte shumë më e lartë se në vendet evropianojugore dhe OECD e konsideronte fuqinë punëtore gjermane: jo fleksibël, shumë të specializuar në ndërmarrjet e tyre. Sot pikërisht lidhja e punonjësve me firmën konsiderohet si çelësi i suksesit gjerman, sidomos përsa i përket përgatitjes profesionale. Studenti i inxhinierisë Álvaro Morales e sheh këtë parim edhe në kurset universitare gjermane dhe sheh një kontrast me vendin e tij, ku absolventët nga mungesa e perspektivës shpesh përfundojnë një studim pas një tjetri, pa mbledhur kurrë përvojë praktike.

Álvaro Morales de Felipe, 26 Jahre, Ingenieursstudent aus Las Palmas/Gran Canaria Quelle: privat
Álvaro Morales de FelipeFotografi: Privat

Gjuha është pengesa më e madhe

"Në Gjermani shpesh brenda studimeve mund të bësh një praktikë në një ndërmarrje. Pasi mbaron studimet ke lidhje me profesionin dhe nganjëherë të marrin direkt në punë", thotë ai dhe shpreson se edhe punësimi i tij do të ndodhë në mënyrë të ngjashme. Nëse planet do t'i realizohen, pas punësimit të pjesshëm në Erlangen do të bëjë një stazh në Detin e Veriut, ku firma e tij gjermane ka një projekt për energjitë e rinovueshme.

Ndërkohë, Álvaro mëson çdo ditë ditë pas pune dy orë gjermanisht. "Që të marrësh një vend këtu, duhet të flasësh gjermanisht. Dhe kjo është për spanjollët një çështje mjaft e komplikuar", thotë ai duke qeshur. "Të gjitha të tjerat janë gjëra të vogla në krahasim me këtë. Për shembull, që gjermanët shkojnë paradite në 11:30 për të ngrënë drekë. "Megjithatë Álvaro bën pjesë te ata spanjollë, që ndoshta një ditë do të kthehen në vendin e tyre. "Nëse do të ketë vende pune, unë dua të punoj më vonë, aty ku kam lindur", thotë ai. Sepse një perspektivë nuk mund t'i ofrojë Gjermania atij kurrë: Pamjen në Atlantik nga shtëpia e tij në Gran Canaria.

Pamje në Atlantik në vendlindjen e Alvaros, Gran Canaria
Pamje në Atlantik në vendlindjen e Alvaros, Gran CanariaFotografi: Privat