1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Abschluss Finanzminister

Peter Kujath14 Qershor 2008

Në Osaka të Japonisë ministrat e financave të vendeve më të industrializara të botës debatuan edhe mbi rolin e spekulantëve në zhvillimet e çmimit të energjisë.

https://p.dw.com/p/EJgK
Ministrat e financave të G8-s në Osaka të JaponisëFotografi: picture-alliance / dpa

Në katër faqe i përmblodhën konkluzionet e tyre ministrat e financave të shtatë vendeve më të industrializuara të botës së bashku me Rusinë në Osaka të Japonisë. Takimi i përfundoi punimet me një apel të përbashkët - të rritet prodhimi i naftës me qëllim të frenimit të rritjes së çmimeve.

Erë e ftohtë për ekonominë botërore

Që në fillim të takimit të G8-s në Japoni u tha: për një kohë të gjatë ekonomia botërore ka gëzuar gjendjen e rritjes ekonomike dhe inflacionin e ulët, por kjo kohë ka mbaruar. Po fryn erë e ftohtë. Me këtë kihet parasysh rritja e vazhdueshme e çmimeve të lëndëve të para, sidomos atyre të naftë dhe lëndëve ushqimore. Këta dy faktorë kanë rritur inflacionin në mbarë botën. Në konkluzionet e ministrave të financave të G8-s u tha se gjendja duhet vëzhguar me kujdes dhe se duhen marrë masat e nevojshme për të siguruar një rritje ekonomike stabël.


Megjithë rreziqet e reja, situata në tregjet financiare ka shënuar një përmirësim të lehtë u shprehën ministrat e financave, megjithëse rritja e çmimit të naftës ka ndikimet e saj në stabilitetin makroekonomik, mirëqenien dhe shanset e zhvillimit.

Kostot e larta për naftë thuhet në konkluzionet e ministrave të finnacave në takimin e G8-s, reflektojnë nevojën mbarëbotërore si edhe kufizimet në furnizim. Por edhe faktore të tjerë si interesat gjeopolitike dhe financiare kanë dhënë kontributin e tyre në çmimet e larta të naftës.

Pozicioni i vendeve evropiane dhe SHBA-ve

Në këtë pikë u mor në konsideratë pozicioni i vendeve evropiane, të cilët bëjnë përgjegjës për rritjen e çmimeve interesin në rritje të fondeve të investimeve për naftën, dhe spekullimet që bëhen në tregjet e lëndëve ushqimore. Por nuk u la jashtë as pozicioni amerikan, i cili e sheh arsyen e rritjes së çmimeve në subvencionimin e prodhimit të lëndëve djegëse.


Perfaqësuesi gjerman në këto bisedime, sekretari i shtetit, Thomas Mirov tha se është folur shumë për rolin e spekulantëve në zhvillimet e çmimit të energjisë, por askush nuk mund të fliste me saktësi se sa i madh është një ndikim i tillë.


Për këtë arsye i është drejtuar kërkesë Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë që ta shohin më me prioritet një çështje të tillë dhe të raportojnë për këtë në takimin e ardhshëm. Vendet e G8-s ishin dakord në një pikë. Të gjithë kërkuan që vendet prodhuese të naftës të rrisin prodhimin e tyre dhe të bëjnë investime për të zgjeruar kapacitet e tyre në të ardhmen.

Ndërsa sa i përket luftimit të ndryshimeve të klimës, ministrat e financave të G8-s qëndruan në pozicionet e tyre të mëparshme. Mikpritësi Japonia, SHBA dhe Britania e Madhe që para fillimit të takimit premtuan se do të vënë në dispozicion fonde per klimën dhe ftuan vendet e tjera t'i pasojnë. Gjithashtu në Japoni u miratua një plan veprimi, me të cilin synohet të nxitet angazhimi institucioneve publike dhe shtetërore në luftë kundër ndryshimeve të klimës.