1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama Afghanistan-Strategie

30 Mars 2009

Elementët kryesorë të strategjisë së re janë: 21 mijë ushtarë shtesë, shumica për të luftuar, por 4000 për shkollimin e forcave afganase të sigurisë. Në reflektimet strategjike është i përfshirë edhe Pakistani.

https://p.dw.com/p/HMhk
President Obama duke prezantuar strategjinë e re për Afganistanin dhe PakistaninFotografi: AP

Puna nuk do të kryhet shpejt dhe nuk do të jetë e lehtë. Me këtë konstatim realist presidenti i SHBA bëri dy gjëra: e shpalli të vetën luftën, që ka trashëguar nga paraardhësi i tij dhe e përgatiti opinionin se mund të ketë humbje, dhe me siguri që do të ketë. Ndryshe nga Iraku, ku ai ka urdhëruar një tërheqje të trupave, Barak Obama e konsideron angazhimin në Afganistan të justifikuar, madje të nevojshëm. Dhe bota do të bënte mirë t'i shkonte pas në këtë rrugë.

Gordon Brown und Barack Obama
Grodon Braun dhe Barak ObamaFotografi: picture-alliance/dpa

Sepse terroristët e El Kaidas dhe në këtë mënyrë edhe talibanët janë një kërcënim për të gjitha kombet. El Kaida vret në Nju Jork njësoj si në Londër, Madrid dhe Bali. Terroristët vrasin hebrenj, të krishterë dhe myslimanë. Dhe me sa duket vitet e fundit ata janë tërhequr në rajonin kufitar midis Afganistanit dhe Pakistanit. Barak Obama u deklaroi tani atyre luftë me një strategji të gjerë. Dhe këtu ai ka mësuar nga gabimet e paraardhësit të tij në Irak.

Presidenti i respekton kërkesat e gjeneralëve të tij dhe dërgon më shumë ushtarë në luftë. Por ai edhe kujdeset që të intensifikohet shkollimi i forcave afgane të sigurisë. Ushtria afgane duhet të vihet sa më shpejt në gjendje, që të kujdeset vetë për sigurinë në Afganistan. Pranimi se lufta kundër terroristëve nuk mund të fitohet vetëm me mjete ushtarake duhej të qe bërë me kohë. Ai që vret vazhdimisht në sulmet me bomba persona të pafajshëm, ai nuk mund të presë solidaritetin e civilëve. Por pa ta nuk bëhet dhe këtë e tregoi lufta e Irakut.

Bildgalerie Obama in Berlin Händedruck mit der Kanzlerin
Barack Obama dhe kancelarja gjermane MerkelFotografi: AP

Një hap i duhur sidoqoftë është vështrimi i Afganistanit dhe i Pakistanit si një rajon problematik dhe vënia para përgjegjësisë e të dyja qeverive. Edhe një verifikim i strategjisë në afate të shkurtra kohe është i arsyeshëm. Megjithatë si gjithmonë përparësi do të ketë zbatimi praktik. Thuhet se për përpunimin e strategjisë Obama është këshilluar në një masë që nuk ka ndodhur asnjëherë me aleatët dhe me vendet e prekura dhe ka pranuar njërin, ose tjetrin propozim. Ai është i gatshëm të udhëheqë, por nuk dëshiron të veprojë i vetëm. Sepse e di se SHBA nuk mund ta fitojnë të vetme këtë luftë. Ajo është e varur nga mbështetja e aleatëve.

E rëndësishme është që shtetet anëtare të NATO-s të mos tërhiqen me argumentin se qeveria e SHBA nuk u ka kërkuar ndihmë. Qeveria e SHBA nuk do ta bëjë këtë, po të rrezikojë refuzimin. Qeveritë, dhe këtu bën pjesë edhe Gjermania, duhet të veprojnë pa u kërkuar dhe të vlerësojnë vetë se ç'kontribut mund të japin për këtë luftë. Sepse nuk është harruar, që atentatorët e 11 shtatorit u përgatitën në Hamburg dhe se shërbimet e fshehta paralajmërojnë për atentate edhe në Gjermani. Liria e Gjermanisë mbrohet në Hindukush.

Autor: Christina Bergmann/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica