1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të vdekur dhe të plagosur në Bangkok

11 Prill 2010

Në Tajlandë u shënuan përleshjet më të ashpra që prej fillimit të trazirave një muaj më parë. Ushtria iu kundërvu ashpër demonstruesve, 19 prej tyre humbën jetën.

https://p.dw.com/p/Mt10
Protestuesit anti-qeveritarë luten në një nga demonstratat e para të së shtunës në Bangkok. 10.04.2010
Fotografi: AP

Të paktën 19 vetë humbën jetën në kryeqytetin e vendit Bangkok, më shumë se 800 të tjerë u plagosën, bëri të ditur të dielën (11.4.) qendra mjekësore Erawan në Bangkok. Deri tani ishte folur për tetë të vdekur, ndër ta edhe një kameraman i agjencisë së lajmeve Reuters. Të shtunën mijëra demonstrues qëlluan policët dhe ushtarët me kokteje Molotov dhe mjete të forta. Të tjerë hynë me forcë në territorin e selisë së qeverisë. Forcat e sigurisë qëlluan me plumba gome dhe bomba gazi ndaj kundërshtarëve të qeverisë dhe përdorën ujin me presion dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur demonstruesit. Në qendër të qytetit policët bllokuan hyrjet e rrugëve që çojnë në lagjen tregtare, të cilën këmishëkuqtë e mbajnë të pushtuar që prej një jave.

Protestuesit ndeshen me ushtarët pas sulmit në një stacion satelitor në provincën Pathum Thani 9.4.2010.
Protestuesit ndeshen me ushtarët pas sulmit në një stacion satelitor në provincën Pathum Thani 9.4.2010.Fotografi: AP

Nga baza e ushtrisë të paktën 20 tanke dhe mijëra ushtarë u nisën për në urën Phan-Fa ku demonstruesit kanë ngritur çadrat e tyre që prej katër javësh.

Situata në qytetin me 15 milionë banorë njoftohet se është qetësuar të shtunën në mbrëmje. Forcat e sigurisë dhe demonstruesit janë tërhequr.

Kryeministri nuk lëshon pe

Opozita në Tajlandë ka njoftuar se megjithë përleshjet e fundit të dhunshme me forcat e sigurisë do të shtojë trysninë ndaj qeverisë së kryeministrit Abhisit Vejjajiva. Sipas politikanit opozitar Nattawut Saikua protestat do të vazhdojnë javën e ardhshme derisa të shpërndahet parlamenti. Këmishëkuqtë, kryesisht përkrahës të ish-kryeministrit Thaksin Shinawatra, kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të qeverisë. Ata e konsiderojnë kryeministrin një marionetë të elitave me influencë në vend.

Kryeministri Vejjajiva deklaroi të premten në mbrëmje në televizion se ai nuk do ta shpërndajë parlamentin dhe nuk do të përkulet para trysnisë së rrugës.

Kërkohen zgjedhje të reja

Protestat që zgjasin prej katër javësh organizohen nga aleanca "Fronti i Bashkuar për Demokraci dhe kundër Diktaturës" (UDD). Demonstruesit kërkojnë zgjedhje të reja. Kundër 17 drejtuesve të tyre të premten gjykatat tajlandeze lëshuan urdhër-arreste. Ish-kryeministri, miliarderi Thaksin mbështet financiarisht UDD-në dhe nga mërgimi ku ndodhet nxit vazhdimisht me videomesazhe demonstruesit.

Autor: Oliver Samson / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani