1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

NATO kërkon para për Afganistanin

20 Prill 2012

Afganistani ka nevojë për para për ushtrinë dhe policinë e tij pas vitit 2014. Trupa paqëruajtëse ISAF dhe NATO-ja përpiqen që të mbledhin para për këtë. Po kërkohen koncepte të reja për kohën pas tërheqjes së trupave.

https://p.dw.com/p/14iWv
Fotografi: dapd

Të gjithë duan të japin diçka por askush nuk tregon se sa. Kështu mund të përshkruhet shkurt qëndrimi i Natos dhe vendeve të cilat kanë trupat e tyre në Afganistan kur bëhet fjalë për premtimet konkrete financiare për forcat afgane të sigurisë pas vitit 2014. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përcaktuar se do të ndajnë rreth 1,8 miliardë dollarë në vit për pagat e policëve dhe ushtarëve afganë. 1,8 miliardë dollarë të tjerë duhet të mblidhen nga shtetet e tjera të cilat janë të angazhuara në kuadër të trupave paqëruajtëse ISAF në Afganistan dhe duan të tërhiqen nga ky vend deri në fund të vitit 2014. 500 milionë dollarë të tjerë do të sigurohen nga qeveria afgane në Kabul. Në këtë mënyrë për financimin e forcave afgane të sigurisë nevojiten çdo vit 4,1 miliardë dollarë. Ministri i Jashtëm afgan Salmaj Rasul konfirmoi pas takimit pranveror të Natos të enjten (19.04.) në Bruksel se premtimet financiare duhet të vlejnë dhjetë vjet pra deri në vitin 2025.

Pa shifra konkrete

Edhe pse sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, Anders Fogh Rasmussen u përpoq mjaft që të siguronte premtime konkrete financiare mbeti pa përgjigje. Po ashtu as ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière nuk deshi të flasë për shifra konkrete."Posaçërisht i rëndësishëm nga viti 2015 do të jetë rindërtimi civil dhe ekonomik. Kjo do të vendoset në konferecën e donatorëve në Tokio që do të mbahet në verë", tha de Maizière. Natyrisht se ai nuk do të paguajë dy herë, njëherë për ushtrinë dhe njëherë për rindërtimin civil, tha ministri më tej. "Kjo duhet të trajtohet si një çështje dhe në bazë të saj mund të caktohet pastaj kontributi gjerman."

Anders Fogh Rasmussen
Anders Fogh RasmussenFotografi: picture-alliance/dpa

Në rast nevoje të zgjatet qëndrimi

Ministri afgan i Mbrojtjes Abdul Rahim Wardak doli pas takimit të NATO-s në Bruksel për një hap vendimtar në rrugën e vendit të tij nga dalja e agonisë. Ai përshendeti planin e ISAF-it që deri në vitin 2014 përgjegjësia e sigurisë të kalohet në duart e afganëve. "Në fillim isha shumë skeptik por tani e besojë se mund të funksionojë", tha Wardak. Sot askush nuk mund ta parashikojë se si do të zhvillohet gjendja e sigurisë në vitet e ardhshme. "Është e mundur që të rezultojë se ky koncept nuk funksionon. Por pastaj ka mjaft fleksibilitet që forca e trupave t'i përshtatet rrethanave të vërteta në vend. Ne kemi kërkuar gjithmonë dhe të gjithë janë pajtuar me këtë që gjendja e sigurisë të shqyrtohet rregullisht dhe plani i tërheqjes t'i përshtatet realitetit", tha Wardak. Disa shtete të NATO-s dëshirojnë të kenë të stacionuara trupat e tyre në Afganistan edhe pas vitit 2014 në rast se ushtarët afganë dështojnë në sigurimin e paqës. Për këtë ka muaj që qeveria afgane po nënshkruan marrëveshje bilaterale me shtetet e NATO-s. "Ne duam të evitojmë që në Afganistan të krijohet një vakum", nënvizoi Wardak. Me këtë duhet të pengohet shpërthimi i një lufte qytetare siç ka nodhur pas tërheqjes së trupave sovjetike në fillim të viteve të '90-ta.

Të qëndrojmë fleksibël: Ministri afgan i Mbrojtës Abdul Rahim Wardak
Të qëndrojmë fleksibël: Ministri afgan i Mbrojtës Abdul Rahim WardakFotografi: AP

Autor: Bernd Riegert / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj